Shtesa e një objekti në Kombinat përplas 3 polici

Aug 31, 2013 | 12:55
SHPËRNDAJE

Konflikti i djeshëm në Kombinat
TIRANE – Ekzekutimi i një vendimi gjykate, që parashikon rinisjen e ndërtimit në një objekt të bllokuar prej kohësh me arsyetimin që ishte pa leje, ka përplasur dje 3 polici. Incidenti që solli përballjen e Policisë së Rendit, atë Bashkiake dhe private ndodhi pranë zonës së Kombinatit, te “Misto Mame”. Kreu i Inspektoratit Ndërtimor, Florenc Hoxha, deklaroi se ky objekt duhet prishur pasi është pa leje. Por, nga ana tjetër, Policia e Rendit mori në mbrojtje ndërtesën e përcaktuar për prishje, duke pretenduar se po zbaton një vendim gjykate që i jep të drejtë pronarit Besnik Canaj të kthente objektin në gjendje të mëparshme. Sipas Policisë dhe përmbaruesve privatë, ka një vendim gjykate për mosprishjen e objektit dhe ai duhet respektuar. Hoxha, ndër të tjera, është shprehur se ka bërë një kallëzim penal për ndërtuesin dhe përmbaruesin privat. Denoncimi i Hoxhës është bërë në Komisariatin Nr. 6 për pengim të ushtrimit të detyrës dhe ushtrim dhune ndaj inspektorëve. Nga ana tjetër, edhe pronarët e ndërtesës pretendojnë të jenë dhunuar nga forcat e Inspektoratit Ndërtimor gjatë tentativës së tyre për të prishur këtë objekt. “Objekti nuk ka leje duke u nisur që nga kati i parë. Policia na pengon të kryejmë detyrën. Ndërtimi i tij po tentohet në mënyrë të paligjshme”, ka deklaruar dje Florenc Hoxha. Nga ana tjetër, ndërtuesi shprehet: “Gjykata na jep të drejtë për të vazhduar punimet, objekti i ka të gjitha dokumentet”. Burime nga Policia e Tiranës thanë se konflikti pranë ndërtesës që është bërë objekt përplasjeje ka zgjatur shumë, aq sa ka pasur edhe ushtrim dhune. Nga ana tjetër, veç kallëzimit që Florenc Hoxha ka bërë në Polici, edhe një përmbarues privat, Lefter Canaj, që është vëllai i ndërtuesit që po kryen punime në godinë, ka bërë denoncim ndaj përfaqësuesve të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik dhe Policisë Bashkiake. Canaj ka marrë disa plagë në fytyrë, pasi është goditur gjatë incidentit te “Misto Mame” dhe është shtruar për të marrë mjekim në urgjencën e Spitalit Ushtarak. Ndërsa në lidhje me përplasjen, Policia tha se ka shoqëruar 6 persona, 5 inspektorë të Bashkisë dhe një përmbarues privat. Më pas është vendosur që të pezullohen punimet, për të mos u shkaktuar incidente të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura