Skandali i sistemit TIMS, AMP kallëzim në Prokurori! Përplasjet mes punonjësve të Policisë për tri ditë me radhë për vjedhjen e urdhëruar nga drejtuesi

Aug 23, 2023 | 8:08
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Prej rreth dy javësh, një ekspert IT-je ka hedhur në qarkullim emrin e një drejtuesi Policie, duke e akuzuar publikisht për ndërhyrje në të dhënat e sistemit TIMS.

tims

Eksperti foli me emra, fakte dhe të dhëna konkrete që lidhte të gjitha hallkat e kësaj ndërhyrjeje me të dhënat sensitive, ndërkohë që asnjë institucion përgjegjës nuk reagoi. Eksperti Genti Progni vijoi përditë të denonconte gjithçka që ndodhte mes atij zyrtari të katapultuar policie dhe ekspertëve të AKSH-it, por sërish prokuroritë, vetë policia dhe po ashtu Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nuk lëvizën mekanizmat për të hetuar atë që po publikohej me emra në rrjetet sociale dhe madje mbante edhe emrin e një drejtori të sapoemëruar në atë drejtori të Policisë së Shtetit. U desh një reagim i ambasadës amerikane në vendin tonë, që AMP të reagonte dhe të vepronte konkretisht duke kryer edhe një kallëzim. Ambasada amerikane e lajmëroi vetë takimin e diplomatit amerikan me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, ndërkohë që edhe AMP ka bërë me dije se e ka formuluar më në fund kallëzimin.

TAKIMI

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës për ndërhyrjet në sistemin TIMS të Policisë së Shtetit, pas ngritjes së shqetësimit për skandalin nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë një takimi me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, i ngarkuari me punë i ambasadës amerikane në Tiranë, Martin McDowell shprehu shqetësimin e SHBA-ve lidhur me shkeljen në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit. McDowell kërkoi hetim të shpejtë dhe të plotë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre. “I ngarkuari me Punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell, u takua sot me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla. Ata diskutuan bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në fushën e zbatimit të ligjit dhe mbështetjen për një sërë çështjesh të lidhura me sigurinë. I ngarkuari me Punë McDowell vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit. Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri. McDowell i tha gjithashtu ministrit Balla se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre”, u tha në njoftimin e Ambasadës.

SKANDALI

Më datë 2 gusht, bëhet me dije se drejtuesi i ri i Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit ka urdhëruar kalimin e të dhënave të sistemit TIMS në hartdisk të jashtëm. Po atë ditë, mësohet se një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka rënë në gjurmët e këtij akti, ka njoftuar eprorin e tij, i cili ka urdhëruar menjëherë bllokimin e të gjithë eksportimit të të dhënave. Por drejtuesi i ri, sipas të dhënave që janë bërë publike nga reagimet e brendshme që kanë ndodhur përgjatë asaj dite në Policinë e Shtetit, ua ka kërkuar bashkëpunëtorëve të tij të përjashtojnë drejtuesin nga çdo veprim në kompjuterët e tyre. Ngjarja e rëndë (dhe këtë pritet ta vërtetojë Prokuroria) ka zier për tri ditë brenda Policisë së Shtetit, ku është theksuar se në fakt është vënë në dijeni të skandalit edhe Muhamet Rrumbullaku, kryepolici i vendit. Skandali u nxor me datë 5 gusht, orëve të pasdites, u hodh në media në formën e një email-i dërguar nga punonjës Policie në dijeni të aktit për krerët e Policisë. Email-i informues dhe i detajuar me të gjitha veprimet konkrete të drejtuesit të Policisë dhe të personave që e mbështesnin u shpërnda në të gjitha rrjetet sociale, por pa mundur të shkohet deri te Prokuroria as e Tiranës dhe aq më pak te SPAK.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura