Shqipëria do të bashkpunojë me Serbinë, revoltohen Tifozat Kuq e Zi: Fqinjë kemi boll, nuk kemi pse kapërcejmë Kosovën

May 10, 2024 | 16:29
SHPËRNDAJE

Në lidhje me lajmin e FSHF-së për kandidaturën e përbashkët me Serbinë për Europianin e U-21, ka reaguar edhe grupimi Tifozat Kuq e Zi: “Lajmet për organizimin e Kampionatit Europian të Shpresave (U-21) 2027 nga Serbia kanë qarkulluar që në fillim të marsit 2024. Në këto lajme, njoftohet se Serbia aplikon e vetme për të organizuar këtë Europian. Në të njëjtat raportime te lajmit shkruhet se Serbisë “mund t’i kërkohet nga UEFA që ta organizojë kampionatin së bashku me Shqipërinë”.

TKZ

Serbia, përveç krimeve dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve është dënuar në disa raste nga UEFA për tifozët e saj racistë e të dhunshëm deri në vrasje. Sa për marrëdhëniet e drejtpërdrejta sportive të Shqipërisë me Serbinë pamjet, thirrjet, kriminale për therjen dhe vrasjen e shqiptarëve, goditjet ndaj lojtarëve tanë në 14 tetor 2014, dhe terrori ndaj delegacionit nuk besojmë se janë harruar. Njëlloj vazhdon përhapja e parullave të ngjashme nga tifozët serbë në ndeshje ku nuk janë aspak të përfshirë skuadrat shqiptare. Për asnjë nga këto nuk është kërkuar falje, përkundrazi kanë luftuar edhe “sportivisht” kundër nesh deri në shkallët më të larta gjyqësore sportive. Duke qenë se shpesh dhe me të drejtë sporti përdoret për të promovuar paqe, bashkëpunim, mirëkuptim dhe shpresë do të duhej fallciteti, fasada, propaganda dhe në rastin më të mirë PR-i të organizohej dhe t’i “shiteshin” publikut pak më profesionalisht.

Kështu që mirë do të ishte që FSHF-ja të tregojë nëse paraprakisht ka kërkuar të organizojë U-21 Euro 2027 së bashku me Maqedoninë e Veriut, apo me Malin e Zi? Për sa kohë nuk përmbushim kërkesat teknike të mos shesim fytyrën dhe interesat etnike. Fqinjë kemi boll, s’kemi pse kapërcejmë Kosovën për t’i dhënë ndihmë Serbisë”, shkruhet në reagimin e Tifozave Kuq e Zi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura