Skema e re e OSHEE-së, falen kamatëvonesat për 68 mijë familje

Feb 7, 2017 | 13:48
SHPËRNDAJE

Pensionistëve kryefamiljarë dhe familjet me ndihmë ekonomike, që kanë aktmarrëveshje me OSHEEnë për pagesën me këste të debisë, në muajin qershor do t’u falen kamatat e dritave.

333

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike llogarit që faljen e kamatave ta përfitojnë 68 mijë familje. Skema e re u prezantua dje në takimin e Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri, dhe kreut të OSHEE-së, Ardian Çela, me familjet që kanë përfituar nga falja e kamatave. Kryeministri Rama informoi se falja e kamatave të dritave do të vazhdojë për të gjitha familjet, që tregohen korrekte me aktmarrëveshjet dhe faturat e dritave.

“Ne kemi 453 000 konsumatorë, që kanë aktmarrëveshje me shtetin dhe që janë në një marrëdhënie reciprociteti me kompaninë. Konsumatorët që kanë nënshkruar aktmarrëveshje i përgjigjen kompanisë sipas detyrimeve të tyre dhe kompania ua kthen dhe do t’ua kthejë në vijimë- si, duke ua lehtësuar barrën e së shkuarës, që është barrë e përbashkët”, u shpreh Rama.

Kryeministri u shpreh se brenda vitit pritet të nisë leximi elektronik i faturës së dritave, me qëllim që të eliminohen abuzimet në leximin e sahatit. “Brenda vitit, leximi i faturës do të jetë kudo, jo më siç i duan sytë dhe siç ia kërkon xhepi një lexuesi që kërkon para, dhe në bazë të ryshfetit bën faturën, por siç e lexon kompjuteri. Po punohet edhe për të vendosur një mesatare të konsumit të të gjithëve dhe leximi të bëhet jo më çdo muaj, por 4 herë në vit. Që do të thotë një lehtësim shumë i madh dhe nga ana tjetër, një tjetër goditje e fortë e sistemit të ri që po ndërtohet ndaj korrupsionit. Në bazë të leximit do të bëhet pastaj balancimi. Nëse mesatarja që ti ke paguar në një rast është më e lartë sesa ke konsumuar, ato para do të të ulen nga fatura e ardhshme. Nëse është më shumë, do të të rriten në faturën e ardhshme. Por e gjitha do të jetë me kompjuter, jo me sy”, u shpreh Rama.

Kryeministri e cilësoi të suksesshme realizimin e reformës në energji dhe rezultatet janë të prekshme edhe për xhepat e qytetarëve. Rama deklaroi se qeveria është në rrugën e duhur drejt uljes së TVSH-së së dritave. “Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se në këtë rrugë do të jemi në gjendje të vazhdojmë të lehtësojmë ata që janë më në nevojë. Do të jemi në gjendje të vazhdojmë të lehtësojmë të gjithë ata që kanë detyrime të së kaluarës. Do të jemi në gjendje të shkojmë drejt përmbushjes së një objektivi, uljen e TVSHsë së energjisë. Por kjo kërkon që ta kemi të gjithë sistemin të ndërtuar, të kontrolluar dhe të kontrollueshëm, jo vetëm prej nesh, por edhe nga qytetarët”, tha Rama.

ÇELA Administratori i OSHEEsë, Ardian Çela, tha se falja e kamatëvonesave për 68 mijë familje do të zbatohet në muajin qershor. Çela deklaroi se kusht për të përfituar nga falja e kamatave do të jetë pagesa me korrektësi e kësteve prej 1200 lekësh në muaj, por edhe e faturës së muajit korrent.

“Skema e zerimit të kamatëvonesave vazhdon të zbatohet për 126 mijë abonentë familjarë, ku 24.615 janë familje me ndihmë ekonomike dhe pensionistë kryefamiljarë, të cilët përfituan nga zerimi i kamatëvonesës në dhjetor të 2016, 37 milionë dollarë. Nga reduktimi i kamatave kanë përfituar edhe 33.312 abonentë familjarë, me vlerë 34 milionë dollarë. Priten edhe 68 mijë abonentë të tjerë familjarë që kanë aktmarrëveshje me kompaninë, të cilët në qoftë se do të jenë korrektë me këstet deri në qershor të 2017, shuma që do të përfitohet në total nga zerimi i kamatëvonesave shkon në 230 milionë dollarë”, tha Çela

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura