Shtangistja Sherjana Ruçi Një femër që të ngre peshë…

Apr 30, 2012 | 14:44
SHPËRNDAJE
Foto: Vlasov Sulaj

Një karrierë sportive e nisur herët, qysh në moshën nëntëvjeçare, për të mbërritur në stadin e niveleve sportive për të rritur. Nga trofetë vlerësues si boksiere e talentuar, së fundmi tek performanca europiane në turneun e zhvilluar në Antalja të Turqisë për femrat shtangiste nga e gjithë bota. Nga përtej detit, Sherjana Ruçi u kthye me rezultat të lartë, 20 pikë olimpike dhe vetëm një hap larg kampiones së Europës.

Ndonëse kanë kaluar vite, ajo ende i kujton me ëndje vitet djaloshare të fëmijërisë. Më shumë e afrueshme me seksin e kundërt, ajo gjente tek vetja shumë pasione të ngjashme me djemtë, siç ishin futbolli apo loja e preferuar e shënjimit me llastiqe. U rrit me këtë frymë prej djali çapkën dhe natyrshëm dhuntitë sportive iu kthyen në profesion. Thotë se fare mirë mund të kishte zgjedhur një profil më elegant, të qëndronte në majë të takave, çka për të do të thoshte një juriste apo ekonomiste më shumë në kryeqytet. Bëri të kundërtën! Fillimisht zgjodhi dorezat e boksit, teksa paralelisht stërvitej edhe në shtangë. Sot 20- vjeçarja është pjesë e kategorisë së femrave sportiste të talentuara, të vlerësuara me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Nga gjuajtjet me llastiqe, te rrahja e djemve në gjimnaz
E qethur tullace, me llastiqet e varura në qafë, topin e futbollit në dorë dhe në “skuadrën” e djemve të lagjes… E lehtë ta dalloje mes bashkëmoshataresh… dhe nuk ishte aspak e çuditshme që Sherjana Ruçi të ecte në të njëjtën rrugë që vëllai i madh i saj zgjodhi: shtangën. “Zgjedhja e sportit nuk ka qenë vetëm për shkak të aftësive personale, por edhe një ndikim familjar. Si unë edhe vëllai jemi sportistë të së njëjtës disiplinë si shtanga, e kjo gjë më jep kënaqësi. Zgjodha një zhanër ndryshe, sepse gjithnjë më ka tërhequr e veçanta. Një vajzë që vjen nga rruga nuk mund të bëjë këtë që jam e aftë të bëj unë. Duhet shumë forcë fizike, e përqendruar në muskuj, duhet nerv dhe përqendrim, dhe më pas çdo ngarkesë emocionale apo fizike mund ta shkarkoj në shtangë apo në grushtimet e boksit”, thotë ajo. Stërvitja e përditshme dhe përfshirja në sport, jo vetëm që e kanë aftësuar, por e kanë forcuar fizikisht. “Jam e gatshme të sfidoj edhe meshkujt në këtë drejtim”, pohon Sherjana, e cila nuk e harron rrahjen spektakolare të një djali në gjimnazin ku ajo studionte, “Eqrem Çabej”. “Në shkollë të mesme më ngacmonin shumë djem, shpesh edhe me fjalor jo të përshtatshëm, sepse të gjithë e dinin që isha shtangiste. Një ditë, një djalë u tregua më i drejtpërdrejtë seç duhet, duke më provokuar keq. I bëra një të rrahur të mirë, sa më dhembnin edhe duart. Prej asaj dite, asnjëri nuk guxoi të më afrohej në shkollë”. Të qenët sportiste kishte benefitet e veta.
Pas dorezave të\ boksit, zgjedh shtangën
Dashuria e parë për të mbetet boksi, por për nga rrezikshmëria që kjo disiplinë paraqiste, vendosi të heqë dorë. Goditja nuk të fal. Jo pak herë Sherjana është shembur në tokë pasi ka humbur ndjenjat nga goditja e beftë e kundërshtarit. “Në boks nuk ka shumë femra që e praktikojnë si sport, pikërisht për shkak të vështirësive që mbart. Aktualisht është vetëm një. Mbeten shenja në fytyrë, dëmtime në trup dhe për një femër, pasoja të kësaj natyre janë disi të papranueshme. Një herë një koleg i imi më qëlloi me dorezat e boksit mbrapa veshit dhe unë rashë përtokë. Ishte kjo arsyeja pse hoqa dorë nga boksi, duke zgjedhur shtangën”, thotë Ruçi. Ndonëse paralelisht ajo është stërvitur në të dyja zhanret, të qenët shtangiste i ka dhënë shtysë për të matur forcën fizike, peshë pas peshe, duke arritur në maksimalen për të, që ka qenë ajo e 63 kilogramëve.
Pas turneut në Turqi, kthim me 20 pikë olimpike
“Para disa ditësh jam kthyer nga një turne europian që u zhvillua në Antalja të Turqisë, për femrat shtangiste nga e gjithë bota. Pasi u stërvita për dy javë në Bullgari, gjatë sfidës sime pata një performancë të kënaqshme. Isha e vetmja shqiptare që bëra gjashtë prova të sakta në peshën 63 kilogramë. Kështu, mora 20 pikë olimpike, nga 23 të tilla që mori kampionia Romela Begaj, duke u renditur e dyta në garë”, cilëson Sherjana. Dhe ky nuk është çmimi i parë në karrierën e saj sportive. Para dy vitesh në një garë të zhvilluar në Turqi, ajo u vlerësua me vendin e tretë në Evropë si shtangiste femër. Në Rumani, ajo gjithashtu ka dalë në pesëshen e femrave më të mira shtangiste në Evropë. Ndërsa në Beograd në një miqësore të zhvilluar atje përpara tri vitesh, Sherjana Ruçi u vlerësua me medalje ari. Kjo sa i përket arenës ndërkombëtare, teksa kupat dhe medaljet e marra këtu në Shqipëri janë aq të shumta, sa e ka të vështirë t’i rendisë apo t’i numërojë sfidë pas sfide.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura