Skema, si do zhbllokohen 60 mijë hipoteka në Tiranë

Apr 30, 2011 | 10:31
SHPËRNDAJE
Basha dje gjatë fushatës në Tiranë

Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, sqaroi dje skemën se si do të bëjë të mundur zhbllokimin e hipotekave të banesave në Tiranë.Këtë deklaratë Basha e bëri gjatë emisionit “Zonë e Lirë” të gazetarit Arjan Çani, në Vizion Plus. Sipas kandidatit për kryetar bashkie, një grup pune do të bëjë verifikimin e të gjitha lejeve të ndërtimit për të parë se pse është bllokuar hipoteka e tyre. “90% janë raste kur nuk ka asnjë problem, por Bashkia nuk e jep lejen e shfrytëzimit. Ka dhe raste që është lejuar devijimi i projektit po nga Bashkia. Ka raste qesharake, si për shembull, mund të jenë 20 centimetra të një muri për të cilat Bashkia nuk ka reaguar në kohë. Ky është një problem që ka bllokuar një kapital të madh që shkon të paktën 700-800 milionë euro. Janë 60 mijë hipoteka të bllokuara”, u shpreh Basha. Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës tregoi skemën se si do të çbllokojë hipotekat e qytetarëve. “Bashkia një për një, por me një sistem të shpejtë, në një kohë fare të shkurtër, të shqyrtojë të gjitha rastet. Së pari, të zhbllokojë të gjitha rastet që nuk kanë asnjë problem ligjor, apo gjyqësor për të marrë hipotekat. Do të analizohet pse ka ndodhur ky bllokim. Duhet të hartohen disa akte nënligjore që të mos ndodhë më ky problem. Kjo është përgjegjësia që ka Bashkia ndaj qytetarëve. Më këtë do të merrem, por dhe shumë gjëra të tjera ku Bashkia ka qenë një mur memec për qytetarët. Sepse Bashkia ekziston për t’i shërbyer qytetarit”, u shpreh Basha. Në funksion të këtij qëllimi, Basha tha se do të rishikohen të gjitha lejet e ndërtimit në Bashki. “Do të rishikohen me shpejtësi të gjitha lejet e ndërtimit. Do të mënjanohet menjëherë problemi i atyre që nuk kanë devijuar nga projekti. Do të jepet leje ndërtimi e kushtëzuar për ato pjesë që nuk janë në përputhje me projektin. Sigurisht, kur këto ndërtime nuk kanë cenuar sigurinë e projektit. Dhe e dyta, nëse nuk kanë cenuar pronë apo interesa private. Për pjesën tjetër do të jepet leje shfrytëzimi e kushtëzuar, deri sa ndërtuesit të paguajnë detyrimet e tyre. Po kështu, ekipi im po diskuton aktualisht dhe me mysafiren e madhe në qytetin tonë, se qeveria është mysafire në Tiranë. Kjo mund të bëhet me një ligj të veçantë që mund të kursejë kohë, që do të thotë që ky proces mund zgjidhet edhe me një ligj të ri. Ligji i 1998 parashikon të gjitha hapat, ku etapa e fundit janë ato të kolaudimit, që kanë mbajtur peng hipotekat gjithë këtë kohë. Me këto ndërhyrje, brenda një kohe të caktuar, i gjithë problemi zgjidhet pa pasur nevojë të kalojë në analet e Bashkisë”, u shpreh Basha. Kandidati demokrat tha se amnistia fiskale e miratuar nga maxhoranxa zgjidh dhe problemin e detyrimeve financiare. “Baza fiskale tek hipoteka nuk mund të pengohet më nga pagesa, sepse amnistia apo falja fiskale që u miratua, kap edhe këto gjoba. Pra këto gjoba janë falur dhe nuk janë më pengesë. Paradoksi qëndron se edhe nëse gjobat janë falur nëpërmjet amnistisë, kjo nuk ka asnjë vlerë kur nuk ke lejen e shfrytëzimit”, u shpreh Basha.

Me studentët e Ekonomikut: Punësimi, prioritet

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Lulzim Basha, ishte dje me studentët e Fakultetit Ekonomik në Tiranë, ku mori përsipër angazhimin për zgjidhjen e një prej problemeve kryesore të banorëve të Tiranës, siç është punësimi. Basha tha se nën drejtimin e tij, Bashkia do të kthehet në një urë lidhëse mes studentëve dhe biznesit, si për praktikat, ashtu edhe për punësimin e tyre.

Punësimet jashtë ligjit, prefekti padit Ramën

Prefekti i qarkut të Tiranës, Keltis Kruja, depozitoi dje në Prokurori një kallëzim penal ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ku spikasin tri akuza kryesore: shpërdorim detyre, përfitim financiar dhe punësim kundër ligjit. Sipas padisë, Rama ka punësuar 9 persona, duke anashkaluar ligjin dhe hapësirat përkatëse për to. “Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka pasur përfitime të drejtpërdrejta, duke qenë se ka përdorur policë bashkiakë në tubime elektorale, në kundërshtim me ligjet që rregullojnë punën e Policisë Bashkiake”, thuhet në padinë e Krujës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura