Shtyhet për në vjeshtë reforma në universitete

May 31, 2014 | 12:47
SHPËRNDAJE

Gjate nje mbledhje te Qeverise
Qeveria, e më pas Parlamenti, nuk do ta miratojnë këtë sesion ligjin e ri për arsimin e lartë. Reforma e universiteteve do të shtyhet të paktën deri në vjeshtë.
Lajmin e dha dje kreu i qeverisë dhe iniciatori i kësaj reforme. Rama nënvizoi se zgjatja e afateve do të shërbejë për mbledhjen e më shumë kontributeve. Në të vërtetë, që pas botimit të draftit të parë, shumica e departamenteve dhe dje edhe Senati i Universitetit të Tiranës, kishin shumë rezerva. Reforma, e cila pritet të ndryshojë thelbin dhe mënyrën e funksionit të universiteteve private dhe publike, mori disa kritika të forta si përsa i përket mënyrës së financimit, ashtu edhe pavarësisë. Sidoqoftë, në parim, edhe pse me rezerva, shumica dërrmuese e akademikëve shqiptarë ishin dakord për nevojën e një reforme.
Para se të jepte lajmin, Rama theksoi se kishte pasur një bisedë me rektorin e Universitetit. Një ditë më parë ishte Senati ai që kërkoi përfshirjen e më shumë aktorëve për realizimin e një drafti të saktë. “Kur erdha, shkëmbyem disa fjalë me rektorin e Universitetit lidhur me ligjin për arsimin e lartë. Edhe pse ne i kishim vendosur vetes një afat, që ky ligj t’i kalonte Parlamentit në këtë sesion, e pamë të udhës t’i japim vetes më shumë kohë, pikërisht sepse drafti ka ngjallur shumë interes dhe sepse ka ende shumë kontribute që mund të merren. Kështu që, gjithë periudhën e verës do ta shfrytëzojmë për të formësuar plotësisht një ligj, i cili nuk do të jetë thjesht një tekst, por një instrument i zbatueshëm nga ata për të cilët ai ligj bëhet nga njerëzit e sistemit”, theksoi Kryeministri.
Kreu i qeverisë nuk u mor me ankesat, por vazhdoi të lavdërojë fort hartuesit e draftit. “Po bëjmë një punë si asnjëherë tjetër për t’i përfshirë të gjithë në proces, për të përfshirë përfaqësuesit e atij që sot e gjithë ditën njihet si arsimi shtetëror, përfaqësues të atij që njihet si arsimi privat, ekspertë vendas e të huaj, profesorë shqiptarë që punojnë në universitete prestigjioze në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Pikërisht sepse duam që ligji i ri për arsimin e lartë të jetë jo vetëm një tekst modernizues, po të jetë baza e një procesi modernizimi dhe gjithëpërfshirës”, theksoi Kryeministri. Pas lavdërimit të hartuesve të draftit, duket se shtyrja në kohë e miratimit të tij nga qeveria, më shumë se sa me ndryshimin në thelb të ligjit, ka të bëjë me uljen e ndonjë tensioni shtesë gjatë kësaj periudhe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura