Shkodër, nga janari rritet 700 lekë taksa e pastrimit

Dec 29, 2011 | 12:03
SHPËRNDAJE
Mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak në Shkodër

Bashkia e Shkodrës miraton paketën e re fiskale për vitin 2012 me rritjen e taksës së pastrimit për qytetarët. Një shumë prej 700 lekësh do të shtohet në vlerën totale të detyrimeve ndaj Bashkisë, duke e çuar në 6 mijë lekë gjithsej. Me anë të këtyre parave do të paguhet transporti i mbeturinave drejt landfillit të Bushatit. Me 27 vota pro, 10 abstenime e asnjë votë kundër, Bashkia Shkodër ka miratuar paketën e re fiskale. Për vitin 2012, çdo familje shkodrane duhet të paguajë 6 mijë lekë si tarifë totale edhe për ndriçimin e gjelbërimin, në një kohë që kjo shumë për vitin 2011 ishte 5300 lekë të rinj. Këshilli Bashkiak i Shkodrës në mbledhjen e tij të fundit për vitin 2011, të zhvilluar paraditen e së mërkurës, e ka miratuar paketën fiskale me shumicë dërrmuese votash. Drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës kanë pohuar se rritja e taksës është shumë e vogël, me 700 lekë, dhe kjo rritje është kushtëzuar nga rritja e distancës për transportin e mbeturinave urbane, pasi është parashikuar rritje e kostos për depozitimin nga vendi aktual i mbetjeve në landfillin e Bushatit. Rritja është bazuar në shtimin e rrugës me 36 km vajtje-ardhje për automjetet. “Ne si Bashki kemi bërë maksimumin për të mos rënduar qytetarët, por njëkohësisht kemi pasur parasysh që kjo vlerë të jetë sa më afër realitetit”, ka pohuar kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka. Specialistë të Bashkisë nga ana e tyre kanë argumentuar hollësisht mënyrën se si është llogaritur taksa vendore. Pas disa minutash debati është bërë e mundur që të miratohet kërkesa e bërë nga Bashkia me 27 vota pro dhe me 10 abstenime. Paketa fiskale e Bashkisë së Shkodrës është votuar në grup, si një e vetme. Ka rënë në sy fakti se opozita nuk ka votuar kundër, por ka abstenuar. Që nga janari, tarifat vendore të Bashkisë së Shkodrës do të paguhen në arkat e Ujësjellësit. Aty, qytetarët shkodranë do të kryejnë derdhjen e pagesës krahas faturave të ujit të pijshëm. Tarifat vendore do t’i mbledhë Ndërmarrja e Ujësjellësit, e cila do të jetë në rolin e agjentit tatimor, por pa përqindjen përkatëse. “Kemi menduar që çdo qytetar ta paguajë me pjesë taksën ndaj Bashkisë, me qëllim që të mos rëndojmë buxhetin e familjeve shkodrane. Vlera e taksës vendore do t’i bashkëngjitet faturës së ujit të pijshëm”, pohojnë burimet nga Bashkia e Shkodrës. Ndonëse taksa vjetore e qytetarëve të Shkodrës që prej janarit do të pësojë rritje pikërisht për shkak të landfillit të Bushatit, ende nuk është zgjidhur përplasja mes dy institucioneve vendore. Pritet që mes Bashkisë së Shkodrës dhe komunës Bushat të arrihet një konsensus për çmimet e depozitimit të mbeturinave.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura