Shpallet fituesi, holandezët ndërtojnë Fototekën “Marubi”

Mar 31, 2014 | 12:55
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama gjatë prezantimit të projekteve në Shkodër
Studioja holandeze “Casanova-Hernandez” u shpall dje fituesja e konkursit ndërkombëtar të projektimit për “Restaurimin dhe Muzealizimin e Fototekës Kombëtare Marubi”.
Një projekt ku ndërthuret tradita dhe modernia, u ka mbushur mendjen anëtarëve të jurisë për ta zgjedhur dhe për t’i besuar realizimin e Muzeut “Marubi”. Dje, në Shkodër, 5 studiot “finaliste” paraqitën përpara të pranishmëve jurisë, Kryeministrit të vendit Edi Rama, projektet e tyre për restaurimin e Fototekës. Çdonjëra paraqiti vizione se si mund të jetë një muze i këtij lloji në mes të Shkodrës, por me sa duket, ishin holandezët ata që i qaseshin më së shumti vizionit të organizatorëve të konkursit, që janë Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Atelier Albania. Si Kryeministri Edi Rama ashtu edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në fjalën e tyre u shprehën se ishte pikërisht momenti, që këtë thesar të çmuar ta kthejnë në zemër të Shkodrës. Rama nuk i kurseu fjalët e mira edhe për ministren Kumbaro, që për një kohë të shkurtër arriti të realizojë këtë proces. Gjithashtu Rama u ndal tek inventarizimi i trashëgimisë kulturore, që sipas tij “sot e gjithë ditën, nuk kemi inventar, nuk dimë ekzaktësisht se sa vlera materiale disponojmë në fushat e trashëgimisë kulturore”. “Marubët kanë drithëruar botën kur kanë dalë në sy të ekspertëve të huaj. Veprat që do të tregonin patriotizmin tonë, mungojnë, siç mungon një muze dinjitoz për Marubët. Këtë muze, si akt të patriotizmit dhe si fillim i një rruge të re për Shkodrën. Janë thënë shumë fjalë, por pak është bërë për të ruajtur vlerat e saj kulturore, që Shkodra i ka fatkeqësisht të dëmtuara, por që ende mund të shpëtohen”, tha ai. Ndërsa ministrja Kumbaro u shpreh se pas këtij hapi vjen një tjetër, për t’i dhënë edhe më shumë vlerë pasurisë ‘Marubi’. “Sot ne kemi idetë dhe teknologjitë më bashkëkohore për të vlerësuar ‘Marubin’. Kjo është rruga e progresit në kulturë, që na dëfton vlerat e Shkodrës dhe të pinjollëve të shquar shkodranë. Kjo rrugë progresi i jep dinjitet krenarisë sonë për thesaret e kulturës shqiptare. Ministria e Kulturës është e angazhuar për t’i mbrojtur dhe për t’i kthyer dinjitetin e merituar trashëgimisë kulturore. Në përfundim të këtij muzeu, thesarin e Fototekës ‘Marubi’ ne synojmë ta regjistrojmë në thesaret e trashëgimisë botërore të UNESCO-s”.
Projekti fitues
Projekti i studios holandeze ishte mbështetur fort në synimin e ruajtjes së trashëgimisë dhe traditës së kësaj ndërtese historike, duke ruajtur hapësirën dhe strukturën e goditës. Projekti fitues i “Casanova-Hernandez” konsiston në ndërtimin e pesë “dhomëzave” funksionale të parafabrikuara dhe të lëvizshme që shërbejnë për ekspozim, po ashtu edhe si elemente artistikë. Projekti kombinohet me hapësirën publike dhe njëra prej dhomëzave do të shërbejë si një vitrinë për t’i ftuar qytetarët ta vizitojnë atë. Ndërsa në anën tjetër, projekti shkrin hapësirën e jashtme me atë të brendshme nëpërmjet vazhdimësisë së kalldrëmit, që është edhe karakteristike e pedonales së Shkodrës. Fasada e dhomëzave do të pasqyrojë pjesë imazhe, të cilat do t’i gjejmë të ekspozuara brenda këtyre hapësirave. Në këto ambiente do të ketë edhe ekspozita kronologjike, që do të na tregojnë e dëshmojnë më shumë për dinastinë ‘Marubi’, për jetën dhe arritjet e tyre, ku do të zënë vend foto historike, video për të tre përfaqësuesit e dinastisë.
Konkursi
Procesi i përzgjedhjes së studios që do të marrë përsipër muzealizimin e Fototekës “Marubi”, u zhvillua përmes dy fazash. Kështu, më 7 shkurt të këtij viti, u shpall Konkursi Ndërkombëtar për “Restaurimin dhe Muzealizimin e Fototekës Kombëtare Marubi”, ku aplikuan 26 studio, me një shpërndarje të gjerë gjeografike, prej nga 11 vinin nga Italia, 9 nga Shqipëria, 1 aplikim nga Gjermania, Holanda, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Japonia dhe Kosova. Mes tyre u përzgjodhën pesë studio, dy shqiptare, një gjermane, një italiane dhe studioja holandeze, e cila u shpall fituese. Faza e dytë u përmbyll dje me shpalljen e fituesit. Të pesë studiot zhvilluan projekt-idenë e tyre dhe e prezantuan në një proces publik dëgjimor, jo thjesht përpara një jurie. Përfaqësuesve të studiove finaliste iu drejtuan pyetje nga ekspertët, por edhe qytetarët e pranishëm në këtë prezantim.

Studiot finaliste
1. Aterlier4 Studio Shqiptare

2. Biundici Studio Italiane

3. Casanova&Hernandez Studio Holandeze

4. Lorenco&Co Studio Shqiptare

5. Zvi Hecker Studio Gjermane

Juria
1. Mirela Kumbaro Ministre e Kulturës

2. Zef Paci Studiues arti

3. Anila Alite Arkitekte

4. Dietmar Steiner Drejtor i Qendrës së Arkitekturës, Vjenë

5. Rossana Atena Arkitekte

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura