Situata, Thaçi: Kufiri verior kontrollohet 100%

Jul 29, 2011 | 14:45
SHPËRNDAJE

PRISHTINE- Kryeministri i Kosoves, Hashim Thaci ka deklaruar sot se kontrabanda në pjesën veriore të Kosovës është bllokuar qind për qind, ndërkaq është vënë kontrolli i plotë në dy pikat kufitare 1 dhe 31.  Ne fjalen e tij para kabinetit qeveritar Thaci ka informuar për gjendjen aktuale në pjesën veriore të vendit.

Thaçi ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës më në fund pas 12 vjetësh kanë vënë rregull dhe ligj në kufirin verior me Serbinë. Ai ka thënë se pika 1 është djegur dhe dëmtuar në masë të madhe, por tani është nën kontroll të plotë të NATO-s dhe është mbyllur qarkullimi i mallrave, ndërsa lëvizin vetëm makina të vogla të qytetarëve, por me një kontroll të rreptë të tyre. Megjithatë, kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se Qeveria është e gatshme që të fillojë rregullimin e logjistikës në pikën 1, ndërkaq po ashtu edhe për hapjen e rrugëve për tek kjo pikë kufitare.

“Ajo çka është më e rëndësishmja, është fakti që për herë të parë pas 12 vjetësh ne kemi arritur që të ndalojmë kontrabandën, pothuajse 100 për qind, në pikën kufitare 1 dhe 31. Për herë të parë pas 12 vjetësh kemi arritur që me vendimin e Qeverisë, me mbështetjen e NATO-s, të instalojmë policinë kufitare dhe doganierët në pikën 31, dhe në pikën 1 të bllokojmë kontrabandën. Në këto dy pika kontrabanda është bllokuar 100 për qind. As edhe një makinë nuk mund të hyjë pa kontroll të plotë dhe respektim të plotë të rregullave dhe normave të Policisë së Kosovës dhe doganierëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Thaçi ka thënë se në vënien e rendit dhe ligjit në veri nuk do të ketë asnjë kthim prapa, përderisa ka shtuar se marrja e dy pikave kufitare është faza e parë e implementimit për vënien e rendit dhe ligjit në tërë Kosovën, ndërkaq do të vazhdohet me hapjen e rrugëve dhe luftimin e gjithë atyre paramilitarëve dhe kontrabandistët që janë duke qëndruar ilegalisht në territorin e Kosovës…/Kosovapress/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura