Shkodra, 10 skulptura për hapësirat publike

Jul 14, 2011 | 12:43
SHPËRNDAJE

Më në fund dikush mendon të pasuroj hapësirat publike. Bëhet fjalë pikërisht për skulpturat e parkut, të cilat shumë pak aplikohen në Shqipëri. Bashkia Shkodër, nëpërmjet Galerisë së Arteve, nisi zbatimin e projektit të përbashkët me Komunitetin Europian “Simpozium ndë-rkufitar i skulpturës”, në kuadër të Programit ndërkufitar “IPA Shqipëri-Mali i Zi, 2007-2013”. Në kuadër të këtij projekti, në lulishten e shëtitores pranë lumit Buna, për 3 javë, 10 skulptorë, ku nga këto 8 janë nga Mali i Zi dhe 2 nga Shqipëria, do të realizojnë veprat e tyre në mermer, të cilat më pas do të vendosen në parqet dhe hapësirat publike të qytetit të Shkodrës. Drejtori i Galerisë së Arteve Shkodër, Artan Draçini, shprehet se kjo është faza e parë të këtij projekti që parasheh si fazë të dytë transferimin e tij në Ulqin të Malit të Zi, gjatë muajit shtator, ku 10 skulptorë të tjerë, gjithashtu nga Shqipëria dhe Mali i Zi, do të punojnë për realizimin e veprave të tyre që do të vendosen në hapësirat publike të Ulqinit. Ky projekt do të ketë një efekt të shumëfishtë. Përveçse do të vendosë urat e komunikimit mes artistëve shqiptarë dhe atyre malazezë, ai do të ndikojë direkt në jetën e qytetarëve, duke mbushur parqet dhe hapësirat publike, ku veprat e artit janë shumë të pakta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura