Skema 100 milionë dollarë, faturat e OSHEE-së që do përfitojnë nga amnistia

Feb 12, 2017 | 16:00
SHPËRNDAJE

Pensionistët kryefamiljarë, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me status invaliditeti, që kanë lidhur aktmarrëveshje me OSHEEnë për të paguar me këste debinë e energjisë në muaj qershor, do të përfitojnë nga falja e kamatave. Drejtori i Divizionit Tregtar në OSHEE, Elton Sevrani, në intervistën dhënë gazetës shpjegoi se nga skema e re që nis efektet në qershor përfitojnë 68 mijë familje.

Sevrani u shpreh se OSHEE-ja llogarit që përfitimi për këto familje nga zerimi i kamatave të jetë 10 miliardë lekë. Drejtori i OSHEE-së, Sevrani, shpjegoi se kusht parësor për të përfituar nga skema është që këto familje të jenë të rregullta në pagimin e kësteve mujore prej 1200 lekësh dhe të faturës korrente të dritave.

Drejtori i Divizionit Tregtar në OSHEE, Elton Sevrani
Drejtori i Divizionit Tregtar në OSHEE, Elton Sevrani

Si do të funksionojë skema e re e aktmarrëveshjeve për kategoritë, që do të përfitojnë zerim të kamatave deri në muajin qershor e lançuar nga OSHEE-ja?

Këshilli Mbikëqyrës i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes me vendimin e tij nr.54, datë 19.12.2016, ka miratuar “Reduktimin e kamatëvonesave për kategorinë e klientëve familjarë, të cilët kanë respektuar pagesat mujore të detyrimit të prapambetur”. Në bazë të këtij vendimi, të gjithë klientët familjarë të OSHEE-së të kategorizuar si persona që përfitojnë ndihmë ekonomike, persona me status të veçantë dhe pensionistë, të cilët kanë të paktën 6 muaj që kanë nënshkruar një aktmarrëveshje për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura dhe kanë qenë të rregullt në pagesat e kësteve, përfitojnë reduktimin e plotë të kamatëvonesave të mbetura kundrejt shumës 20 lekë, si dhe të gjithë abonentët familjarë të cilët kanë paguar rregullisht këstet e aktmarrëveshjeve për të paktën 6 muaj dhe kanë aktualisht vlerën e këstit 2.500 lekë në muaj përfitojnë falje 80 për qind të kamatëvonesës së mbetur.

Abonentët e mësipërm duhet të paraqiten pranë sporteleve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë deri më 30 qershor 2017 dhe në përputhje me plotësimin e kushteve të mësipërme përfitojnë edhe faljet dhe reduktimet përkatëse.

Cilat janë kategoritë që përfshihen në skemë dhe sa është numri i përfituesve?

Siç është përcaktuar edhe në vendimin e Këshillit Mbikëqyrës, kategoritë që përfitojnë nga skema e miratuar janë klientët familjarë që përfitojnë ndihmë ekonomike, personat me status të veçantë invaliditeti dhe pensionistët, dhe klientët familjarë që kanë këstin e aktmarrëveshjeve 2.500 lekë në muaj. Në kategorinë e parë janë rreth 66.500 abonentë pensionistë, invalidë dhe persona me ndihmë ekonomike që paguajnë këste mujore 1.000 dhe 1.200 lekë në muaj. Në kategorinë e dytë janë rreth 59.500 abonentë familjarë që kanë paguar rregullisht këstet prej 2.500 lekësh në muaj. Pra, në total numri i pritshëm i përfituesve nga skemat e mësipërme nga dhjetor 2016 deri më 30 qershor 2017 mendohet të jetë 126.000 abonentë, me një falje rreth 19 miliardë lekë ose 155 milionë dollarë.

Cili është kushti i përftimit nga skema lehtësuese, çfarë dokumentesh duhet të paraqesin qytetarët e interesuar?

Abonentët familjarë të kategorive të mësipërme që përfitojnë, duhet të kenë nënshkruar një aktmarrëveshje minimalisht prej 6 muajsh me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe të kenë respektuar me korrektësi afatin e pagesës së kësteve. Qytetarët e grupeve të mësipërme, përveç respektimit të kushteve të mësipërme, duhet vetëm të paraqiten pranë sporteleve të kujdesit të klientit të OSHEE-së dhe të paraqesin kartën e identitetit, nëse është personalisht në sportel, ose autorizimi me shkrim nga mbajtësi i kontratës dhe kartën e identitetit të klientit e të personit që do të paraqitet për pagesë.

A ka një llogaritje OSHEE-ja sa është totali i kamatave që zerohen deri në muajin qershor?

Aktualisht, që nga momenti i fillimit të aplikimit të skemave të mësipërme, pra që nga data 19 dhjetor 2016 dhe deri më sot, kanë përfituar rreth 24.600 abonentë të kategorisë pensionistë, invalidë dhe familje në nevojë në një vlerë falje të kamatëvonesës së mbetur prej rreth 4.7 miliardë lekësh ose 37 milionë dollarë. Rreth 33.800 abonentë familjarë që kanë paguar rregullisht këstin prej 2.500 lekë në muaj në një vlerë reduktimi 80 për qind të kamatëvonesës së mbetur prej rreth 4.3 miliardësh lekë, ose 34 milionë dollarë.

Aktualisht, vlera e përfituar nga falja dhe reduktimi i kamatëvonesës për abonentët e rregullt të OSHEE-së që kanë përfituar nga skemat lehtësuese është rreth 9 miliardë lekë. Për periudhën e mbetur deri më 30 qershor 2017 parashikohet që numri i përfituesve të jetë rreth 68.000 abonentë, të cilët në qoftë se do të vazhdojnë të jenë të rregullt në pagesën e kësteve mujore të aktmarrëveshjeve dhe në përfundim të një periudhe 6-mujore do të paraqiten në sportelet e kujdesit ndaj klientit të OSHEE-së, do të përfitojnë në total rreth 10 miliardë lekë të tjera.

Po qytetarët debitorë që nuk kanë lidhur aktmarrëveshje, a gëzojnë të drejtën e përfshirjes në skemat lehtësuese?

Abonentët debitorë që nuk kanë lidhur aktmarrëveshje mund të paraqiten në çdo kohë pranë ambienteve të kujdesit të klientit dhe gëzojnë të drejtën e përfshirjes në skemat lehtësuese. Konkretisht, abonentët familjarë mund të lidhin aktmarrëveshje me këste 2.800 lekë në muaj për të gjithë detyrimin e prapambetur (vlerat e faturave të energjisë elektrike plus kamatëvonesat).

Abonentët me status pensionisti, invalidi dhe familjet në nevojë përfitojnë aktmarrëveshje me këste 1.200 lekë/muaj për të gjithë detyrimin e prapambetur (vlerat e faturave e energjisë elektrike plus kamatëvonesat). Në rast se abonenti familjar paguan me një pagesë të vetme vlerën e detyrimit të faturave të papaguara të energjisë elektrike përfiton 70 për qind falje të kamatëvonesave. Dokumentacioni i nevojshëm për të lidhur aktmarrëveshje është karta e identitetit, nëse është personalisht në sportel, ose autorizim me shkrim nga mbajtësi i kontratës dhe kartën e identitetit të klientit e të personit që do të paraqitet për pagesë.

Kurse bizneset mund të lidhin aktmarrëveshje me 24 deri në 84 këste për të gjithë detyrimin e prapambetur (vlerat e faturave të energjisë elektrike plus kamatëvonesat). Në rast se abonenti jofamiljar paguan me një pagesë të vetme vlerën e detyrimit të faturave të papaguara të energjisë elektrike përfiton 50 për qind falje të kamatëvonesave. Për biznesin, dokumentacioni i nevojshëm për të lidhur aktmarrëveshje është NIPT, regjistrimi në QKR, karta e administratorit nëse paraqitet vetë në sportel, autorizimi nga organet drejtuese për shoqëritë shpk ose sha dhe autorizim nga mbajtësi i kontratës për rastet kur biznesi zhvillon aktivitetin me qira.

skema e re oshee

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura