Shkodër, dom Simon Jubani prehet në Varret e Rr’majit

Jul 15, 2011 | 9:48
SHPËRNDAJE

SHKODER – Përcillet për në banesën e fundit prifti katolik dom Simon Jubani, i cili u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare. Ceremonia në nderim të dom Simon Jubanit filloi me një meshë mortore të mbajtur në Kishën Katedrale të Shkodrës, e cila u celebrua nga ipeshkvi i Shkodrës, imzot Angjelo Massafra. Në këtë meshë merrnin pjesë ipeshkvijtë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, si dhe Nunci Apostolik në Shqipëri, imzot Ramirez. Në meshën mortore, krahas përfaqësuesve më të lartë të fesë katolike, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të pushtetit vendor në Shkodër, përfaqësues të Presidencës, nga Komiteti i Kulteve, kryetari i opozitës, Edi Rama, i cili shoqërohej nga Spartak Ngjela, Nard Ndoka dhe Preç Zogaj, si dhe besimtarë të shumtë dhe qytetarë të besimeve të ndryshme të qytetit të Shkodrës. Ceremonia ka vijuar me leximin e letrave të ngushëllimit të dërguara nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI, si dhe nga Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha. Pas bekimit të arkivolit me trupin e pajetë të dom Simon Jubanit, kortezhi mortor vijoi me transportimin e trupit të tij për te varret katolike të Rr’majit. Kortezhi shoqërohej nga banda e ushtrisë, priftërinjtë dhe qytetarët e shumtë që ishin mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit dom Simon Jubanit. Trupi i pajetë i dom Simon Jubanit prehet në Kapelën e Varreve të Rr’majit, në këtë kapele ku edhe mbajti meshën e parë 20 vite më parë.        r.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura