Sondazhi, Çuçi: Pro reformës 67% e shqiptarëve

Jul 31, 2014 | 11:19
SHPËRNDAJE

Zv.kryeministri Peleshi dhe ministri Çuçi
Ministri i shtetit për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi, bëri publik dje një sondazh qytetar, nga i cili rezulton se 67% e të intervistuarve kanë mbështetur variantin 39/47, por edhe shtesën prej 14 bashkish, që iu bë kësaj harte. Sondazhi është realizuar prej 15 qershorit deri në 17 korrik në të gjithë vendin. Mësohet se rreth 16 mijë qytetarë, mbi 18 vjeç, janë pyetur për reformën administrativo-territoriale lidhur me variantet 37, 47 dhe 61 njësi vendore. “Përmbushëm një proces transparent. Meraku im ishte që reforma të ishte gjithëpërfshirëse”, tha Çuçi dje gjatë prezantimit të sondazhit. Lidhur me propozimin e Shoqatës së Komunave për t’i shtuar edhe 28 njësi ndarjes territoriale, ministri tha se në 3 takime ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e kësaj shoqate, nuk është bërë asnjë propozim. Ndërkohë, kanë  vazhduar edhe dje protestat e banorëve, të cilët kundërshtojnë ndarjen e re territoriale. Grupet e interesit në Himarë akuzuan ministrin për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi për dezinformimin e publikut, përmes paraqitjes së sond-azheve të pavërteta. Sipas grupeve të interesit në Himarë, ministri Çuçi dhe deputeti Kokëdhima kanë interesa ekonomikë dhe politikë në Himarë. “Ministri Çuçi vazhdon me të njëjtën praktikë nëpërmjet dezinformimit publik, me qëllim krijimin dhe bindjen e opinionit publik se është kryer një sondazh me banorët e Himarës, i tipit Çuçi dhe Kokëdhima, dhe ka dalë një rezultat që 60% e banorëve të saj janë pro për krijimin e njësisë së re vendore të Bashkisë së Himarës me bashkimin e komunës së Vranishtit dhe të komunës së Lukovës. Gënjeshtër. Ne, Bashkimi i Grupeve të Interesit, në njësinë vendore të Bashkisë Himarë denoncojmë se në mënyrë të përsëritur z.Çuçi, i mbështetur nga K.Kokëdhima, s’kanë asnjë qëllim tjetër, përveç interesave ekonomike dhe politike, të cilat prej vitesh kanë bërë dukjen e tyre në zonën e Himarës”, thuhet në deklaratë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura