“Shpërthen” Çani, dopietë në fitoren e Barit

May 31, 2014 | 13:20
SHPËRNDAJE

Edgar Çani “shpërthen” në javën e fundit të Serisë B. Sulmuesi shqiptar ka realizuar dy gola në fitoren 4-1 të Barit ndaj Novarës. Në minutën e 62-të, kur rezultati ishte 0-1 për skuadrën kundërshtare, shtatlarti shqiptar realizoi golin e barazimit, pas një goditjeje të bukur me kokë. Ndërsa në minutën e 74-t, pas një krosimi në zonë, Çani zhytet përpara portierit me këmbë, duke devijuar topin në rrjetë. Në këtë moment, shqiptari ka festuar si i çmendur, madje duke hequr edhe fanellën para 46 mijë tifozëve, që i kushtoi ndëshkimin me karton të verdhë. Golat e tij përmbysën rezultatin, ndërsa deri në fund skuadra e Çanit mbylli gjithçka në favor të saj me shifrat 4-1. Kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme për Barin, pasi siguroi një vend në “play-off”, duke luftuar tashmë për ngjitjen në Serinë A. Bari kaloi në renditje Specian, Sienën dhe Krotonen, duke e mbyllur kampionatin në vendin e gjashtë. Tashmë ekipi i sulmuesit do të luajë edhe pesë ndeshje shtesë, për të pretenduar një vend që të ngjit në elitën e futbollit italian. Ky fundi i lumtur për Çanin vjen pas një periudhe të errët gjatë këtij sezoni. Fillimisht lojtari 24-vjeçar e nisi te Karpi, teksa luajti me këtë të fundit vetëm në fazën e parë. Këtu Çani shënoi vetëm një gol, ndërsa u transferua në janar te Bari si i huazuar nga Katania, klubin që është nën kontratë. Me skuadrën puljeze sulmuesi e mbylli kampionatin me tre gola. Për herë të fundit me Kombëtaren shqiptare sulmuesi Çani ka qenë i grumbulluar në ndeshjen e 10 shtatorit të vitit 2013 ndaj Islandës, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014. Prej 9 muajsh, Edgari nuk merr një ftesë nga De Biazi, nisur edhe nga forma jo e mirë që ka kaluar gjatë sezonit të fundit në Serinë B.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura