Spitali Infektiv do përdoret si karantinë për të prekurit nga koronavirusi, ja me sa shtretër. Arrin në 1600 numri i urgjencave

Feb 26, 2020 | 17:03
SHPËRNDAJE

maska, virusi, tirane

ADA HAZIZOLLI/ Edhe pse zyrtarisht u mbajt i fshehur si informacion, prej fillimit të këtij muaji Ministria e Shëndetësisë jo vetëm piketoi Spitalin Infektiv si vend për referimin e çdo rasti të dyshuar, por edhe nisi me përgatitjen, duke përcaktuar edhe dhomat e izolimit nëse do të ketë të prekur.

INFEKTIVI

Nga ana tjetër, edhe personali mjekësor në këtë pavijon është trajnuar dhe janë siguruar veshjet e nevojshme që garantojnë mbrojtje nga virusi.

“Nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT janë përcaktuar bokset /dhomat e izolimit funksionale, nëse do të ketë raste të dyshuara për COVID-19 dhe janë marrë masa të shtuara mbi zvogëlimin e hyrje-daljeve në Shërbimet Infektive dhe Urgjencën Polivalente (QSUT). Gjithashtu, janë vendosur/afishuar në mënyrë skematike procedurat e veshjes dhe zhveshjes së MMP-së në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive – QSUT (moshë pediatrike dhe të rritur) dhe në të gjitha hallkat e tjera të menaxhimit të rastit për parandalimin e kontrollit të infeksionit spitalor. Është pajisur Shërbimi i Sëmundjeve Infektive (QSUT) me të gjitha mjetet e mbrojtjes personale”, është bërë me dije më herët edhe nga Instituti i Shëndetit Publik.

Këto ambiente do të shërbejnë edhe si karantinë në momentin që do të ketë të dyshuar potencialë, që vijnë nga zonat e rrezikut.maska tirane5

“Është përcaktuar ambienti karantinë për ta përdorur atëherë kur do të jetë e nevojshme, si p.sh.: për kontaktet e shëndosha në fazën kur në vend do të konfirmohet rasti i parë me COVID19, si dhe është kryer trajnimi paraprak i personelit shëndetësor që do të jetë pjesë e shërbimit në karantinë”. Personat, për të cilët ka dyshime se janë mbartës, do të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë, që është edhe periudha e inkubacionit të virusit. Në Spitalin Infektiv janë vetëm 140 shtretër dhe më pak se 15 mjekë, të cilët do të kenë rol kyç dhe peshën më të madhe, duke qenë në vijën e parë të frontit.

FONDI

Nisur nga situata e krijuar nëpër farmaci, ku qytetarët kanë nxituar të blejnë maska dhe dezinfektues për pastrimin e duarve, Ministria e Shëndetësisë ka lajmëruar dje akordimin e një fondi shtesë për sigurimin e këtyre pajisjeve.maska tirane3

“Pas mbledhjes së pasdites së sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve, me fokus masat paraprake për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit të ri, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur të rialokojë një fond shtesë prej 1 milion dollarësh buxhetit të spitaleve, që do të shkojë për rritjen e stokut aktual të mjeteve të mbrojtjes personale. Ky fond shtesë shërben vetëm për qëllimin e sipërpërmendur të rritjes së stokut të mjeteve të mbrojtjes personale në strukturat tona spitalore. Ministria e Shëndetësisë siguron personelin shëndetësor dhe qytetarët se aktualisht, të gjitha strukturat spitalore kanë në dispozicion sasinë e nevojshme të mjeteve të mbrojtjes personale për të përballuar situatën. Ministria e Shëndetësisë siguron se deri në këto momente nuk ka raste të konfirmuara të koronavirusit COVID-19 në vendin tonë”.

Dyshimet për Koronavirusin, Brataj: Janë skeduar 35 raste, 1600 thirrje në numrin e Urgjencësskender_brataj1

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ndryshe nga çfarë është bërë me dije nga Ministria e Shëndetësisë, tha se këto ditë ka pasur rreth 35 raste të dyshuara, të cilëve iu është bërë analiza e Koronavirusit dhe që fatmirësisht kanë rezultuar negativë.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, “në News24”, se deri më tani në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Koronavirus, ndërkohë që vetëm përgjatë ditës së hënë janë regjistruar 1600 thirrje në numrin e urgjencës. “Nuk ka në Shqipëri raste. Nëse do të ketë, do rritet niveli i masave për t’iu përballur gjendjes. Dje kishim mbi 1600 thirrje nga qytetarët, ka rritje të panikut. Ka një grup mjekësh që përgjigjen në numrin 127, që këshillojnë për Koronavirusin dhe çdo shqetësim tjetër. Sa u përket rasteve, kemi pasur rreth 35, që i kemi skeduar këto ditë. Ne e bëjmë në Shqipëri analizën e Koronavirusit, tek ISHP-ja, dhe brenda ditës del përgjigjja, brenda 8 orësh”, tha Brataj.

Më tej, ai dha disa këshilla edhe për prindërit, të cilët shqetësohen për temperaturën te fëmijët e tyre, duke iu thënë që të mos i drejtohen spitalit nëse të vegjlit e tyre nuk e kalojnë temperaturën 38 gradë e gjysmë.

“Për fëmijët nuk duhet të shqetësoheni kur ka temperaturë, por kur nuk ka. Po nuk e kaloi 38 e gjysmë nuk është e nevojshme, do të zhvillohet fëmija. Kjo dyndje drejt QSUT, e di kur duhet të shkosh në spital, vetëm nëse ka simptoma dytësore. Temperatura nuk është dytësore, rrufa jo. Është vështirësia në frymëmarrje, në këtë moment duhet ta shohë patjetër specialisti. Në rastet e tjera, e viziton mjeku ose pediatri. Nuk duhen marrë antibiotikë që në moshë të vogël. Është standard ndërkombëtar i pediatrisë temperatura 38 e gjysmë. Kur fëmija ka ethe, dridhet, mos e mbulo, zhvishe. Ka nevojë për disa kompresa me ujë të vakët, nëse arrin në 39 e gjysmë 40 gradë mund t’i vihen dhe akuj”. Lidhur me përdorimin e maskave, drejtori i Urgjencave vuri në dukje që një person që nuk është i prekur, nuk ka nevojë të përdorë maska.

“Nëse shkojmë te një rast i dyshuar, sigurisht që do t’i japim maskën, që të mos na infektojë edhe ne. Për çdo sëmundje infektive, jo vetëm për Koronavirusin, personeli duhet të jetë detyrimisht i mbrojtur”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura