Sistemi zgjedhor, debat mes opozitës

Jan 31, 2012 | 12:31
SHPËRNDAJE

Rama me aleatet

Kreu socialist, Edi Rama, mbledh aleatët e vegjël lidhur me propozimet e PS për reformën zgjedhore

Ngjela: Mos u merrni kot me sistemin. Milo: Ne kemi mijëra vota

Tryeza e djeshme e opozitës nuk u ka shpëtuar debateve dhe qëndrimeve të ndryshme lidhur me korrektimin e sistemit zgjedhor. Në një takim të thirrur nga kryetari socialist, Edi Rama, aleatët e PS kanë ndarë opinione të ndryshme rreth domosdoshmërisë apo jo të korrektimit të sistemit. Një pjesë e aleatëve kërkojnë korrektim kombëtar të sistemit zgjedhor proporcional rajonal, ndërsa pjesa tjetër nuk është entuziaste për një qëndrim të tillë. Kundërshtues i këtij propozimi është kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, i cili ka përsëritur të njëjtin qëndrim si në një mbledhje më parë. Ngjela i është drejtuar Milos, Gjinushit dhe Koçit, që kërkojnë korrektim kombëtar duke i thënë se nuk është kjo garancia më e madhe për zgjedhjet. “Pse merreni me sistemin zgjedhor? Merruni me garanci të tjera në Kodin Zgjedhor, që do të garantonin zgjedhje të ligjshme dhe të ndershme”, mësohet t’i jetë drejtuar Ngjela kreut të Demokracisë Socialiste, Paskal Milo, i cili vazhdimisht, në të gjitha deklaratat e tij, e ka cilësuar si kërkesën bazë të një reforme që do të garantonte të drejtën kushtetuese, votë të barabartë për të gjithë. Nga ana e tij, kreu i PDS-së, Milo, i mbështetur dhe nga socialdemokrati Gjinushi, ka kundërshtuar Ngjelën duke i thënë se ajo që ata kërkojnë është vetëm numërimi dhe vlerësimi i të gjitha votave të hedhura për partitë e tjera. “Ne kemi me mijëra vota, vota të cilat kthehen në mandate deputetësh për ne, por dhe për koalicionin opozitar. Kjo është fare e qartë dhe nuk e kuptoj pse nuk kuptohet si duhet”, mësohet t’i jetë përgjigjur Gjinushi Ngjelës në replikë e sipër. Ndërsa Milo ka qenë dhe më konkret në përgjigjen e tij ndaj Ngjelës. “Ne jemi parti me struktura të rregullta, me mijëra vota, dhe këto s’kemi pse të mos i vlerësojmë. Ne po kërkojmë vetëm të vlerësohet si duhet vota që na japin shqiptarët. Ne nuk po kërkojmë mandat për vete, por vlerësim të votave tona”, mësohet të jetë përgjigjur Milo. Debati mes Ngjelës dhe tre kryetarëve të partive që kanë kërkuar korrektim kombëtar është nxitur nga një ndërhyrje e sekretarit socialist për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, i cili është njëkohësisht dhe bashkëkryetar i Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore. Gjiknuri, duke shprehur njëfarë rezerve ndaj deklaratës së Milos bërë pak ditë më parë në gazetën “Panorama” përmes një interviste, se nëse nuk do të arrihet korrektimi i sistemit zgjedhor, tri partitë do të shikojnë mundësinë e grupimit bashkë me parti të tjera në një koalicion më vete. Milo, edhe një  herë dje mësohet të ketë kërkuar nga PS një qëndrim të vendosur përballë PD-së në këtë komision, për të mos lejuar asnjë zhvillim nëse nuk pranohet korrektimi kombëtar i sistemit. Milo ka kërkuar që përveç këtij qëndrimi të tri partive, edhe partitë aleate të PD-së të bëjnë presion që korrektimi të bëhet. Edhe gjatë takimit të djeshëm Gjiknuri ripërsëriti dakordësinë e Partisë Socialiste me partitë aleate për nevojën e korrektimit kombëtar të sistemit dhe për domosdoshmërinë e ndërtimit të një konsensusi të gjerë në lidhje me këtë çështje.

Krahasimi
Milo: Organizim i ri po s’u korrektua sistemi
Kreu i PDS-së tha dje pas takimit, se aleatët e PS janë duke menduar format më të mira të organizimit brenda së majtës për të arritur rezultatin më të mirë elektoral. “Ka pasur keqkuptime se nëse nuk do të ndryshojë sistemi, ne do të largohemi nga aleanca me Partinë Socialiste. Këtu nuk është fjala e veprimit tonë politik si forca që i takojmë spektrit të majtë dhe kampit opozitar. Ne, sigurisht, që në rastin që nuk do të ndryshojë sistemi do të përpiqemi të gjejmë format dhe mënyrat më të përshtatshme, më të mira që do të na interesojnë, me qëllim që të dalim të suksesshëm në sfidën e ardhshme elektorale. Ne i kemi dhënë shenjat tashmë që jemi duke menduar forma organizimi të partive të ndryshme politike të spektrit të majtë, me qëllim qe të maksimizojmë rezultatin tonë dhe në rastin nëse nuk do të ndryshojë ose nuk do të korrektohet sistemi aktual proporcional rajonal”, tha Milo.

Zogaj: Korrektimi, jo çështja kryesore
Koordinatori i Opozitës, Preç Zogaj, pas tryezës së thirrur nga Rama me aleatët, tha se korrektimi kombëtar i sistemit nuk është e vetmja temë që diskuton opozita për reformën. “Korrektimi proporcional është një kërkesë, por nuk mund të themi se e gjithë reforma përmblidhet në këtë pikë. Janë disa pika që ne i kemi bërë të njohura përgjatë komunikimeve që kemi pasur me shtypin. Dhe nuk mund të them se mosgjetja e gjuhës për këtë pikë çon në dështim reformën zgjedhore. Natyrisht që lë një pikëpyetje të madhe”, u shpreh Zogaj. Koordinatori i Opozitës së Bashkuar tha se kërkesa për korrektim të sistemit zgjedhor nuk mund të kthehet në një kusht për Komisionin e Reformës Zgjedhore, por shtoi se opozita kërkon që reforma të garantojë në radhë të parë një proces të ri zgjedhor, të besueshëm dhe transparent.

ARISTIR LUMEZI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura