Shtyhet amnistia, Ahmetaj: Do përfitojnë dhe emigrantët

Feb 14, 2017 | 16:00
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ekonomisë miratoi dje shtyrjen e afatit deri më 31 maj të rivlerësimit të apartamenteve dhe pronës me ulje taksë deri 2 për qind.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, shpjegoi arsyet e vendimit të qeverisë për shtyrje të afatit me 3 muaj, nisur nga shtimi i aplikimeve dhe formalizimit të 1 miliard dollarëve pasuri të paluajtshme.

Arben Ahmetaj konference

“Deri më 31 janar kanë aplikuar për të rivlerësuar pronat e tyre 27 mijë qytetarë, të cilët do të përfitojnë një ulje të konsiderueshme takse, nga 15 për qind në 2 për qind. Fluksi është në rritje, ka 70 deri 80 kërkesa në ditë. Deri më sot është formalizuar dhe rivlerësuar një diferencë prej 1 miliard dollarësh pasuri e paluajtshme. E ardhura në buxhetin e shtetit është 1.6 miliardë lekë dhe në referencë të aplikimeve të bëra deri tani shkon 2.4 miliardë lekë, apo 20 milionë dollarë”, tha Ahmetaj.

Ministri i Financave shpjegoi se nga ulja e taksës qytetarët që kanë aplikuar, kursyen 156 milionë dollarë.

“Vlera e taksës së diferencuar që shkon 156 milionë dollarë tregon sa i vlefshëm ka qenë ky proces për qytetarët. Pra, qytetarët kanë përfituar një formalizim me vlerë gati 1 miliard dollarë dhe kanë kursyer 156 milionë dollarë”, shpjegoi Ahmetaj. Nga shtyrja e afatit do të përfitojnë jo vetëm emigrantët, por edhe 30 mijë pallatet pa hipotekë, që përfituan legalizim nga vendimi i qeverisë.

“Ka filluar në shtator, i parashikuar të mbyllej në fund të muajit shkurt, tani e shtymë me 3 muaj edhe për një arsye, pasi një pjesë e emigrantëve i kanë bërë aplikimet gjatë muajve janar dhe shkurt, për shkak të lëvizjeve dhe ardhjeve në Shqipëri për festat.

Duke iu referuar ndryshimeve të fundit që kemi bërë, me një kuadër familjesh të cilat kanë nevojë, janë rreth 30 mijë apartamente që kanë nevojë të formalizohen nëpërmjet legalizimit dhe me ndryshimet që kemi bërë para një muaji në Këshillin e Ministrave u kemi dhënë mundësi këtyre familjeve të kalojnë në proces legalizimi.

Këto familje e kanë pasur të pamundur të kryejnë legalizimin, për shkak të mungesës së një marrëdhënieje midis ndërtuesit dhe qytetarëve, dhe me atë ndryshim ligjor që bëmë këto 30 mijë familje kanë mundësi të legalizohen e të përfitojnë nga rivlerësimi.

Këtë proces unë do ta quaja një reformë shumë të suksesshme, një formalizim shumë i madh prej 1 miliard dollarësh, kursim për qytetarët prej 156 milionë dollarësh, një fluks aplikimesh në rritje dhe një mundësi për 30 mijë familjet na bënë që të kërkojmë shtyrjen e afatit të ligjit deri më 31 maj”, tha Ahmetaj.

Nisur nga rezultatet pozitive në rritjen e të ardhurave, deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, kërkoi që ky instrument lehtësues të përdoret edhe te tatimfitimi. Ahmetaj u përgjigj se ulja e taksës ka të bëjë vetëm me rivlerësimin. Ky është regjim specifik, që ka të bëjë me rivlerë- simin dhe jo me tatimet e tjera.

Në logjikë me rivlerësimin po ofrojmë një paketë për fshirjen e detyrimeve para vitit 2010 dhe mundësie për pagimin e principalit, faljen e gjobave dhe interesave pas 2011. Ndërsa regjimi tatimor fiskal ka logjikë tjetër dhe nuk mund të jetë me regjime të përkohshme”, u shpreh ministri Ahmetaj.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura