Shqipëria në dialogun e superfuqive në maj 1972

Aug 31, 2011 | 10:48
SHPËRNDAJE

NAIM MANDRI

Takimi i Riçard Niksonit me Leonid Brezhnjevin më 24-29 maj 1972, mund të konsiderohet, pa dyshim, si fillimi i fundit të Luftës së Ftohtë. Ishte koha kur mendjet e kthjelluara të liderëve botërorë, aktorëve që orkestronin ndryshimet e mëdha të së ardhmes së globit, po ndryshonin kursin e botës në sensin pozitiv të bashkëpunimit paqësor dhe hapësinor të kufizimit të garës së armatimeve, me ulje tonesh, reduktime dhe kufizime buxhetesh për prodhime armësh. A thua se ky mesazh iu erdhi nga hëna, pas shkeljes së parë të Armstrongut apo nga Juri Gagarin, kozmonauti i parë rus. Supremacia e armatimeve po zëvendësohej me supremacinë e negociatave të diplomatëve të shquar dhe vizionarëve të arkitektëve të botës së paqes, të ndryshimeve të mëdha drejt një détente, që do të arrinte kulmin me shembjen e Murit të Berlinit.
Pa dyshim, ishte takimi historik që u mundësua nga një lëvizje e mençur diplomatike e Henri Kisingerit, ish-këshilltar i Presidentit për çështjet e brendshme dhe ish-sekretar i Shtetit. Siç deklaronin bashkëpunëtorët e tij, vetëm një amerikan i lindur europian mund të kishte sukses të tillë në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke uzurpuar dhe nxjerrë jashtë loje në mënyrë të paprecedentë edhe ish-sekretarin e Shtetit, Roxhers (Kisingeri kishte lindur në Gjermani dhe në vitin 1938 emigroi në SHBA). “Prioriteti im më i madh në politikën e jashtme është ndërtimi i strukturës së marrëdhënieve ndërkombëtare të tilla në mënyrë që të ketë më shumë stabilitet dhe një paqe më të qëndrueshme në botë”, shprehet Niksoni. Por, po të krahasohen përpjekjet e jashtëzakonshme dhe investimet e tij për paqe në botë, do të konkludohej se arritja e paqes ishte shumë më e vështirë se hyrja në luftë.
Por, a mund të mendohet se në takimin e shekullit të dy liderëve kryesorë të globit, është diskutuar edhe për Shqipërinë? Cili ishte qëllimi i takimit dhe përse Brezhnjevi përmend Shqipërinë në këtë takim? Çfarë gatuante Diplomacia shqiptare e kohës? A kishin ata akses tek informacionet e këtyre niveleve, dy superfuqive të shpallura armike të betuara të popullit shqiptar? A i shqetësonte realisht ky takim si lëvizje që mund të kishte impakt në situatën e brendshme të vendit apo të marrëdhënieve të cunguara të shtetit më të izoluar në botë?
Me siguri, takimi i shekullit XX ka qenë një shqetësim, por dhe një inkurajim për marrëdhëniet e mëtejshme të Shqipërisë me Kinën, pas zhgënjimit të disa muajve më parë: takimi i Niksonit me Mao Ce Dunin më 21 shkurt 1972 i kishte vënë në pozita të paparashikuara diplomatët shqiptarë. Në këtë takim, Mao Ce Duni i kishte deklaruar Niksonit: “… Kam votuar për ju në zgjedhjet e fundit”. Niksoni përgjigjet: “Ju votuat për armikun më të vogël”. Mao vazhdon: “Unë i dua të djathtët”. Në Amerikë, “të paktën në atë kohë, të djathtët mund të bënin atë për të cilën të majtët vetëm mund të flisnin”, i ishte përgjigjur Niksoni.
Aleati aziatik po devijonte linjën, po bashkëpunonte me “xhandarin ndërkombëtar”. Nga ana tjetër, mesazhi duhet të jetë përcjellë ndryshe nga intelektualët e kohës në Shqipëri, pasi miqësia shqiptaro-ruse kishte baza europiane dhe perceptohej si miqësi e natyrshme, (European fashion), ndryshe nga miqësia me aziatikët, e cila mbeti e akullt, pavarësisht nga propaganda e shfrenuar e kohës pro kineze.
Por asgjë nuk ndodh rastësisht: qëllimi justifikon mjetin. Ish-presidenti Nikson, në kuadrin e përgatitjeve për një mandat të dytë presidencial, në tentativat e përfundimit “me nder” të luftës në Vietnam, ishte bindur se as rritja e numrit të ushtarëve amerikanë dhe as bombardimet e panumërta me B-52 nuk do ta mposhtnin surrogatin komunist; rruga e paqes me Vietnamin do të kalonte nga Pekini dhe Moska. Dhe presidenti republikan, i cili i përkiste linjës së rreptë të djathtë amerikane, do të realizonte atë që asnjë nga paraardhësit e tij nuk e kishte menduar: do të bëhej iniciatori i negociatave të paqes dhe bashkëpunimit me Lindjen komuniste, me bindjen se asgjë nuk humbet nga këto takime.
Lëvizjet dhe diplomacia intensive amerikane e kohës, me dirigjent Henri Kisingerin, takimet e fshehta dhe publike të tij me krerët e Lindjes në Europë dhe Azi, marrëdhëniet origjinale të tij me ambasadorët do të jepnin rezultatet e shumëpritura: ndërsa për superfuqitë do të startonte rruga e çtensionimit të marrëdhënieve Lindje-Perëndim (détente), Shqipëria do të niste rrugën e saj të vetizolimit të plotë, duke humbur mikun aziatik; (më 03.07.1977 ndërpritet çdo ndihmë ekonomike nga Republika Popullore e Kinës). Diplomacia e indoktrinuar shqiptare do të xhelozonte frymën e re të marrëdhënieve kino-amerikane. Ndërsa në Kinë do të ishte një lider inteligjent si Çu En Lai, i cili, përtej barrierave politike, do ta vlerësonte me optimizëm kthesën e marrëdhënieve të reja me SHBA-të, në Shqipëri nuk do të guxonte askush të shprehej ndryshe nga ç’mund të mendonte “sovrani”. Ndoshta ata e dinin se po përgatitej goditja e radhës (në fakt, skenari i goditjeve në fushën e arsim-kulturës në vitin 1973 dhe në Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 1974 duhet të ketë iniciuar pikërisht atëherë dhe secili do të donte të shpëtonte kokën). Gjithmonë do të gjendeshin kokat e turkut për të justifikuar një ndryshim të madh; do të kishte pushkatime për jugosllavët, për rusët dhe tani po përgatitej skenari i prishjes së marrëdhënieve me Kinën.
Do të ishte Leonid Brezhnjev ai që në takimin e shekullit do të shprehej pikërisht kështu për Shqipërinë:
“24 maj 1972: Brezhnjevi: “Kombet e vogla nuk pranojnë që fatet e tyre të vendosen nga më të mëdhenjtë”.
Pastaj ai e zbuti vërejtjen e tij duke deklaruar se “nuk duam të zemërojmë Shqipërinë”. Kur e qeshura mbaroi, Gromiko u shpreh me sarkazëm: “Ky është një qëllim shumë fisnik”. (Ekstrakt nga libri “Nixon and Kissinger, Partners in Power”, nga Robert Dallek, botim i 2007-s, 740 faqe).
Për realitetin e kohës, po të merret në konsideratë rëndësia e këtij takimi historik, një dekadë pas pikës kulmore të acarimit të marrëdhënieve ruso-amerikane të krizës së raketave në Kubë, shprehja e liderit komunist, ironia dhe sarkazma e tij lidhur me vendin tonë ka një domethënie të madhe. Hipoteza e marrjes së avantazheve pas ftohjes së marrëdhënieve të Shqipërisë edhe me Kinën, duhet ta ketë bindur Brezhnjevin të përdorë emrin e vendit tonë si referencë për kombet e vogla; pa dyshim, vetëm për fisnikëri (siç e mbështet Brezhnjevin ish-ministri i Jashtëm, Gromiko) në këtë rast nuk bëhet fjalë.
Por, heshtja e palës amerikane lidhur me këtë ironi dhe sarkazëm të liderëve rusë ndaj vendit tonë mbetet një dëshmi e kohës lidhur me vlerat dhe parimet e demokracisë amerikane; Brezhnjevi ka marrë mbrapsht një dizaprovim të opinionit të tij nga interlokutori; me këto shprehje, pala ruse ka dashur gjithashtu të konfirmojë Brezhnjevin si “President i europianëve” (vetë Brezhnjevi referohej në mënyrë të përsëritur si i tillë gjatë takimit me Niksonin), por pa ia arritur qëllimit. Edhe njëherë, në këtë takim, u konfirmua vizioni i diplomatit të shquar amerikan, George F. Kennan, arkitekti i Luftës së Ftohtë, i cili, me “telegramin e gjatë” që dërgoi nga Moska në 1946-n dhe më vonë me artikullin “Burimet e qëndrimeve sovjetike”, argumentoi për herë të parë natyrën ekspansioniste të regjimit sovjetik dhe se influenca e tij duhet të kontrollohet në zonat me rendësi vitale dhe strategjike për SHBA-të. Pas 25 vjetësh, Niksoni, me kurajë të vaçantë ishte përballë pasuesve të Stalinit të tmerrshëm, të liderit që nuk jetonte dot pa një botë armiqësore, e cila i legjitimonte dhunën, për t’i treguar botës se arsyeja është mbi mendjet e sëmura, duke dhënë shembullin tipik të politikanit që vihet tërësisht në shërbim të kombit, dhe jo të kombit në shërbim të politikanëve, siç kishte ndodhur në ish-BRSS dhe në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura