Sindorela Toli, shqiptarja që sfidoi greket tek “Next Top Model Greece”

Feb 26, 2011 | 13:43
SHPËRNDAJE

Shqiptarja 17-vjeçare ka arritur të triumfojë mes dhjetra vajzave greke dhe në orën 02.00 të mëngjesit të së martës, pas një maratone që u transmetua drejtpërdrejt në televizionin kombëtar “Antenna”,  fitoi çmimin e madh. Finaliste të konkursit “Next Top Model” veç Sindorelës, ishin dhe vajzat greke, Joana, Elena dhe Evangjelia. Siç trasmetojnë portalet dhe mediat e ndryshme atje, Joana dhe Elena u skualifikuan në pjesën e parë të natës finale. Kurse për disa orë rresht, lufta ishte mes Sindorelës dhe Evangjelisë. Përzgjedhja e Sindorelës si fituese e “Next Top Model 2” u bë nga juria helene në bashkëpunim me menaxherin e përgjithshëm të konkursit me patentë botërore, mbërritur nga Milano. Pas shpalljes fituese, Sindi ka zbuluar edhe planet për të ardhmen: “Qëllimi im i parë tani, është të përfundoj gjimnazin. Për më tepër që kohët e fundit kam qenë shumë e zënë. Krahas studimeve që do të vazhdoj, nuk do të largohem nga bota e modës. Ajo që do të bëj, është të vazhdoj të jem modele”, ka thënë bukuroshja. Kurse gjatë prezantimit ka treguar dhe diçka nga fëmijëria e saj: “Kur isha e vogël, isha e zhytur në botën time. Ëndërroja dhe përjetoja si të isha një kukull barbie”. Kurse pak ditë para se të shpallej fituese, Sindi kishte dhënë një intervistë për revistën e famshme “People” e cila i kushtoi vend të veçantë. “Jam nga Shqipëria. Dhe pastaj, çfarë? Nuk mendoj se kjo është një gjë e keqe. Këtë mendim kanë të gjithë miqtë e mi, nxënësit ku bashkë mësojmë dhe fqinjët e mi në Kipseli ku banoj prej dy vitesh. Ju siguroj se nuk kam asnjë problem nga racizmi. Kurrë në jetën time nuk jam përballur me racizëm”, ka shtuar Sindi. Ndërkohë, gjatë përzgjedhjes, janë marrë parasysh fotografitë e vajzave në Paris, Stamboll, por edhe Fashion Shou i stilistit Kotendos gjatë të cilit Sindorela mbizotëroi. 17-vjeçarja nuk e fshehu asnjëherë prejardhjen e saj, duke na sjellë ndërmend vajza të tjera shqiptare që kanë arritur sukses në Greqi vetëm pasi e hiqnin veten si latine. Edhe pse duhet të ndiqte vitin e fundit të liceut, Sindorela mori pjesë në “Next Top Model 2” me lejen e prindërve të saj, pasi ishte ëndrra e saj e madhe të merrej me modeling. Lindur më 1993, 17-vjeçarja duket mjaft e matur dhe e pjekur dhe me ide të qarta për jetën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura