Sondazhi, Gjermanët: Shqipëria vendi i fundit për të investuar

Apr 30, 2014 | 13:33
SHPËRNDAJE

Ambasadori gjerman Hoffmann
Investitorët që nuk kanë investuar më parë në Shqipëri e shohin atë si destinacionin e fundit të mundshëm për të bërë biznes, por 86 për qind e atyre që kanë investuar një herë, do ta bënin sërish.
Kjo tregon qartë imazhin që vendi ka jashtë kufijve dhe promocionin e dobët që u është bërë potencialeve. Rezultatet e anketës vjetore të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë për klimën e investimeve tregojnë se në 20 vende të përfshira Shqipëria bën pjesë te 4 më pak atraktivet.
Perceptimi
Ekonomia shqiptare duket të mos ketë përmirësim krahasuar me një vit më parë, të paktën për 62 për qind të bizneseve të anketuara. “Vetëm 13 % e të anketuarve e vlerësojnë pozitivisht situatën ekonomike, ndërkohë që vitin e kaluar ishin 12 %. 26 % e kompanive pjesëmarrëse në këtë anketim mendojnë se situata ekonomike është deri diku e kënaqshme, ndërkohë që 62 % e të anketuarve e vlerësojnë atë si negative”, thuhet në raport. Kompanitë e huaja të anketuara duket se stepen në zgjerimin e aktivitetit të tyre në vendin tonë në kushtet ku ndodhemi. Edhe pse një pjesë e mirë kanë tregues pozitivë, sërish nuk kanë plane zgjerimi. “Vlerësimi pozitiv i ecurisë së biznesit të tyre nuk i shtyn kompanitë automatikisht në rritjen e disponibilitetit për investime më të larta. Më tepër se gjysma e kompanive të anketuara nuk do të realizojnë investime të mëdha, si dhe nuk planifikojnë një rritje të dukshme të numrit të punonjësve”, thuhet në raport.
Ndikimi negativ
Anketa e Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë ka bërë një renditje të faktorëve që kanë impaktin më negativ tek investitorët dhe perceptimi që kanë ata për Shqipërinë dhe klimën e biznesit. Katër janë edhe faktorët më negativë të renditur nga anketa. “Analizat e katër faktorëve, të vlerësuar më negativisht: parashikueshmëria e politikave ekonomike, transparenca  e tenderëve publikë, lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe siguria ligjore mund të kuptohen si një prej detyrave urgjente për qeverinë shqiptare, me qëllim përmirësimin e Shqipërisë, si një vend për investime”, thuhet në raport.

Faktorët, nga më pozitivi te më negativi
n Kostoja e punës
n Produktiviteti dhe motivimi i punonjësve
n Kualifikimi i punonjësve
n Arsimimi akademik
n Fleksibiliteti në të drejtën e punës
n Disponueshmëria dhe cilësia e furnitorëve lokalë
n Disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar
n Korrektësia në pagesa
n Stabiliteti politik dhe social
n Infrastruktura (trafik, komunikim, energji)
n Sistemi dhe administrata tatimore
n Administrata publike
n Aksesi në fondet mbështetëse shtetërore dhe të BE
n Barra tatimore
n Kushtet për kërkim dhe zhvillim
n Sistemi i arsimit profesional
n Parashikueshmëria e politikave ekonomike
n Transparenca e tenderëve publikë
n Lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit
n Siguria ligjore

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura