Shpallja e mandateve, nga KQZ në Kolegj

Jul 31, 2013 | 9:14
SHPËRNDAJE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet të premten për të ndarë mandatet e 12 qarqeve. Rezultati përfundimtar i 23 qershorit, brenda datës 10 gusht.

Rrëzimi nga Kolegji Zgjedhor i ankimimit të Partisë Popullore Kristian Demokrate për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në të gjitha qarqet, i hap rrugë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të procedojë me nxjerrjen e rezultatit përfundimtar të procesit të 23 qershorit. Kodi Zgjedhor parashikon një periudhë prej tri ditësh nga momenti që përfundojnë ankimimet në Gjykatë për KQZ-në, e cila mund të miratojë ndarjen e mandateve.

Në nenin 162, pika 1 e Kodit, thuhet se “jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit të ankimit kundër vendimit për miratimin e rezultateve të zonës zgjedhore apo pavlefshmërisë së zgjedhjeve, sipas këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel zone zgjedhore”. Sipas këtyre përllogaritjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka për detyrë të përgatisë materialet e ndarjes së mandateve për 11 qarqe të vendit brenda ditës së premte.

Qarku i fundit i mbetur ende në procedurë ankimore është ai i Lezhës, ku Partia Demokratike i ka kërkuar Kolegjit Zgjedhor të rinumërojë dhe rivlerësojë të gjitha votat e 258 qendrave të votimit pas manipulimeve që dolën në procedurën që ndërmori KQZ-ja. Hapja e kutive nga kjo e fundit u cilësua e paligjshme nga Kolegji dhe në këtë pikë dy janë vendimet që Gjykata mund të marrë: së pari, të pranojë kërkesën e PD-së dhe të kthehet sërish, si në rastin e Kukësit, në një vend të numërimit të votave; së dyti, të rrëzojë kërkesën e PD-së dhe t’i japë mundësi KQZ-së të vazhdojë me ndarjen e mandateve. Duke parë edhe procesin mbi të cilin do të ecet nëse Kolegji hap kutitë e Lezhës, mundësia më e madhe është që ai të rrëzojë kërkesën e PD-së. Nëse kjo ndodh, KQZ-ja do të shqyrtojë në mbledhjen e së premtes materialet për 12 qarqet e vendit. Këtu lind edhe problemi tjetër me KQZ-në.

Nëse në këtë mbledhje do të paraqiten vetëm katër anëtarët e propozuar nga maxhoranca e para 23 qershorit, ajo pritet të jetë formale dhe të zgjasë vetëm pak minuta. Në nenin 24, pika 1/ a e Kodit, thuhet: “Konsiderohen të miratuara kur votojnë pro jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me: a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 166, pika 3 të këtij Kodi”. KQZ-ja do të përgatisë materialet për ndarjen e mandateve sipas secilit qark dhe në momentin që do të kërkohet të verifikohet kuorumi prej pesë anëtarësh, mbledhja do të mbyllet për shkak se të pranishëm, sipas të gjitha gjasave, do të jenë vetëm katër anëtarë.

Pas konstatimit të pamundësisë për të ndarë mandatet, partitë politike kanë pesë ditë afat për t’u ankuar në Gjykatë dhe sipas përllogaritjeve, ky afat është deri të mërkurën e ardhshme. Me gjasë, PS-ja, e cila është më e interesuara, do ta ankimojë këtë rast në momentin më të parë të mundshëm dhe fjala e fundit i takon sërish Kolegjit, i cili zyrtarisht ka dhjetë ditë kohë, por që pritet ta miratojë shumë shpejt vendimin. Pasi Gjykata vendos ndarjen e mandateve, çështja kalon sërish në KQZ, e cila brenda 10 gushtit shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Adi Shkembi/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura