Shorti, “peshkim” i dobët për Shqipërinë

Jul 31, 2011 | 14:44
SHPËRNDAJE

Shqipëria ka qenë e pafat në shortin e djeshëm për eliminatoret e Botërorit 2014, që do të zhvillohet në Brazil. Kuqezinjtë u pozicionuan në Grupin E së bashku me Norvegjinë, Zvicrën, Slloveninë, Qipron dhe Islandën. Me të gjitha këto skuadra jemi përballur në të kaluarën dhe vlen për t’u theksuar se pas shumë vitesh do të përballemi vetëm me ekipe perëndimore, pasi këtë herë goglat nuk na rezervuan asnjë skuadër lindore. Një grup deri diku modest, por po aq edhe i rrezikshëm. Modest, sepse kemi evituar emra të mëdhenj, si Italia, Gjermania, Spanja, Franca etj, por ama do të përballemi me ekipe ndaj të cilave historikisht e kemi pasur të vështirë që të triumfojmë. Rivali më i dobët mund të konsiderohet Islanda, ndaj të cilës kemi një bilanc pozitiv, pasi në tri përballje e kemi mposhtur dy herë, ndërsa një herë na ka mundur. Golaverazhi mes ekipeve është i barabartë 3-3. Si “kokë” grupi, aty ku Shqipëria shpresonte të “peshkonte” një skuadër të madhe, qoftë edhe për të përfituar financiarisht, Ronaldo që tërhiqte goglat nuk i solli aspak fat kuqezinjve, pasi zgjodhi Norvegjinë. Duhet thënë se teorikisht është një ndër skuadrat më të lehta të mundshme, por gjithsesi mbetet e rrezikshme. Kuqezinjtë janë ndeshur dy herë me Norvegjinë dhe kemi regjistruar një barazim (2-2) dhe një humbje (2-1). Zvicra është një tjetër kundërshtar i vështirë për përfaqësuesen shqiptare. Interesant është fakti se me fanellën helvete luajnë 5 futbollistë me kombësi shqiptare, si Behrami, Shaqiri, Xhemajli etj. Menjëherë pas shortit, trajneri i Zvicrës, Otmar Hicfeld, ka deklaruar se ky ishte një short makabër dhe se skuadra e tij do ta ketë shumë të vështirë. Kundër helvetëve kemi një bilanc negativ, pasi në 4 përballje jemi mundur tri herë dhe kemi barazuar vetëm një herë. Golaverazhi është gjithashtu më i mirë për Zvicrën, pasi ata na kanë shënuar 7 herë në të kaluarën, ndërsa ne u kemi shënuar vetëm tri gola. Sllovenia është gjithashtu një kundërshtar që nuk mund të nënvlerësohet. Jemi përballur pesë herë me këtë skuadër, por nuk kemi fituar kurrë, pasi jemi mundur në tri ndeshje dhe dy të tjerat i kemi mbyllur në barazim. Me Qipron gjithashtu jemi përballur 4 herë, ku kemi fituar vetëm një ndeshje, kemi humbur 2 dhe kemi barazuar në një takim. “Nuk jam edhe aq i zhgënjyer, por prisja më shumë. Sigurisht, mund të kishte shkuar edhe më keq se kaq, por mund të them vetëm se do të jetë një grup jashtëzakonisht i fortë”, ka thënë për “Panorama Sport” presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Kapiten Lala: Fajin e ka…Ronaldo

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala, e ka konsideruar një grup të vështirë atë të Shqipërisë, por nuk i ka munguar doza e optimizmit. “Një grup modest, por gjithsesi i rrezikshëm. Fajin e ka Ronaldo që nuk na solli fare fat…(qesh). Megjithatë, une mendoj se është një grup ku mund të luajmë shanset deri në fund dhe të luftojmë si të barabartë me këdo. Në aspektin financiar, mendoj se është një grup i dobët. Janë skuadra për të cilat kompanitë televizive nuk shpenzojnë shumë”, është shprehur mesfushori. Ai ka saktësuar se tani që nuk ra Italia në grup, do të tërhiqet.

Mbrojtesi Dallku: Mund te bejme historine

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Armend Dallku, ka vlerësuar se grupi është i niveluar dhe se mund të arrihet një sukses historik. “Përveç Norvegjisë, me skuadrat e tjera besoj jemi të barabartë dhe shpresoj të nxjerrim maksimumin. Shpresoj, po ashtu që këto eliminatore të jenë me fat dhe të kualifikohemi, që do të ishte sukses historik. Kemi dashur të kemi edhe një ‘top skuadër’, por shorti kështu e ka”, ka thënë Dallku për “Kohën Ditore”. “Përballja me Zvicrën do të jetë emocionale, pasi aty luajnë pesë apo më shumë shqiptarë, por shpresojmë t’i mundim ata”, ka shtuar ai.

 

Jetmir Halilaj

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura