Shndërrimi modern i Çufos dhe Tipit, aventura me para

Feb 28, 2014 | 12:37
SHPËRNDAJE

Nga shfaqja: “Çufo dhe Tipi në kërkim të verdhushkave”
Kanë ikur kohërat kur Çufoja, Tipi dhe Bubi Kaçurrel ngatërroheshin në gjithfarë aventurash nëpër pyll, në shkollë me mësuese mjellmën, me ariun që ruante mollët… Po ku nuk mungonin edhe mesazhet për miqësinë, ndershmërinë, format e sjelljes, mbarëvajtjen në shkollë… Tanimë këto janë fare demode, Çufoja dhe Tipi duhet t’i përshtaten kohëve moderne, ku bota vërtitet rreth parasë. E në këto kohëra, kur fëmijët rriten shumë më shpejt, heronjtë e Gaqo Bushakës janë në hall për të ruajtur paratë. Në kuadër të javës globale të parasë, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Teatrin e Kukullave shfaq pjesën teatrore “Çufo dhe Tipi në kërkim të verdhushkave”, me regji të Erion Kames. Sipas organizatorëve shfaqja do t’i ndihmojë fëmijët të kuptojnë më mirë çështjen me të cilën, megjithëse janë ende të vegjël, përballen çdo ditë. “Në ditët tona marrëdhënia me paranë fillon që në moshë të herët. Për këtë arsye që në vitet e para lind nevoja e hedhjes së themeleve për një edukim të plotë financiar në të ardhmen. Për t’ju përshtatur sa më shumë botës së fëmijëve, Banka e Shqipërisë ka zgjedhur të ndjekë një përqasje sa tradicionale, aq edhe të efektshme për edukimin e tyre të mësuar përmes argëtimit”. Çufo dhe Tipi, dy nga heronjtë më të njohur të përrallave shqiptare, rikthehen në Teatrin e Kukullave, por këtë herë aventura e tyre lidhet me “verdhushkat”, ose paratë, për të cilat duhet të mësojnë sesi t’i kursejnë në mënyrë që të blejnë gjërat që dëshirojnë më shumë. Pra synimet e Çufos dhe Tipit nuk do të jenë edhe aq naive sa 20 vjet më parë…

Shfaqja
Titulli:             “Çufo dhe Tipi
            në kërkim të verdhushkave”
Autor:             Gaqo Bushaka
Përshtati:         Egnis Isaku
Regjia:             Erion Kame
Skenograf:         Beqo Nanaj
Designer Kukullash:     Erald Xhafo
Muzika:         Sokol Marsi
Aktorë:         Jorida Meta, Denard Xhillari, Shegushe Bebeti, Sokol Myzeqari, Ermonela Alikaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura