Shqipëria U-19 shkatërron 5-0 moshatarët e Greqisë

Feb 28, 2014 | 12:31
SHPËRNDAJE

Dopietë e Krasniqit, shënojnë edhe Mici, Lamçja e Ruci

Shqipëria U-19 ka fituar bindshëm ndeshjen e fundit në grup në turneun “Caput Mundi” që po zhvillohet në Romë, duke mundur Greqinë me rezultatin 5-0. Shqipëria e drejtuar nga trajneri Foto Strakosha ka luajtur me Elezajn, Likën, Kariqin, Rucin Çollakun, Abrazhdën, Xhaferrin, Tahirajn, Çekiçin, Krasniqin dhe Dyrmishajn, një formacion ky që “ka shkelur” homologët helenë, falë dopietës së sulmuesit të ri të Besës së Kavajës, Krasniqi dhe golave të Rucit, Micit dhe Lamçajt. Këta dy të fundit u futën në lojë në pjesën e dytë të takimit. Në dy ndeshjet e para kuqezinjtë humbën 1-2 me CR Lacio (për Shqipërinë shënoi Krasniqi), teksa fitoi 2-0 takimin e parë ndaj Rumanisë, falë golave të Aliut dhe Çekiçit. Shqipëria e mbylli turneun me 6 pikë të grumbulluara pa mundur që të shkojë në finalen e 1 marsit. Në këtë turne morën pjesë kombëtaret e moshave të Italisë (diletantët), Anglisë, San Marinos, Greqisë, Rumanisë dhe një skuadër e moshave të krahinës së Lacios. Ky turne i vlejti trajnerit Strakosha për të parë elementët e rinj, me të cilët do të përballojë kualifikimet për Europianin e 2015-s. Shqipëria është në Grupin e 7-të me Danimarkën, Portugalinë dhe Uellsin. Ndeshjet do të luhen në Portugali nga data 12 deri më 17 nëntor të këtij viti dhe kualifikohen për në “Elite Round” dy skuadrat e para.

Rezultatet
Greqi-CR Lacio        0-3
Shqipëri-Rumani    2-0
CR Lacio-Shqipëri    2-1
Rumani-Greqi        2-0
Shqipëri-Greqi        5-0
CR Lacio-Rumani    0-0

Renditja:
CR Lacio         7 pikë
Shqipëri         6
Rumania         4
Greqia         0 pikë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura