Situatë jo e qetë, gaz lotsjellës kundër KFOR-it

Nov 29, 2011 | 19:04
SHPËRNDAJE
Patrullimet ne veri

Protestuesit serbë në Jagnjenicë kanë përdorur gaz lotsjellës kundër ushtarëve të KFOR-it, ka bërë të ditur zëdhënësi i KFOR-it, Frenk Martin.

“Protestuesit janë përpjekur të ngrenë një rrugë alternative. Ata zbrazën dy kamionë me zhavorr dhe dhe. Ata sërish përdorën gaz lotsjellës kundër trupave të KFOR-it. Për ta mbrojtur veten, ushtarët e KFOR-it përdorën po ashtu gaz lotsjellës. Situata nuk është më e qetë”, i tha Radios Evropa e Lirë zëdhënësi i KFOR-it, Frenk Martin.

Ky incident pason përplasjen e djeshme të serbëve më ushtarët e KFOR-it, ku mbeten të plagosur 30 ushtarë të misionit paqeruajtës.

Njëmbëdhjetë austriakë në mesin e ushtarëve të lënduar të KFOR-it

Ministri i Mbrojtjes i Austrisë ka bërë të ditur se njëmbëdhjetë ushtarë austriakë janë lënduar gjatë përleshjeve me serbët e veriut në Mitrovicë, dy prej të cilëve kanë marrë lëndime të rënda.

Agjencia e lajmeve AFP u referohet deklaratave të zyrtarëve të të dyja palëve të përfshira në përleshje se 25 ushtarë të KFOR-it dhe rreth 100 serbë u lënduan gjatë përleshjeve të ditës së djeshme.

Ministri i jashtëm austriak, Mikael Shpindelege e ka cilësuar situatën në veri si të rrezikshme dhe tha se do të vihej në kontakt me homologët e tij kosovarë e serbë, për të kërkuar nga ta që ta qetësojnë situatën në kufirin në mes të dy shteteve.

NATO: Përdorimi i dhunës, i papranueshëm

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli, Samuel Loklir, e ka quajtur të papranueshëm përdorimin e dhunës ndaj trupave të KFOR-it, ndërkohë që u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen dhe të bashkëpunojnë me akterët ndërkombëtarë në terren, për të siguruar liri të lëvizjes pa vonesë.

“Misioni i KFOR-it është të kontribuojë në mirëmbajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt, lirisë së lëvizjes dhe sigurisë në Kosovë, nën Rezolutën e Këshillit të OKB-së, 1244”, ka rikujtuar Loklir, gjatë konferencës për media në Aeroportin e Prishtinës.

Duke iu referuar dhunës së 28 nëntorit në Jagnjennicë, ai ka thënë se “njerëzit që u shkaktojnë dëm ushtarëve të KFOR-it, nuk janë demonstrues paqësorë e as që punojnë për të ofruar zgjidhje të mira”.

“Gjatë operacionit, armë të vogla zjarri dhe mjete shpërthyese të improvizuara janë përdorur kundër ushtarëve të KFOR-it nga ‘elemente kriminale’, të cilat kanë luajtur rolin e demonstruesve legjitimë. Si rezultat i kësaj, ushtarët janë lënduar”, ka thënë Loklir.

Ky i fundit po ashtu ka theksuar se KFOR-i “rezervon të drejtën për ta mbrojtur vetveten kundër të gjitha veprimeve agresive”.

Ai ka inkurajuar të gjithë liderët dhe komunitetet në Kosovë “që të vazhdojnë të promovojnë stabilitet dhe dialog” pasi që, siç ka thënë, askush nuk përfiton nga një rikthim i tensioneve nga e kaluara”(Express)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura