Shkonte keq me nusen e djalit, vetëhelmohet e moshuara

Aug 31, 2013 | 13:22
SHPËRNDAJE

TIRANE – Një 68-vjeçare i ka dhënë fund jetës mëngjesin e djeshëm duke u vetëhelmuar me pesticide. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Shkozës në Tiranë, kur e moshuara është gjetur në gjendje të rëndë në dhomën e saj nga i biri. Viktima është Flutura B., 68 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në Pavijonin e Toksikologjisë te spitali “Nënë Tereza”. E moshuara është dërguar me urgjencë në spital nga djali i saj, i cili derisa është konsultuar me mjekët, nuk e dinte se çfarë i kishte ndodhur së ëmës. Ndërsa vetëm disa minuta pasi kishte mbërritur në spital, 68-vjeçarja ka ndërruar jetë, duke mos mundur të mbijetojë. Burime nga Policia e Tiranës thanë se gruaja e moshuar dyshohet të jetë vetëhelmuar në kushtet e depresionit që kishte së fundi për shkak të problemeve që kishte me nusen e djalit të saj. Vajzat e viktimës kanë deklaruar në Polici se e ëma kishte probleme të vazhdueshme me kunatën e tyre për shkak se nuk shkonin mirë dhe ky ishte shqetësimi i vetëm i saj që mund ta ketë detyruar të vetëvritet. Nga ekspertiza mjeko-ligjore ka rezultuar se për t’u helmuar gruaja ka përdorur pesticide.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura