Shkurtim buxhetit, ulet edhe kreditimi

May 31, 2012 | 12:40
SHPËRNDAJE

Ministri Bode

Ekonomia në krizë të dyfishtë. Shpenzimet do të ulen me 190 milionë USD. BSH: Bizneset nuk po financohen.

Bode: Rishikim edhe investimeve. Bankat japin më pak kredi.

Kriza ekonomike e detyron qeverinë të shkurtojë buxhetin edhe për vitin 2012. I gjendur përballë shifrave të ndryshme mes parashikimeve optimiste të dhjetorit dhe parave reale të mbledhura në Thesar, ministri i Financave pranoi dje publikisht se buxheti nuk është më realist.
Por, ndryshe nga vitet e kaluara, kur ndryshimi i buxhetit prekte vetëm shpenzimet administrative dhe tenderët me vlerë të vogël, këtë vit pritet që gërshërët e qeverisë të shkurtojnë edhe investimet. Kjo është një risi negative për ekonominë e vendit që nga ana tjetër po përballet edhe me tkurrjen e kredive nga bankat. Të dhënat e djeshme të Bankës së Shqipërisë theksonin se sistemi bankar ka ulur, edhe pse me shifra të vogla, kredinë për ekonominë. Të gjitha të dhënat, tkurrja e investimeve nga buxheti dhe tkurrja e kreditimit nga bankat, qartësojë parashikimet për një situatë më të zymtë ekonomike në muajt që vijnë.
Bode
I pyetur dje nga gazetarët, ministri i Financave theksoi se do të rishikohet i gjithë kuadri makroekonomik dhe objektivat për vitin 2012. Sipas tij, ndryshimet do të bëhen në përputhje me zhvillimet në ekonominë globale, në ekonominë rajonale dhe për më tepër, në zhvillimet konkrete në ekonominë shqiptare. I pyetur nëse do të rishikohen edhe investimet publike, të parashikuara na nivelin 5% të GDP-së dhe shifra e rritjes ekonomike, ministri theksoi se “të gjitha këto janë elemente për t’u vlerësuar konkretisht dhe në përputhje me zhvillimet aktuale të ekonomisë dhe perspektivën e gjashtëmujorit të dytë, të mund të formulojmë një objektiv që të jetë sa më i përputhur”. Bode pranoi se edhe rritja ekonomike e parashikuar në nivelin 4.3 për qind do të korrigjohet në ulje. “Sigurisht, çdo gjë është e mundshme. Ekonomia shqiptare nuk është një ekonomi që zhvillohet në eter, është një ekonomi konkrete që operon në një rajon konkret. Ajo që duhet përshëndetur është dinamizmi më i lartë në krahasim me vendet e tjera. Kemi një rritje ekonomike pozitive kur dihet që deklarimet për ekonominë e eurozonës janë për vijimin e një rënieje ekonomike”. Bode nuk u ndal në shifrat e shkurtimeve, por e tha atë indirekt kur tregoi se “rritja e të ardhurave ka qenë 3-4 për qind më e ulët se planifikimi. Kjo na bën që të jemi më të kujdesshëm në planifikimet tona”. Në mënyrë që shpenzimet të mos rritin borxhin publik, një zotim ndërkombëtar i qeverisë shqiptare, duhet që ato të ulen në përputhje me të ardhurat që vijnë në buxhet. Ulja e të ardhurave në nivelet 4% do të thotë një ulje e njëjtë e shpenzimeve. Financat parashikojnë që deri në fund të vitit trendi i uljes së të ardhurave të arrijë në 5% në krahasim me parashikimin e fillimvitit. Kjo pritet të jetë edhe shifra e uljes së shpenzimeve. Buxheti i vitit 2012 parashikon 396.9 miliardë lekë shpenzime. Ulja me 5% do të thotë një shkurtim prej 19.8 miliardë lekësh, ose rreth 190 milionë USD.
Bie edhe kredia
Shifrën e rënies ekonomike dhe të investimeve e ka pasqyruar dje edhe Banka e Shqipërisë. Në raportin statistikor të kreditimit, për herë të dytë brenda vitit, vihet re ulje e financimit nga bankat. Sipas shifrave, në muajin prill kredia për ekonominë u ul në 549 miliardë lekë nga 550 miliardë që ishte një muaj më parë. Kjo do të thotë se bankat kanë tërhequr kredinë, ose më saktë, nuk e kanë shtuar atë për biznesin dhe individët. Ulja e kreditimit për të dyja kategoritë përkthehet në më pak investime dhe në më pak konsum. Më thjesht, në tkurrje ekonomike. Edhe pse e vogël në shifër, ulja e kreditimit është një sinjal i fortë alarmi për ndryshimin e politikave ekonomike. Një situatë e tillë u vu re në muajin janar, kur kredia për ekonominë u ul në 540 miliardë lekë nga 541 miliardë që ishte në dhjetor.

KRAHISIMI I BUXHETEVE

Parapagimi i tatimfitimit, miratohen ndryshimet

Vendimi, qeveria lë të hapur mundësinë për pagesën me 13 këste
Bizneset mund ta paguajnë detyrimin në këste tremujore
Parapagimi 3-mujor i tatimfitimit u miratua dje në mbledhjen e qeverisë. Pas konsultimeve me grupet e biznesit, projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat” kaloi dje në qeveri me ndryshimet përkatëse. Kështu, biznesit që kundërshtoi fort parapagimin 3- mujor të tatimfitimit, i është lënë edhe mundësia që pagesën ta bëjë edhe çdo muaj, sikurse veprohet aktualisht. Gjatë kohës së diskutimit të projektligjit, Financat argumentuan se ky ndryshim po bëhej për të ulur burokracitë për biznesin dhe për t’i kursyer atij kohë. Nga 13 këste që parapaguhet aktualisht tatimfitimi, ndryshimet kanë ulur këstet në 5, që paguhen çdo tre muaj. Për këtë vendim përcakton edhe afatet për bizneset e interesuara të zgjedhin alternativën që u leverdis. “Gjatë periudhës vijuese tatimore, tatimpaguesi parapaguan, në llogarinë e organeve tatimore, këstet tremujore të tatimit mbi fitimin, brenda datës 30 mars për muajt janar, shkurt dhe mars, brenda datës 30 qershor për muajt prill, maj dhe qershor, brenda datës 30 shtator për muajt korrik, gusht dhe shtator,  dhe brenda datës 30 dhjetor për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor. Këstet mund të paguhen edhe në baza mujore, jo më vonë se data 15 e çdo muaji”, thuhet në vendimin e qeverisë. Biznesi fillimisht e kundërshtoi fort parapagimin 3-mujor të tatimfitimit, duke vlerësuar se kjo do ta vendoste atë në vështirësi financiare duke pasur parasysh edhe situatën aktuale, ku pjesa më e madhe janë në kufijtë e mbijetesës. Po kështu, në mbledhjen e Këshillit Konsultativ biznesi kërkoi që të lihej në fuqi varianti aktual, pasi duke qenë se një pjesë e mirë e kompanive janë eksportues, situata në vendet fqinje me të cilat kemi edhe shkëmbimet më të mëdha tregtare ka sjellë vonesa në likuidime, çka nuk garanton që biznesi të ketë në kohë të gjithë shumën që duhet për të parapaguar tatimfitimin për 3 muaj.

Parapagimi i Tatimfitimit
1. Pagesa e tatimfitimit
bëhet me 13 këste

2. Pagesa e tatimfitimit
do të bëhet me 5 këste

3. Bizneset mund të zgjedhin
variantin që u leverdis

Konferenca: Si “fshihet” tatimi mbi fitimin
Ndërtimi i një klime të qëndrueshme investimesh, e lidhur kjo me mbrojtjen e bazës së tatueshme, ka qenë në fokus të konferencës rajonale të mbajtur dje në Tiranë. E mbështetur nga Ministria e Financës në vendin tonë, ajo austriake, Sekretariati Shtetëror Zviceran për Marrëdhëniet Ekonomike (SECO) dhe Shërbimi Këshillimor i IFC në Europë dhe Azinë Qendrore, kjo konferencë solli diskutime të ekspertëve dhe politikëbërsve vendës e të huaj. Ministri i Financave, Ridvan Bode, në fjalën e tij dje u shpreh se transferimi i çmimit është i rëndësishëm si për qeveritë, ashtu edhe për kompanitë shumëkombëshe. Por çfarë përfitimesh reale ka kjo?  Kompanitë shumëkombëshe fitimet e tyre i kalojnë tek dega që operon në vendet ku taksa e tatimfitimit është më e ulët duke përfituar kështu nga barra më e ulët fiskale kurse me shpenzimet operojnë duke i kaluar në llogari të kompanisë qendrore. “Transferimi i fitimit mund të ndikojë në pjesën e tatimit që qeveritë marrin nga kompanitë shumëkombëshe, kurse për këto kompani i ekspozon ndaj tatimit të dyfishtë”, u shpreh Bode.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura