Shpëtim Çaushi: Ju tregoj dy vizitat e Strauss-it në Tiranë (I)

Oct 7, 2015 | 20:32
SHPËRNDAJE

“Gjermanët kanë qenë në Tiranë, i kanë ofruar Shqipërisë një shumë të madhe, por qeveria komuniste e ka refuzuar…”.

StraussKështu e përshkroi dje rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Lulgjuraj, (mos)informacionin e mesviteve ’80, lidhur me ndihmën e madhe financiare që Gjermania do t’i jepte Shqipërisë, por që nuk u realizua. Dhe mbase kështu i cunguar do të kishte mbetur informacioni, si një gjysmë legjende urbane nëse ambasadori i parë shqiptar në Gjermani, Shpëtim Caushi, nuk do të kishte “sqaruar” opinionin publik me një libër.

Çfarë ndodhi në ato negociata, a kishte pasur më parë tentativa për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Gjermaninë dhe si u arrit vetëm dy vjet para rënies së Murit të Berlinit që ne të dërgonim më në fund një përfaqësues diplomatik në Bon?

Këtyre pyetjeve, por edhe shumë të tjerave, u përgjigjet diplomati i karrierës në 4 dekada, Dr.Shpëtim Çaushi, i cili ka qenë edhe ambasadori i parë shqiptar në Gjermani, në vitin 1987. Ai sqaron gjithçka për negociatat e shekullit të kaluar Bon-Tiranë, nëpërmjet librit “Edhe një herë për shansin gjerman” (Marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë 1944-1987.

Reparacionet e Luftës së Dytë Botërore), i cili u promovua dje në Universitetin Europian të Tiranës. Një event ku mori pjesë elita akademike dhe diplomatike shqiptare, por edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffmann, që e vlerësoi librin dhe autorin nëpërmjet një fjalimi të posaçëm. Për ambasadorin Caushi, emërimi në Gjermani ka qenë i treti pas detyrës së njëjtë në Hungari dhe në Suedi.

të thotë ta dhurosh më parë besimin tënd”, ai ndërmori një varg vizitash në satelitët e Bashkimit Sovjetik, veçanërisht në Rumani, Bullgari, Hungari, Çekosllovaki dhe më vonë (1987) në Kinë dhe në vetë Bashkimin Sovjetik, kur në pushtet kishte ardhur Gorbaçovi. Në Jugosllavi, më 1984 ai bëri një vizitë, e cila u ndërpre për shkak të vdekjes të së shoqes, por në përgjithësi politikani bavarez i shihte me dyshim zhvillimet në këtë federatë josolide. Franz Josef Strauss, për këtë reputacion të madh që gëzonte si politikan brenda dhe jashtë vendit, kishte pa dyshim edhe influencën e tij dhe besimin e industrisë gjermane. Ai ishte anëtar i këshillave drejtues të disa koncerneve të dëgjuara gjermane, si ajo e ndërtimit të avionëve, të industrisë automobilistike, të disa degëve të industrisë ushtarake etj.

Dëshira e tij për të kaluar tranzit në Shqipëri, nuk mund të kishte karakter thjesht njohës-turistik, por lidhet me motive politike dhe me interesat gjermane në zonë dhe në Shqipëri. Për Shqipërinë, midis miqsh ai ishte shprehur se “Për Europën Perëndimore nuk ka rëndësi se çfarë ngjyre ka Shqipëria, rëndësi ka që ajo nuk është më një bazë e Bashkimit Sovjetik”. Para ardhjes në Shqipëri, Strauss-i kishte treguar interes për këtë vend. Kështu, më 1980 ai kishte vizituar pavijonin shqiptar në një panair artizanati, si dhe nuk kishte lënë jashtë vëmendjes së tij Ansamblin Shqiptar të Këngëve dhe Valleve, gjatë turneut më 1983 në Mynih.

Vlerësimet politike të Tiranës zyrtare ndaj Strauss-it janë të lidhura ngushtësisht me tërë qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj “çështjes gjermane” dhe ndaj qeverisë federale, në përgjithësi. Ashtu sikurse dënohej revanshizmi gjermanoperëndimor, me të njëjtën gjuhë është lakuar edhe personaliteti i Kryeministret bavarez. Madje, edhe në takimin e parë zyrtar në Bon, delegacioni shqiptar përsëri, çuditërisht, e vendoste atë së bashku me Adenaurin, në grupin e zyrtarëve gjermanë që nuk pranoheshin dhe nuk parapëlqeheshin nga qeveria e Tiranës.

Më vonë, veçanërisht pas vizitës së tij në Shqipëri, Tirana e moderoi qëndrimin e saj ndaj udhëheqësit gjerman dhe intensifikoi përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën Federale të Gjermanisë, duke pasur për këtë, përkrahjen e plotë dhe “aspak konvencionale” të Strauss-it.

VIZITA E PARË “TURISTIKE” E STRAUSS-IT NË SHQIPËRI

E startuar si një kërkesë vize për një kalim tranzit, vizita përfundoi me përmbajtje të thellë politike dhe dëshmoi se ajo do të ushtronte influencën e vet në prominencën politike gjermane, për zhbllokimin e bisedimeve midis të dy palëve, për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane. Siç e pranoi edhe ai vetë, gjatë vizitës në Shqipëri, ai u shndërrua nga një “turist normal”, në një “turist politik”. Franz Josef Strauss zhvilloi bisedime me zëvendëskryetarin e Këshillit të Ministrave të asaj kohe, Manush Myftiu dhe bëri vizita në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë dhe në atë të Skënderbeut në Krujë. Ai nuk u prit as nga E. Hoxha dhe as nga Presidenti R. Alia, po ashtu u evitua pa asnjë argument politik takimi i kortezisë me Kryeministrin A. Çarcani. Për të u dha vetëm një njoftim i shkurtër në shtypin shqiptar, me një titull të thjeshtë “F. J. Strauss bëri një vizitë turistike në vendin tonë”. Qeveria shqiptare, në këtë mënyrë përpiqej të evitonte tërheqjen e vëmendjes nga aspekti politik i vizitës. Megjithëse, nominalisht i kritikuar nga memorandumet e deklaratat zyrtare shqiptare, si “revanshist politik” dhe përfaqësues i forcave të djathta “më të errëta” të Gjermanisë së pasluftës, Strauss-i u prit në Tiranë me nderime të veçanta, duke u cilësuar edhe si “një nga njerëzit politikë më të shquar dhe më të dëgjuar të Gjermanisë Federale”. Bisedime zyrtare u zhvilluan midis personalitetit të lartë gjerman dhe Manush Myftiut. Në të mori pjesë edhe Sofokli Lazri, i cili kishte kryesuar delegacionin qeveritar shqiptar në bisedimet e Bonit. Pas shpjegimeve të politikës së shtetit shqiptar, në plan të brendshëm dhe veçanërisht në atë ndërkombëtar, zëvendëskryeministri Myftiu i përmblodhi Kryeministrit bavarez qëndrimin e njohur shqiptar në bisedimet me Bonin, lidhur me normalizimin e marrëdhënieve midis të dyja vendeve.

VLERËSIME TË NDRYSHME POLITIKE, SHQIPËRIA

“Ndjenjat e gjermanëve, në mënyrë të veçantë e gjermanëve jugorë të Bavarisë ndaj Shqipërisë janë shumë pozitive, theksoi Straussi në bisedë me bashkëbiseduesin shqiptar. Ne, pothuajse nuk kemi pasur aksione luftarake kundër njëri-tjetrit, pak në Luftën e Parë Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por lufta më e madhe e shqiptarëve ishte lufta kundër turqve, kundër italianëve, lufta çlirimtare. Unë, kur të kthehem në atdhe, përshtypjet e mia do t’ia them kancelarit federal dhe miqve të mi në qeverinë federale, pa publicitet”.

VIZITA E DYTË E STRAUSS-IT NË SHQIPËRI

Vizita e dytë e Strauss-it në Shqipëri u realizua më 19 maj 1986, po me iniciativën e udhëheqësit gjerman. Kryeministri bavarez kësaj radhe nuk vinte thjesht si “turist”, por si një politikan i lartë gjerman, duke kërkuar paraprakisht një bashkëbisedues të rëndësishëm nga pala shqiptare. U duk qartë se ai vinte pas përshtypjeve të hidhura, që kishte lënë takimi i 10 marsit 1986 në Vjenë për palën shqiptare, me predispozicionin dhe dëshirën për të kontribuar në kapërcimin e vështirësive të ndeshura në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve midis të dy vendeve. Këtë radhë Strauss-i u prit nga Kryeministri shqiptar A. Çarçani.

“SADISFAKSION MORAL” PËR PALËN SHQIPTARE, POR JO KREDI

Titullari i qeverisë shqiptare, pas falënderimeve të rastit për kontributin personal të udhëheqësit gjerman për normalizimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve, shprehu rezervat për arritjet e deriatëhershme në bisedimet me Bonin. Duke nënvizuar dëshirën për kapërcimin e situatës së bisedimeve midis të dy palëve, Çarçani shtoi se Tirana kishte parashtruar që, “bashkë me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, t’i jepej edhe sadisfaksioni moral në lidhje me të drejtën e saj legjitime, kërkesën e saj për çështjen e njohjes së dëmeve, që ajo ka pësuar nga Lufta e Dytë Botërore”.

Pyetjes së Strauss-it se çfarë kuptonte me “sadisfaksion moral” pala shqiptare, Kryeministri Çarçani iu përgjigj se qeveria shqiptare nënkuptonte reparacionet e luftës, “që ju, sigurisht, nuk i njihni si reparacione, por ne kemi thënë se mund të gjenden rrugë e forma të tjera, që ky dëm që pësoi Shqipëria, t’i njihet dhe t’i jepet”. Kjo i dha shkas Kryeministrit bavarez që të kërkojë të falur, por të shprehej hapur se qeveria shqiptare “po ecte në një rrugë të gabuar”. Në vijim, Strauss-i rishpjegoi qëndrimin gjerman për këtë çështje. “Sipas Mar rëveshjes së Borxheve të Londrës, vëzhgoi ai, çështja e reparacioneve (po e përsëris edhe një herë), para Traktatit të Paqes, as që mund të shtrohet në tavolinë. Përndryshe, do të fillonin kërkesat për bisedime edhe të tjerët, si Norvegjia, Danimarka, Luksemburgu, Belgjika, Franca etj. Ju lutem të më besoni, kjo nuk është me qëllim të keq, por nuk mund të diskutohet. Në bisedën e fundit që pata në gusht të vitit 1984 me zotin zëvendëskryeministër, më tha se ne i kemi paguar reparacione Polonisë dhe Jugosllavisë; kështu më tha partneri im shqiptar në bisedimet që patëm në atë kohë, por unë thashë dhe them se nuk është e vërtetë, se as polakët dhe as jugosllavët nuk morën asnjë qindarkë, por Polonia mori një herë, kurse Jugosllavia mori disa herë kredi në kushte shumë të favorshme, ndërkohë që shkatërrimet në Poloni dhe Jugosllavi ishin, sigurisht, shumë të mëdha.

Veç kësaj, ju keni marrëdhënie diplomatike me Austrinë, me Republikën Demokratike Gjermane dhe me Italinë… Sipas informacioneve tona, vijoi ai, as Italia, as Austria, as Republika Demokratike Gjermane nuk kanë paguar asnjë qindarkë dhe nuk kanë përdorur asnjë formë tjetër për zhdëmtimet. Trupat gjermane që erdhën në atë kohë në Shqipëri, vinin nga Gjermania, nga ajo pjesë e saj, që tani përbëhet nga tri shtete. Ua them miqësisht këtë, që është rrugë e gabuar dhe është e pamundur që Republika Federale e Gjermanisë të hyjë në bisedime për këto çështje. Dëshiroj të them, nënvizoi sërish Strauss-i, se nuk ka asnjë kuptim të besojmë në gjëra, për të cilat nuk mund të veprojmë. Të gjithë ish -kundërshtarët tanë në luftë kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me ne, me përjashtim të Shqipërisë. Dhe kjo është çështje e Shqipërisë, që ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare. Ata kanë vendosur marrëdhënie diplomatike pa parakusht. Me të njëjtën qartësi dëshiroj të them hapur se ne, në bazë të bashkëpunimit ekonomik, edhe me Shqipërinë, mund të zbatojmë ato forma që kemi përdorur edhe me Poloninë dhe Jugosllavinë, dhe ky bashkëpunim do të jetë i një rëndësie shumë të madhe për zhvillimin e vendit tuaj në fushën tekniko-shkencore. Pozita e zhvillimit tonë tekniko-shkencor në botë gjithmonë po rritet, por më vjen keq se, po të vihen kushtet që thamë, nuk do të dalë gjë, nuk do të nxjerrim gjë… Veç një gjë: ju vini të fundit me kërkesat tuaja në këtë drejtim”.

Qeveria shqiptare, nëpërmjet prononcimit të Kryeministrit të saj, edhe në këtë rast, deklaroi se, lidhur me kapërcimin e problemeve ajo nuk mund të pranonte zgjidhjen e këtij “sadisfaksioni moral” nëpërmjet marrjes së kredive apo ndihmave, pasi e kishte të ndaluar me Kushtetutë. Ai i theksoi Strauss-it gjithashtu se qeveria shqiptare nuk ngulte këmbë që kjo shumë të paguhej nën emrin e reparacioneve dhe se nuk e kushtëzonin vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me pagimin e reparacioneve, por se “moralisht ne duam një kontribut, siç kanë marrë edhe të tjerët, në formë kredie apo reparacionesh, kjo është puna e juaj, ne nuk dimë ekzakt si ua keni dhënë të tjerëve”.

Çarçani argumentoi se aspekti moral i kërkesës shqiptare qëndronte në njohjen nga pala gjermane të “një diçkaje legjitime, të një kontributi të madh që dha Shqipëria ndaj këtyre dëmeve që pësoi; njohja, pra, dhe dhënia e një kompensimi për të gjithë këtë kontribut të Shqipërisë dhe kjo, jo si lëmoshë, por si një diç- ka legjitime që asaj i takon”. Madje, shtoi ai, nga takimet me personalitetet gjermane, njoftimet e ndryshme, takimet dhe bisedimet, ishte bërë pothuaj “un fait açompli” që Shqipëria do të merrte një shumë të konsiderueshme, “kështu që nuk mbetej veçse të takoheshin të dy ministrat e jashtëm për të firmosur këtë çështje, kurse në momentin e fundit, ne vumë re një tërheqje të palës gjermane, arsyen e së cilës nuk e kuptuam”.

Duke shprehur shqetësim se edhe ky argument “moral shqiptar” do të merrej përsëri nga pala gjermane si një parakusht, me sens pragmatist, Strauss-i i propozoi Kryeministrit shqiptar, që të përpiqeshin për të lidhur aspektin moral me atë material të kësaj çështjeje. Strauss-i propozoi gjithashtu realizimin e një marrëveshjeje 10-vjeçare të bashkëpunimit teknikoshkencor, e cila do të nënshkruhej pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

MARRËVESHJE 10-VJEÇARE DHE “SHINAT E TRENIT” TË STRAUSS-IT

Idenë e marrëveshjes 10-vjeçare, Kryeministri bavarez e konceptoi në këtë mënyrë: 1. Shifra e dhënë prej 4-5 milionë markash është vetëm një gjest, por në asnjë mënyrë nuk është bashkëpunimi ekonomik midis të dy vendeve. Duke u nisur nga ana praktike e çështjes, Republika Federale e Gjermanisë paguan 7 miliardë marka në vit ndaj një numri vendesh, “shumica e të cilave as që kanë qenë në luftë fare me ne”, sikurse Bolivia, Brazili, India, Tanzania, Mozambiku etj. Në këtë kuadër mund të shihet edhe marrëveshja e bashkëpunimit tekniko-shkencor me Shqipërinë, nisur edhe nga fakti se ministri i Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë i përket partisë sime (CSU), “gjë kjo që do të ndikojë, me siguri, që të merrni një ndihmë shumë më të madhe materiale, sesa kjo shumë qesharake prej 4-5 milionë markash”. 2. Në rastin e pranimit të kësaj marrëveshjeje nga pala shqiptare, “se si do ta rregulloni ju këtë brenda përbrenda shtetit tuaj, me Kushtetutën tuaj, ne nuk mund t’ju ndihmojmë dot, por, për shembull, në rastin e Tanzanisë, shumica e këtyre parave, që ne u kemi dhënë atyre, është “fond perdue”, të cilat janë në fakt kredi shtetërore, nga të cilat, sipas Strauss-it, ekonomia gjermane nuk kishte pasur asnjë përfitim. 3. Marrëveshja për bashkëpunimin tekniko-shkencor, sipas tij, do të nënshkruhej ose pas marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve ose menjëherë bashkë me të. Kjo presupozon që pala shqiptare të marrë çdo vit, jo nga 4-5 milionë marka, por, për shembull, deri në 30 milionë.

Nga kjo marrëveshje, në mënyrë fleksibël, mund të shkëmbehen edhe projekte me njëri-tjetrin, duke përcaktuar fushat e bashkëpunimit midis të dy vendeve. Ndoshta, gjatë viteve, mundet që pala gjermane t’u afrohet kërkesave aktuale të palës shqiptare. Pra, Ministria Federale e Punëve të Jashtme është njëra “shinë” për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, ndërsa Ministria Federale e Bashkëpunimit Ekonomik, është “shina” tjetër. “Në qoftë se treni do të niset në shinën e parë, aludoi ai, unë do të veproj që ai të fillojë të niset, ndoshta në të njëjtën kohë, edhe në shinën e dytë”, konkludoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura