Shpërthim në pusin e ndalur të naftës, rrezikohet fshati

Mar 31, 2011 | 13:14
SHPËRNDAJE

Zona e Kallmit në Fier është përfshirë nga paniku dje pasi shpërtheu një pus nafte që i përket fondit të ndalur.Shpërthimi ndodhi paralel me rënien e një zjarri po te kjo hapësirë naftëmbajtëse. Sipas banorëve, ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, kur në fushën ku janë të vendosur puset e naftës ndodhi shpërthimi. Situata ishte mjaft alarmante pasi vetëm 50 metra më larg ndodhen shtëpi banimi. Banorët e zonës pohuan se zjarri ka rënë papritur në një pellg nafte, e cila qëndronte mbi sipërfaqe të tokave bujqësore. Vetëm pak sekonda më pas është dëgjuar një shpërthim që vinte nga një pus 10 metra larg nga flakët. Një situatë e tillë alarmoi gjithë banorët e zonës. Ata lajmëruan menjëherë policinë dhe zjarrfikësit, ndërsa vetë janë munduar të fikin flakët me mjete rrethanore. Rreziku ishte mjaft i madh, pasi vendi i flakëve dhe pusi lidheshin nëpërmjet një kanali të mbushur me naftë, i cili po ashtu u përfshi nga flakët. “Jemi në rrezik të madh. Nuk kemi askënd që të na vijë në ndihmë. Ka 40 minuta që ka rënë zjarri dhe s’ka ardhur askush. Kanali është i mbushur më naftë dhe nëse arrin flaka te pusi, pasojat do të jenë katastrofale. Këto puse janë jashtë sigurimit teknik”, u shpreh Mete Tallaj. Përveç rrezikut të flakëve, era e gazit ka qenë mbytëse për të gjithë zonën, e cila është tepër e populluar.
Ashtu sikurse herën e kaluar në Belinë, edhe në këtë zonë kanë munguar përfaqësues të kompanive të naftës që kanë nën juridiksion këto puse. Të vetmit që mbërritën pas një ore ishin forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur lokalizimin e flakëve. Por, ndërsa flakët janë shuar, pas më shumë se një ore pusi i fondit të ndalur vazhdon të rrjedhë gaz të lëngshëm. Presioni i naftës nëntokë dyshohet të ketë provokuar fontanën e gazit. Fatmirësisht ngjarja nuk shkaktoi të lënduar, por ndotja mjedisore ka qenë në nivele të larta, çka ka rënduar gjendjen shëndetësore të disa prej banorëve. Në këtë zonë ndodhen një sërë pusesh nafte, të futur në pjesën e fondit të ndalur, për shkak të amortizimit ose mosfunksionimit të tyre.

PRECEDENTET

Kjo situatë është e përsëritur në rrethin e Fierit, ku puset e fondit të ndalur, për shkak të amortizimit, rrezikojnë të përfshihen nga flakët. Ndërsa nuk kanë munguar edhe shpërthime gazi. Rreth një javë më parë, banorët e fshatit Belinë në rrethin e Fierit, u kanosën nga shpërthime të tilla. Një zjarr i papritur shpërtheu, duke rrezikuar t’i afrohej pusit të naftës, por vetë banorët arritën të shuanin flakët.

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura