Shoferët e furgonëve sot para Kryeministrisë

Feb 28, 2014 | 12:08
SHPËRNDAJE

Shoferët e furgonëve të Elbasanit në protestë
Sindikata: Të bashkohen edhe autobusët interurbanë

Drejtuesit e taksive 8+1 nga gjithë vendi pritet të mblidhen sot në Tiranë për të protestuar për vendimin e qeverisë për t’u kthyer bosh në destinacion. Kreu i Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja, u shpreh se protesta vlen edhe për autobusët interurbanë nëse do të duan t’i bashkohen asaj. Gjithsesi, Kalaja u shpreh se nuk do të ketë grevë urie nëse nuk arrihet një marrëveshje me Ministrinë e Transporteve. Protesta pritet të fillojë në mesditë në orën 12:00 kur grumbullimi pritet të bëhet në sheshin “Nënë Tereza” dhe më pas të fillojë zhvendosja drejt Kryeministrisë. Më pas itinerari do të jetë drejt Ministrisë së Transporteve. Gjatë protestës është parashikuar që të mbahet edhe një fjalim nga përfaqësues të shoferëve të furgonëve. Në gjithë vendin numërohen rreth 20 mijë persona drejtues të kësaj kategorie mjetesh dhe që prej ditësh kanë protestuar për vendimin e qeverisë duke bllokuar në disa raste rrugët. Vendimi sipas tyre quhet penalizues dhe kërkohet që të mos zbatohet pasi rrezikon mbijetesën e mijëra familjeve që kanë punën me taksitë 8+1 si të ardhur të vetme. Gjithsesi, përkundër kresave të kësaj kategorie, qeveria është shprehur e vendosur për masat e saj. Pas protestës së sotme do të pritet edhe hapi i radhës i drejtuesve të furgonëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura