SHLSH: Po abuzohet me fondet e bibliotekave

Jul 6, 2011 | 9:21
SHPËRNDAJE

Shumë herë nuk i jepet rëndësi, por nga libri mund të bësh para të madhe, sidomos kur bëhet fjalë për fonde publike. Shoqëria e Librit Shqip, e themeluar jo shumë kohë më parë, vë në dukje një problem jo të vogël, atë të përdorimit të fondeve të shpërndara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për pasurimin e bibliotekave të shkollave publike të arsimit parauniversitar. Në një komunikatë të dërguar nga SHLSH, dërguar për dijeni edhe MASH-it, Drejtorive Arsimore, por edhe botuesve e shkrimtarëve, thuhet se për këtë vit fondi i akorduar për këtë qëllim është 70 milionë lekë të reja. I gjithë procesi ngërthen në vetvete një problematikë të larmishme, që nga hartimi i listave me librat e rekomanduar, mënyra si përzgjidhen titujt e librave, autorëve (mes të cilëve ka edhe të atillë që nuk mund t’i fusësh në listën e “autorëve të shquar”) apo edhe shtëpive botuese. Megjithatë, ky është vetëm një nga problemet. “Problemi dhe shqetësimi kryesor i Shoqatës sonë është që me fondet e vëna në dispozicion nga MASH, një numër drejtorish rajonale dhe zyrash arsimore i bëjnë porositë për bibliotekat e shkollave përmes një sistemi klientelist dhe korruptiv të qartë. Po të vëreni në listat e porosive nga dy rrethe që do t’u shpërndahen mediave, janë dy botues që mbizotërojnë në pjesën dërrmuese në këto porosi. Njëri prej tyre madje nuk njihet si botues, por është thjesht shtypshkronjë. Nga 84 titujt që porosit DAR Librazhd, 68 janë nga vetëm një botues. E ngjashme është gjendja edhe në listën e porosive të DAR Lezhë”, shkruhet në komunikatë. Më tej, shkruhet se shoqata është vënë në dijeni rastësisht për këto porosi dhe të nxitur nga kjo u kanë kërkuar listat të gjitha Drejtorive Arsimore të Shqipërisë, pasi një gjë e tillë nuk është sekrete. Por, mësohet që përgjigje ka ardhur vetëm nga DAR e Fierit, çka lë të dyshosh se i njëjti fenomen ngjet kudo. Në komunikatën e tyre botuesit i bëjnë thirrje Drejtorive Arsimore për transparencë dhe MASH për përmirësimin e listave të librave. Fakte më të detajuara SHLSH do t’i bëjë publike sot në një konferencë për shtyp.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura