Alesandro Ahmetaj: Egnatia fiton titullin, e dimë si mundet Laçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 19:35

Alesandro Ahmetaj: Egnatia fiton titullin, e dimë si mundet Laçi

Egnatia luan në Laç për javën e 32-të të Superiores. Rrogozhinasit kërkojnë vazhdimësi në kampionat pas fitores me Partizanin, me qëllimin për të qenë sa më në formë në sfidat e “Final 4”. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori Ahmetaj shprehet mes të tjerash se Egnatia është gati për të mbyllur një sezon historik me fitimin e titullit kampion për herë të parë. Ai flet për ndeshjen e së shtunës në Laç, por edhe për këtë fund sezoni dhe atë çfarë synon me fanellën e rrogozhinasve.

alessandro-ahmetaj-egnatia-1

Ahmetaj, si e prisni ndeshjen e radhës me Laçin në transfertë?

Është një sfidë vërtet delikate kjo kundër Laçit në këtë moment të kampionatit. Do të futemi në fushë për të marrë maksimumin e pikëve, është momenti për të shfrytëzuar atmosferën shumë të mirë që solli triumfi me Partizanin disa ditë më parë. Duam t’i luajtur ndeshjet e mbetura të këtij kampionati pa pasur presion. Me Laçin nuk kemi humbur asnjëherë, por kjo nuk do të thotë që do të jetë e thjeshtë për ne këtë herë. Nuk kemi fituar në transfertë gjatë javëve të fundit, por jemi gjithashtu ekipi me më shumë pikë të fituara në ndeshjet jashtë fushe. Laçi është ekip kompakt, sidomos në ndeshjet që luan në fushën e tij, por ne kemi treguar se dimë të fitojmë kundër këtij kundërshtari në këtë sezon.

Me Partizanin zhvilluat një ndeshje pozitive, sa i kënaqur jeni në nivelin personal?

Jam përpjekur të bëj më të mirën kur më ka kërkuar trajneri. Kundër Partizanit ishim të gjithë të motivuar për një paraqitje dinjitoze dhe ia dolëm. Besoj te cilësitë e mia dhe do të bëj maksimumin për të ndihmuar ekipin. Ndeshjet e mbetura duken mjaft të forta. A do ta ruajë Egnatia vendin e parë? Janë 15 pikë në lojë dh do të mundohemi të marrim sa më shumë. Vendin e parë do ta mbrojmë deri në fund, duke i marrë ndeshjet një nga një. Kemi kryesuar prej muajsh, duke treguar superioritet.

Mendoj se do t’i mbyllim me sukses edhe ndeshjet e mbetura. Sa i arritshëm është titulli kampion, kur rivalë keni Partizanin apo Vllazninë?

Prej fillimit të sezonit kemi shprehur objektivat tonë për të fituar titullin kampion. Egnatia ka kualitet dhe ka bërë mirë. Kemi treguar se jemi një prej ekipeve favoritë për të synuar trofe. Partizani është kampion në fuqi, një ekip me histori, ashtu si dhe Vllaznia. Kemi rivalizuar me këto dy ekipe gjatë gjithë sezonit dhe në pjesën më të madhe të ndeshjeve direkt kemi rezultuar superiorë. Do të shkojmë në “Final 4” me besimin dhe dëshirën për të konkretizuar mundimin e të gjithë sezonit.

Si e kishit menduar nivelin e futbollit shqiptar para se të vinit këtu dhe si ju rezultoi?

Ky është viti parë që luaj në Superiore dhe mund të them që është një kampionat me nivel. Më kishin folur mirë disa miqtë e mi prandaj edhe firmosa për Egnatian verën e shkuar. Janë bërë hapa para sa i takon infrastrukturës dhe shpesh lojtarët që luajnë këtu ia kanë dalë të spikasin edhe në kampionatet elitare të Europës. Mendoj që duke filluar me investimet do të ketë rezultate më të kënaqshme në të ardhmen.

Cili ka qenë kundërshtari që ju ka vendosur më shumë në vështirësi këtë sezon?

Në mesfushë më është dashur të përballem me disa futbollistë me kualitet. Lojtari që më ka vendosur më shumë në vështirësi është Dean Liço. Është një lojtar që luan mirë me topin dhe di të vendoset mirë në fushë. Duele interesante kam pasur edhe me Denisonin e Dinamos dhe Rrapajn e Partizanit. Roli im si organizator më detyron të jem në çdo moment në kontakt dhe në duele një për një kundrejt mesfushorëve kundërshtarë. Uroj të jem mirë fizikisht dhe në nivelin personal synoj të zhvilloj ndeshje pozitive me Egnatian. Fokusi është arritja e objektivave të klubit. Kam besimin e njerëzve këtu dhe falë bashkëpunimit që ekziston në këtë skuadër, shpresoj të shkruajmë historinë, duke sjellë titullin kampion në Rrogozhinë.

ISA HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"