Shqipëri-BE, KE: 10 konkluzionet e dialogut

Sep 29, 2014 | 20:58
SHPËRNDAJE

TIRANE- Inkurajimi i Shqiperise per vijimin e reforma ne rrugen drejt integrimit dhe dialogu opozite-shumice ne Kuvend jane dy nga pikat e rendesishme te konkluzioneve te raundit te katert te Dialogut te Nivelit te larte Shqiperi-BE, mbajtur sot ne Tirane ne prani te Komisionerit per Zgjerim, Stefan Fyle. KE ka publikuar listen me 10 konkluzionet e ketij raundi, ku theksohet bashkepunim mes paleve, qeverisë dhe opozitës për të ndërmarrë hapa për të rivendosur dialogun politik në parlament.

 Konkluzionet 

1) Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri Štefan Füle kryesuan takimin e katërt të Dialogut të Nivelit të Lartë mbi prioritetet kryesore midis Shqipërisë dhe vendeve të BE më 29 shtator 2014. Seanca plenare përfshiu pjesëmarrjen e Ministrave të Qeverisë, si dhe të opozitës, përmes kryetarit të Komisionit parlamentar për Integrimin Evropian. 

2) Takimi u zhvillua pasi Këshilli Europian në qershor, i dha Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Të dyja palët kanë mirëpritur këtë vendim historik. Ata vunë në dukje se kjo i dërgon marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE në një nivel të ri më të avancuar Statusi i kandidatit nënkupton përgjegjësi të reja më të larta në kuadër të reformave për Shqipërinë. BE e ka bërë të qartë se çfarë është e nevojshme që Shqipëria të bëjë për avancimin e saj në rrugën drejt integrimit në BE. Pritet që Shqipëria të veprojë me vendosmëri për të gjitha rekomandimet e Komisionit. Ajo do të duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për reforma, të cilat do të jenë subjekt i një analizë edhe më të detajuar nga BE-ja. Komisioneri Füle gjithashtu theksoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në procesin e reformave, si një element thelbësor për të garantuar qëndrueshmërinë e reformave. Në këtë kuadër ai u kërkoi palëve qeverisë dhe opozitës për të ndërmarrë hapa për të rivendosur dialogun politik në parlament. Komisioneri shprehu pakënaqësi rreth faktit se takimi i Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian për t’i paraprirë raundit të katërt të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE nuk u realizua për shkak të qëndrimit të opozitës. Kjo do të kishte forcuar rolin e Parlamentit, si një institucion kyç demokratik dhe do të kishte theksuar rëndësinë e gjithëpërfshirjes. Komisioneri vazhdon të besoj se takime të tilla në ardhmen do të sigurojnë lidhjen e nevojshme ndërmjet punës së Dialogut të Nivelit të Lartë dhe punën e Parlamentit. 

3) U ra dakord se është thelbësore që Shqipëria të vazhdojë dorëzimin e rezultateve sipas prioriteteve kyçe që janë identifikuar për hapjen e negociatave për anëtarësim. Komisioneri Fule rikujtoi rëndësinë e forcimit të pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit të gjyqësorit përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe nën drejtimin e Komisionit të Venecias. Komisioneri mirëpriti marrëveshjen mes Presidentit të Republikës dhe Ministrit të Drejtësisë për të organizuar një konferencë të përbashkët kombëtare mbi reformën gjyqësore në tetor. Komisioneri theksoi se reforma gjyqësore është kyç për ruajtjen e sundimit të ligjit në vend dhe për dhënien e një udhërrëfyesi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

4) Pjesëmarrësit në takimin e Dialogut të Nivelit të Lartë vunë në dukje se janë ngritur pesë grupe të përbashkëta pune për prioritetet kyçe dhe se kanë zhvilluar takimin e tyre të parë më 18 shtator. Ata ranë dakord se këto grupe pune duhet ta ndihmojnë Shqipërinë që të përqëndrohet në rezultate konkrete të reformave në secilin prioritet kyç për të siguruar një proces të besueshëm, ku përmbushja e prioriteteve kyçe monitorohet përmes provvet të qarta dhe objektive të vendosura në Udhërrëfyesin në konsultim të ngushtë me Komisionin. Përfundimi i grupeve të punës duhet të sigurojë bazën për strukturimin dhe monitorimin e reformave të nënvizuara në udhërrëfyes. U ra dakord gjithashtu se kalendari takimeve të grupeve të punës duhet të jetë fleksibël. Do të ketë dy deri në tre mbledhje në vit, të mirëkoordinuara me kalendarin e takimeve të Dialogut të Nivelit të Lartë. 

5) Pjesëmarrësit në takimin e Dialogut të Nivelit të Lartë diskutuan konkluzionet operative të miratuara nga ana e grupeve të punës më 18 shtator dhe i miratuan ato si një aneks përbërës të këtyre konkluzioneve. Në bazë të diskutimeve dhe konkluzioneve të grupeve të punës dhe në përputhje me udhërrëfyesit, përfaqësuesit e Shqipërisë dhanë një përditësim të shkurtër për veprimet e planifikuara për adresimin e pesë prioriteteve kyçe. Komisioneri theksoi rëndësinë e zbatimit të veprimeve të identifikuara nga grupet e punës dhe inkurajoi punën e mëtejshme në përputhje me masat e përcaktuara në udhërrëfyes. 

6) Pjesëmarrësit e takimit të Dialogut të Nivelit të Lartë përshëndetën raundin e parë të misionit të shqyrtimit të institucioneve të pavarura, që ka ndodhur në fillim të shtatorit. Në këtë kontekst Komisioneri Füle theksoi se duhen bërë përpjekje të mëtejshme për të përforcuar pavarësinë, de-politizimin dhe efikasitetin e këtyre institucioneve duke ndjekur rekomandimet e misionit të shqyrtimeve. U ra dakord që ky proces duhet të vijojë më tej nëpërmjet vlerësimeve të mëtejshme të institucioneve të mbetura për në tetor dhe me organizimin e një workshopi për të diskutuar rrugën e mëtejshme përpara. 

7) Kryeministri Rama theksoi se angazhimi për zgjerimin e BE është një mbështetje e pazëvendësueshme për suksesin e reformave të modernizimit që vendi ka ndërmarrë në mënyrë të vendosur dhe të pakthyeshme. Në këtë kontekst Shqipëria e konsideron vendimin për të dhënë statusin e vendit kandidat si një inkurajim për përpjekje të mëtejshme të vendosur në procesin e reformave, të cilat do të çojnë në fund në hapjen e negociatave. Kryeministri Rama shprehu shpresën se vendimi për të kaluar në hapin tjetër – hapjen e negociatave – do të bëhet nëpërmjet një procesi të besueshëm dhe të parashikueshëm, në bazë të përmbushjes së pesë prioriteteve kyçe. 

8) Komisioneri Füle theksoi se Komisioni është i gatshëm të vazhdojë të mbështesën përpjekjet e Shqipërisë në ecurinë e reformave me ekspertizë dhe mbështetje financiare. 

9) Pala shqiptare konfirmoi angazhimin e saj për një dialog konstruktiv dhe të qëndrueshëm politik midis qeverisë dhe opozitës, e cila është jetike për qëndrueshmërinë e procesit të reformave. Për më tepër, qeveria bëri një përditësim të situatës për krijimin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian dhe u angazhua për të bërë atë funksional sa më shpejt që të jetë e mundur përmes një angazhimi konstruktiv me të gjitha palët e interesuara. 

10) U ra dakord që të vazhdojnë përgatitjet për takimin e ardhshëm të Dialogut të Nivelit të Lartë dhe Shqipëria do të përgatisë raporte mbi zbatimin e Udhërrëfyesit miratuar më 28 maj. Komisioneri Füle theksoi nevojën që Shqipëria të mbetet e përqendruar në procesin e reformave dhe të vazhdojë të tregojë me rezultate përmbushjen e pesë prioriteteteve kyçe. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura