Shqiptarët hapin tunel në qeli, dështon arratisja

Aug 31, 2011 | 11:51
SHPËRNDAJE
Qelia ku ishte hapur tuneli në burgun e Koridhalos në Greqi

Dy të burgosur shqiptarë dhe një grek kanë tentuar të arratisen nga një prej burgjeve më të mëdhenj në Greqi, duke hapur një tunel 10 metra, megjithatë, plani dështoi në çastet e fundit.Tentativa për arratisje mori fund mëngjesin e djeshëm, pasi gjatë një inspektimi në burgun e Koridhalosë u zbulua edhe tuneli i hapur nga qelia e dy shqiptarëve. Hyrja e tunelit ndodhej poshtë krevatit të njërit prej të dënuarve dhe dalja planifikohej të arrinte në një nga dyqanet e zonës. Agjencia e lajmeve greke, “Athens News”, shkruante dje për tentativën e arratisjes, në të njëjtin burg nga ku u arratis Alket Rizai në vitin 2009. Dy shqiptarët që qëndronin në qeli, me akuzën e vjedhjes dhe greku i dënuar për vrasje, kishin arritur të gërmonin me dalta dhe çekiçë dyshemenë, në një thellësi prej 10 metrash dhe diametër 80 centimetra. Sipas agjencisë greke, plani i arratisjes, që me sa duket ishte studiuar prej kohësh nga të dënuarit, ishte që tuneli t’i nxirrte nga qelia, në një vend që nga zona njihet si Koridhalo e më pas drejt lirisë. Mësohet se gjatë kontrollit të kryer në qelinë e të burgosurve janë gjetur telefona celularë, rreth 5 metra litar, vare, një kabëll, dy kova, një çekiç dhe një daltë. Autoritetet e burgut të Koridhalosë, një prej më të mëdhenjve në Greqi, kanë nisur menjëherë hetimet për të zbuluar mënyrën se si mjete të tilla të ndaluara janë futur në burgun e sigurisë së lartë. Dy shqiptarët dhe shtetasi grek, që tashmë akuzohen edhe për tentativë arratisjeje nga burgu, u transportuan nën masa të rrepta sigurie drejt Prokurorisë, për t’u marrë në pyetje rreth planit të tyre të arratisë, si dhe për personat që i kanë ndihmuar me mjetet e “punës”. Ndërsa veprimi i të burgosurve, por edhe arratisje të tjera që kanë ndodhur në këtë burg, apo tentativa, janë justifikuar nga drejtuesit e institucionit si pamundësi e stafit për të mbajtur nën kontroll gjithë burgun. Sipas tyre, burgu ka përmasa të mëdha dhe mban një numër të konsiderueshëm të dënuarish dhe nga ana tjetër ka mangësi në staf, gjë që e bën punën e gardianëve jo vetëm të vështirë, por edhe të rrezikshme. Ministria e Drejtësisë në Greqi urdhëroi një hetim administrativ lidhur me tentativën për arratisje të tre të burgosurve në burgun e Koridhalosë, pas zbulimit të tunelit në qelinë që ndodhet në krahun “C” të këtij burgu. Burgu i Koridhalosë është bërë i njohur rreth 3 vite më parë me arratisjen e Alket Rizait me helikopter, por edhe për disa arratisje të tjera, të kryera nga shqiptarë dhe grekë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura