Si u lirua nga Apeli vrasësi i dy turistëve çekë. Gjykata: Mjacaj s’mori pjesë, viktimës i kërkuan drogë

Jul 8, 2015 | 6:55
SHPËRNDAJE

Për herë të parë Sokol Mjacaj është arrestuar nga Policia e Shkodrës me njoftim nga babai i tij në shtator 2010. Tre muaj më vonë, në dhjetor 2014, Prokuroria kërkoi dhjetë vjet burg në Gjykatën e Shkodrës, ndërsa Mjacaj, asokohe 15 vjeç, u dënua me masën e kërkuar nga organi i akuzës. Çështja shkoi në Gjykatën e Apelit të Shkodrës me ankim nga ana e të dënuarit.

Mjacaj pas arrestimit

Tolerimi i parë që drejtësia i bëri të miturit që akuzohej për vrasjen e një të riu dy vjet më të ri se vetja në Shkodër, ndodhi në datën 4 janar 2013. Në këtë datë, Gjykata e Apelit Shkodër, me trupë gjykuese të përbërë nga kryesues Musa Halili dhe anëtarë Fuat Vjerdha e Luan Dervishi, vendosi dënimin e Sokol Mjacajt me 4 vjet burg.

Ulja e gjashtë viteve burg në Apel në raport me dënimin me 10 vjet në Shkallën e parë, u bë pasi trupi gjykues rikualifikoi akuzën ndaj të riut nga pjesëmarrje në vrasje në “moskallëzim krimi”. Sokol Mjacaj e vuajti dënimin e dhënë ndaj tij me katër vjet burg nga Apeli i Shkodrës ndërsa u lirua pas kryerjes së dënimit.

Precedenti i tij i dytë me Policinë u regjistrua më datë 24 dhjetor 2014, kur Sokol Mjacaj u akuzua për një vjedhje. Prokuroria kërkoi dy vjet heqje lirie për të akuzuarin, i cili u dënua me 1.6 vjet burg. Për rrjedhojë, Sokol Mjacaj u mbajt në burg deri rreth një muaj më parë kur më pas u la i lirë me argumentin se përfundoi dënimin.

NDRYSHIMI I AKUZËS
Gjykata e Apelit të Shkodrës, e cila ka bërë ndryshimin e akuzës ndaj Sokol Mjacajt nga pjesëmarrje në vrasje në moskallëzim krimi, ka dhënë shpjegimin e saj në vendimin e janarit 2013.

“Nga analiza e fakteve del se Edmond Kodra ka telefonuar disa herë Sokol Mjacajn dhe kanë lënë takim në atë vend të fshehtë ku nuk lëvizin njerëz. Në takimin ku kanë qenë Edmond Kodra, B.Kodra, Sokol Mjacaj dhe viktima e vrasjes, ka pasur debate mes tyre, pasi i kanë kërkuar 13-vjeçarit që mbeti i vrarë t’u dërgonte lëndë narkotike. Më pas, B.Kodra dhe Edmond Kodra janë përleshur me viktimën, e kanë qëlluar atë dhe e kanë mbajtur nga zinxhiri që kishte në qafë derisa ai ka vdekur. Sokol Mjacaj ka marrë dy telefona të viktimës, të cilët i ka përdorur e fshehur pas ngjarjes, por më pas ka marrë kërcënime nga Besnik Kodra për të mos folur për ngjarjen. Në këto kushte, Sokol Mjacaj del se nuk ka bashkëpunuar në kryerjen e vrasjes”, theksohet në vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ndryshoi akuzën ndaj Sokol Mjacajt. 

KËRCËNIMET
Sipas Gjykatës së Apelit Shkodër, Sokol Mjacaj është kërcënuar të mos dëshmonte për vrasjen e fëmijës në vitin 2010. “Pas ngjarjes, Sokoli ka marrë e përdorur dy telefona, të cilët i ka pasur viktima e më pas i ka fshehur dhe i ka treguar, pasi kjo gjë i është kërkuar nga ana e organit të hetimit. Në një moment ai ka gjetur pas vrasjes së 13-vjeçarit shtetasin Besnik Kodra te babai i tij F.Mjacaj, i cili i ka shtrënguar dorën duke i bërë shenjë që ai e ka kuptuar presionin se po tregove çfarë ka ndodhur, të pret i njëjti fat”, shpjegon Gjykata e Apelit kërcënimin, që pretendohet se i është bërë vrasësit të turistëve çekë nga njëri prej autorëve të vrasjes së ndodhur në vitin 2010 ndaj fëmijës 13-vjeçar.

TRAZHGIM SOKOLAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura