Shpërthen Majko: Po bëhet nami me kontrabandë ilaçesh e karburantesh

Oct 8, 2015 | 9:35
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri i socialistëve, Pandeli Majko, ka deklaruar dje gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve se në Shqipëri po bëhet nami me kontrabandën e ilaçeve dhe të naftës.

Majko në fjalën e tij sulmoi indirekt institucionet doganore dhe tatimore, duke thënë se po lejojnë futjen në vendin tonë të barnave kontrabandë, dhe se ndryshimet synojnë që t’i fusin në burg abuzuesit.

Pandeli Majko
Pandeli Majko

Ai ka folur me gjuhë të ashpër dhe për doganierët, të cilët i ka quajtur si horra që bëjnë pelivanllëqe, dhe në rast se nuk burgosen, janë të aftë që të paguajnë dhe gjyqtarët. Deputeti i PS-së tha më tej se kontrabandistët nuk janë qytetarë dhe se ndryshimet në Kodin Penal nuk prekin bizneset e ndershme.

“Jo, kontrabandisti nuk është qytetar.. Kontrabandisti është një maskara që meriton vetëm burgun. Neni 179/b, thyerja, heqja, zëvendësimi i shenjave të sigurisë së autoritete doganore, ku janë qytetarët këtu? Janë ca maskarenj që punojnë në Doganë dhe bëjnë pelivanllëqe. Neni 179/C, largimi i mallrave nga zonat doganore pa paguar detyrimet, ku janë qytetarët këtu?! Vazhdojmë kontrabanda e pilotit, kapitenit apo ekuipazhit. Këta janë ca horra që vendin e kanë vetëm në burg se po u vure gjobën, shkojnë dhe paguajnë gjykatësin nën dorë… Neni 284/d, prodhimi dhe tregtimi i barnave mjekësore të falsifikuara apo të rrezikshme për jetën dhe shëndetin. Është bërë një debat në Komisionin e Shëndetësisë për këtë histori, ne sjellim ndryshime që t’i fusim në burg këta se po bëhet nami me barnat”, u shpreh Majko.

KONTRABANDA
Deputeti i PS-së tha më tej se nami po bëhet dhe me cilësinë e naftës, për të cilën po ankohen të gjithë shoferët në Shqipëri. Sipas tij, ndryshimet në ligj parashikojnë që të dënohen personat që tregtojnë naftë jashtë cilësisë.

“Këtu u krijua atmosfera sikur do të bëhet nami, dhe do të bjerë mbi qytetarët… Neni 288/b, tregtimi dhe hedhja për konsum e lëndëve të djegshme në kundërshtim me standardet ligjore të cilësisë. Pyet të gjithë shoferët e Shqipërisë për naftën që përdoret në vendin tonë, po bëhet nami”, deklaroi Majko. Socialisti u shpreh më tej se ligji do të jetë më fleksibël për bizneset e ndershme, ndërkohë që do të dënojë kontrabandistët.

“Shqetësimi i opozitës dhe i joni është që me qytetarin e thjeshtë që mban veten dhe shtëpinë e vet me një biznes të ligjshëm, normal që karshi tij do të jemi më tolerantë. Por jo me kontrabandistin që fut ilaçe, që kontrabandon naftën, apo që ka mendje të bëjë kontrabandë”, tha Majko.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura