Skënderbeu humbet në futboll të vërtetë

Mar 31, 2012 | 14:15
SHPËRNDAJE

Lojtarët e Teutës pas fitores së djeshme

Teuta pushton Korçën, vendos një gol i sulmuesit Çota.

Gjunjëzohen kampionët, dështim në shtëpi pas dy vitesh.

Skënderbeu humbet në futboll të vërtetë. Në një ndeshje reklamë për kampionatin shqiptar, e cila ishte edhe larg paragjykimeve ndaj ekipit korçar, është Teuta ajo që arrin të fitojë me meritë. Kampionët në fuqi dolën huq, duke u thyer në shtëpi pas dy vjetësh. Dështimi i fundit në një sfidë kampionati në stadiumin “Skënderbeu” datonte më 11 prill të vitit 2010, dhe si për ironi ndaj Flamurtarit, 0-1. Dje Teuta arriti të shfrytëzonte në maksimum gabimet e bardhekuqve, teksa heroi i ndeshjes ishte sulmuesi Mirel Çota. Durrsakët rikonfirmuan se janë një klub që nuk bëjnë aleanca. Nga ana tjetër, edhe pse bardhekuqtë kishin mundësinë më të mirë për të bindur opinionin pas zërave të shumtë për disa nga ndeshjet e fundit të tyre, nuk arritën të merrnin qoftë edhe një pikë kundër një rivali direkt. Pjesa e parë – Skënderbeu futet në fushë me surpriza në formacion. Levi lë në stol Vrapin dhe Xhafajn, duke i besuar Gvozdenoviçit dhe Allmuçës. Ky i fundit ishte në ndihmë të sulmuesit Plaku. Nga ana tjetër, Teuta rikuperon në momentet e fundit fantazistin Dosti, ndërsa si titullar rikthehet pas dëmtimit kapiteni Sheta. Loja nis më kërkuese për korçarët, të cilët krijojnë rastin e parë të rrezikshëm me anë të Plakut. Skënderbeu mundohet të marrë mesfushën, ndërsa durrsakët janë më të qetë në lojë, dhe synojnë të kapin në befasi kundërshtarin. Lika kishte hedhur nga minuta e parë treshen Pepa, Çota e Nika. Sa herë që marrin iniciativë, miqtë bëhen të rrezikshëm, sidomos me anë të Dostit. 21- vjeçari përfiton nga bagazhi i shkëlqyer teknik dhe pështjellon jo pak mbrojtjen korçare. Vendësit mundohen të shfrytëzojnë goditjet e dënimit, por nuk ia dalin. Kapiteni Shkëmbi kërkon golin me goditjet nga distanca, por edhe atëherë kur topi ka drejtimin e duhur, ndalet nga Rizvani. Në fundin e pjesës së parë Çota ka një rast të artë për të shënuar, por Gvozdenoviç tregon klas, duke bllokuar sulmuesin. Pjesa e dytë – Skuadrat e rinisin lojën pa ndryshime në formacion. Skënderbeu bëhet i frikshëm në 10 minutat e para të këtij fraksioni. Korçarët ushtrojnë presion të madh në portën e Rizvanit, por janë të pafat. Shtylla i mohon golin Allmuçës, ndërsa Levi nga stoli lëviz, duke thirrur sulmuesin Xhafaj. Por, dy minuta përpara se vlonjati të futej në lojë, Teuta shokon Skënderbeun. Një asist i Dostit gjen Çotën të lirë dhe ky i fundit, falë shpejtësisë që ka, huton mbrojtjen korçare dhe përballë Shehit nuk fal. Skënderbeu merr një goditje të rëndë, ndërkohë që është me fat, pasi rrezikon të pësojë sërish. Grushtimi i Shehit i mohon golin e dytë Çotës. Në minutat e fundit Teuta mbrohet me shumë forca dhe ruan rezultatin.

ÇOTA: FITOJMË TITULLIN
Heroi i fitores së Teutës ndaj Skënderbeut, Mirel Çota, është optimist për ecurinë e kampionatit. “Morëm tri pikë tepër të rëndësishme dhe jam i lumtur që shënova golin e fitores. Ua dedikoj tifozëve, pasi na kanë mbështetur gjatë gjithë sezonit. Na presin ndeshje të vështira, por ne jemi pretendentë të rëndësishëm në garën për titull kampion dhe unë jam optimist se do triumfojnë”, u shpreh Çota.

Skeda
Skënderbeu – Teuta 0-1
Goli: Çota 74′
Skënderbeu: Shehi, Radas, Bici, Gvozdenoviç, Arapi, Bratiç, Orelesi (Xhafaj 76′), Shkëmbi, Allmuça (Tahirllari 81′), Muzaka, Plaku.
Trajner: Stanislav Levi
Teuta: Rizvani, Jakupi, Sheta, Osmani, Da Silva, Tairi, Veliaj (A.Hoxha 43′), Dosti (Rr.Hoxha 80′), Nika, Çota, Pepa  (Hyshmeri 66′).
Trajner: Hasan Lika
Gjyqtarë: L.Jemini, E. Barushi, G.Qirici (Tiranë)

NDESHJET
Dje

Apolonia-Kastrioti 1-0
Gërxho 89′
Skënderbeu-Teuta 0-1
Çota 74′
Sot
Bylisi-Tirana 15:00
Vllaznia-Flamurtari 17:00
Nesër
Tomori-Kamza 15:00
Dinamo-Laçi 18:00
Të hënën
Shkumbini-Pogradeci 15:00

RENDITJA
1 Skënderbeu 41
2 Tirana 40
3 Teuta 40
4 Kastrioti 31
5 Flamurtari 30
6 Vllaznia 24
7 Bylisi 23
8 Shkumbini 23
9 Laçi 20
10 Kamza 18
11 Tomori 17
12 Apolonia 14
13 Pogradeci 14
14 Dinamo 8

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura