Situata, Thaçi: Në veri mori fund status-quo

Jul 30, 2011 | 11:02
SHPËRNDAJE

PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kthimi nën kontroll të dy pikave kufitare në veri i jep fund gjendjes së status-quo në këtë pjesë të vendit dhe se në këtë drejtim nuk do të ketë kthim prapa, ndërsa shefi i EULEX-it Ksavier But De Marnak ka thënë se çdo rezistencë është ilegale dhe si e tillë nuk do të tolerohet.

Në një konferencë për media mbajtur sot pas takimit me shefin e EULEX-it, Ksavier But de Marnak, kreu i qeverisë së vendit përsëriti edhe një herë se aksioni i Policisë së Kosovës në veri është bërë në baza kushtetuese dhe ligjore, dhe me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në gjithë Kosovën dhe për zbatimin e masave reciproke ndaj Serbisë.

“Durimi ynë është keqkuptuar, e nganjëherë edhe keqpërdorur. Diçka të tillë nuk mund ta toleronim më tutje. Së fundi me vendosmërinë tonë kemi arritur t’i japim fund status-quos të hidhur, e cila ka mbajtur peng jetën normale të qytetarëve që jetojnë në veri dhe për të mbajtur peng të ardhmen euroatlantike të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka përsëritur se Kosova nuk mund të lejojë përjetësisht që një pjesë e territorit të saj të mbetet “vrimë e zezë” jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë.

“Që nga 25 korriku Kosova është ndryshe, është thyer status-quoja, kthim nuk do të ketë prapa. Kosova ka hapur një kapitull të ri që bazohet në respektimin e plotë të ligjit dhe sovranitetit shtetëror në tërë territorin e vendit”, është shprehur Thaçi.

Nga ana e tij shefi i EULEX-it, Ksavier But de Marnak ka shprehur brengën e thellë për zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërsa ka bërë thirrje për qetësi, duke thënë se zgjidhja e vetme për zgjidhjen e problemeve është dialogu.

“Të gjitha format e dhunës nuk do të tolerohen. Kuptoj se ka një lloj frustrimi në veri, duke kuptuar mungesën e rendit dhe ligjit dhe doganor, por e vetmja për zgjidhje është dialogu. EULEX-i si gjithmonë ka mbështetur vendosjen e kontrollit doganor në gjithë Kosovën”, ka thënë ai. (kosovapress)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura