Si i shpëtoi Ardian Çapja atentatit të dytë, autorët e ruanin në distancë. Ja ç’ndodhi

Dec 26, 2017 | 18:53
SHPËRNDAJE

Atentati ndaj Ardian Çapjes ka qenë i mirëorganizuar nga autorët që e qëlluan me kallashnikov, pasi e kanë mbajtur 49- vjeçarin në survejim prej disa ditësh. Por ata dështuan në planin për atentatin pasi u diktuan në kohë nga shënjestra, shkruan “Panorama”.

makina capja

Burime konfidenciale nga grupi hetimor në Policinë e Elbasanit, që po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të ndodhur të shtunën e kaluar, bëjnë të ditur se autorët e dinin me saktësi orën se kur Çapja dilte nga shtëpia.

Autorët, të cilët ende nuk janë identifikuar, për të shmangur çdo dyshim, kishin modifikuar automjetin e përdorur prej tyre në mënyrë identike me atë të një prej fqinjëve të fisit Çapja, duke përdorur dhe targa të falsifikuara me numra të njëjtë.

Pasi e kanë mbajtur nën vëzhgim për disa ditë, autorët kanë ndërhyrë në momentin kur Ardian Çapja po dilte nga banesa e tij. Ata kanë qëlluar nga një distancë e largët në momentin kur 49- vjeçari ka qenë pranë derës.

Ardian Çapja

Kur ka dëgjuar të shtënat, menjëherë ai është futur brenda duke u shpëtuar plumbave. Nga rindërtimi i ngjarjes, sipas grupit hetimor, Çapja i ka pikasur autorët dhe kjo ka bërë që këta të fundit të qëllojnë nga një distancë e largët. Ky është atentati i dytë që i bëhet Ardian Çapjes, pasi më parë është tentuar eliminimi i tij fizik përmes predhës, por që nuk arriti të shpërthente, ngjarje kjo e ndodhur më 6 gusht 2017.

Ndërkohë, Policia bën të ditur se po heton për zbulimin e pronarit të makinës së përdorur nga autorët, e cila u dogj jo shumë larg vendit të ngjarjes, në lagjen “5 Maji” në Elbasan. Nga ana tjetër, Policia ka identifikuar pronarin e automjetit tip “Benz”, që u gjet i djegur në lagjen “Kala” mëngjesin e së dielës dhe që fillimisht u dyshua se kishte lidhje me atentatin.

Agron dhe Arnold Çapja
Agron dhe Arnold Çapja

Nga hetimet, ka rezultuar se makina e djegur i përket një biznesmeni nga Tirana. Bëhet fjalë për Xh. Hoxhën, i cili e kishte denoncuar në Policinë e kryeqytetit. Vjedhja e makinës, në bazë të denoncimit të bërë nga Hoxha, ka ndodhur rreth një javë më parë në Tiranë.

Vetë Hoxha ka shkuar për të verifikuar nga afër nëse “Benz-i” i gjetur i djegur ishte i tij apo jo, duke konfirmuar se bëhej fjalë, pikërisht për automjetin e tij të vjedhur. Nga ana e saj, Policia po heton mbi mundësinë e përfshirjes së automjetit të vjedhur në Tiranë në atentatin e ndodhur ndaj familjes Çapja, ndërkohë që deri tani ende nuk ka asnjë indikacion.

Pavarësisht kësaj, Policia ka dyshime se makina mund të jetë vjedhur për t’u përdorur në ngjarje kriminale dhe për këtë arsye nuk përjashtohet pista që djegia e saj mund të jetë bërë edhe nga autorët e atentatit ndaj Ardian Çapjes.

Ende nuk ka asnjë pistë konkrete për atentatin ndaj familjes Çapja, por më kryesorja lidhet me konfliktet e vjetra të fisit. Më 3 shkurt 2016 u vranë tre pjesëtarë të kësaj familjeje, kurse Florenc Çapja i shpëtoi një atentati të ndodhur në qershor 2016, ku mbeti i plagosur shoku i tij, Bledar Muça, me të cilin po udhëtonte në një makinë. Ndër vite, familja Çapja është akuzuar si e përfshirë në ngjarje kriminale, por edhe ka qenë pre e tyre.

Gjithçka ka nisur në vitin 2005, ku Sokol Çapja u përfshi në konflikt me ish-kreun e Qarkullimit Rrugor në Elbasan, Fadil Mema. Pas kësaj ngjarjeje mbeti i vrarë Sokol Çapja dhe si autorë u akuzuan nipat e oficerit të Policisë. Kjo pasoi me vrasjen e kunatit të Memës, Ardian Ibrahimi, në maj 2006.

Në vitin 2012, Gentian Beqiri, një nga të akuzuarit për vrasjen e Sokol Çapjes, u ekzekutua, ndërsa ishte lënë në arrest shtëpie. Ndërsa në mars 2015, në Torino të Italisë, u ekzekutua Fadil Mema.

Më pas, në shkurt 2016, mbetën të vrarë Agron Çapja, nipi i tij Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli, ndërsa mes tetë të plagosurve ishte dhe Florenc Çapja. Ndërsa në qershor 2016, Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça u arrestuan për sulm ndaj disa efektivëve civilë të Policisë pasi dyshonin se do të kryenin atentat ndaj tyre.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura