Sali Shehu, një vit pagë në KLD pa qenë asnjë ditë në punë

Feb 28, 2013 | 12:31
SHPËRNDAJE
Sali Shehu

Prokuroria e Tiranës është duke zhvilluar hetime ndaj ish-nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, në lidhje me një abuzim të dyshuar me anë të punësimit të zotit Sali Shehu (ish-deputet i PD) në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.  Burimet e Prokurorisë kanë bërë me dije se po hetojnë në lidhje me faktin se Sali Shehu është punësuar në KLD dhe ka marrë rrogë mbi 100 mijë lekë të reja për “punën” e bërë për 12 muaj me radhë, ndërkohë që dyshohet se nuk është paraqitur asnjë ditë në zyrën e këtij institucioni. “Hetimi ka nisur pas kallëzimit të bërë nga nënkryetari i tanishëm i KLD-së, zoti Elvis Çefa”, thanë burimet e Prokurorisë së kryeqytetit. Sipas tyre, në kallëzim parashtrohej fakti se me urdhër të Kreshnik Spahiut, shtetasi Sali Shehu ishte paguar si punonjës i KLD-së për një vit, ndërkohë që nuk rezultonte që në arkivin e KLD-së të kishte ndonjë dokument të firmosur prej tij. Po kështu, burimet thanë se nuk rezultonte që zoti Shehu të ishte paraqitur ndonjë ditë në zyrat e KLD-së, ku ishte paguar për dy vjet si drejtor i Marrëdhënieve me

Kreshnik Spahiu

Publikun dhe me Jashtë. Pas verifikimeve të kryera brenda institucionit të KLD-së dhe kontaktit me punonjësit aty, drejtuesit aktualë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë konfirmuan se Sali Shehu nuk ishte paraqitur asnjë ditë në Këshill. Shehu njihet si një nga mbështetësit e ish-presidentit Bamir Topi dhe aktualisht është sekretari Organizativ i FRD-së. Ndodhur në këto kushte, nënkryetari Elvis Çefa ka hartuar kallëzim penal drejtuar Prokurorisë për dëmin ekonomik të ardhur nga derdhja e pagës nga llogaria e KLD-së në emër të Sali Shehut për dy vjet radhazi. Prokuroria e Tiranës mësohet se ka marrë në pyetje ish-punonjës dhe punonjës aktualë të KLD-së. Ata kanë shpjeguar se Sali Shehu ishte “punësuar” në KLD me urdhër të Kreshnik Spahiut. “Ai ka qenë në organikë për rreth një vit, por ne asnjëherë nuk e kemi parë të paraqitet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, kanë thënë punonjësit e KLD-së gjatë dëshmisë së tyre në Prokurori. Organi i akuzës ka pohuar se për këtë fakt do të kërkojë shpjegime nga i kallëzuari Kreshnik Spahiu si dhe nga vetë Sali Shehu. Ky i fundit dje pasdreke ka qenë në Prokurori, por nuk dihet çfarë ka deklaruar para hetuesve. Ditën e djeshme, Aleanca Kuqezi akuzoi Prokurorinë për presion ndaj kryetarit të saj Kreshnik Spahiu. “Prokuroria Tiranë ka kërkuar po dje paraqitjen e kryetarit të Aleancës Kuqezi për një çështje që nuk i përket atij, por një ish-të punësuari në institucionet e shtetit”, thuhej dje në një deklaratë të Aleancës Kuqezi. Spahiu u emërua në KLD në korrik 2007 dhe në nëntor 2007 mori funksionin e nënkryetarit.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura