Shqipëria, miqësore me bjellorusët në Turqi

Oct 31, 2013 | 14:09
SHPËRNDAJE

Shqipëria do të luajë një miqësore më 15 nëntor ndaj Bjellorusisë. Lajmi bëhet i ditur nga Federata Shqiptare e Futbollit, sipas së cilës takimi do të luhet në Antalia të Turqisë. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe në sajtin zyrtar të Federatës bjelloruse. Madje kjo kombëtare do të luajë jo vetëm më 15 nëntor, por edhe më 19, në fillim ndaj Shqipërisë dhe me pas ndaj Turqisë. Miqësorja mes bjellorusëve dhe kuqezinjve tanë do të zhvillohet në Belek, në kompleksin sportiv “Bellis Sport Center” dhe do të fillojë në 17:00, me orën tonë lokale. Duke qenë se më 15 dhe 19 nëntor do të luhen ndeshjet “play-off” për kualifikimet në Botërorin 2014 për zonën e Europës dhe ndeshje të tjera kualifikuese në kontinentet e tjera, FIFA u ka dhënë të drejtë edhe shteteve të tjera që nuk janë të impenjuara në ndeshje zyrtare, që të mund të zhvillojnë takime miqësore. Kujtojmë që ndaj Bjellorusisë Shqipëria ka zhvilluar gjithsej katër takime, që të gjitha kualifikuese, duke pasur një bilanc prej dy humbjesh, një barazimi dhe një fitoreje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura