Kontrollet për 2016, KLSH gjen 534 milionë euro abuzime

Feb 4, 2017 | 8:36
SHPËRNDAJE

Shkeljet e kryera nga administrata qendrore dhe vendore, nga 2013 deri në shtator të 2016, llogariten me vlerë 534 milionë euro.

Abuzimet me dëm ekonomik që administrata u ka shkaktuar buxheteve u publikuan dje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në përfundim të auditëve që ky institucion ushtroi në vitin 2016. Për dëmin që institucionet shtetërore u kanë shkaktuar buxheteve gjatë këtyre 2 viteve e gjysmë, KLSH ka bërë 41 kallëzime penale për 191 zyrtarë.

Referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për shkak të shkeljeve me të ardhurat dhe shpenzimet, dëmi ekonomik në total kap vlerën e 25.484 milionë lekëve, apo 188 milionë euro. Ndërsa dëmi i shkaktuar nga institucionet e audituara kap vlerën e 346 milionë eurove. Në total, dëmi financiar për shkak të shkeljeve llogaritet 534 milionë euro. Dëmi më i lartë është shkaktuar nga dhënia me qira e pronës publike dhe nga prokurimet. Dëmet në këtë fushë përbëjnë 62 për qind të dëmit të zbuluar në total.

Konkretisht, shkeljet për dhënien me qira të pronës publike llogariten në vlerën e 15.6 miliardë lekëve, ku dëmi më i lartë në vlerën e 14.9 miliardë lekëve është shkaktuar nga “Albpetrol”, për shkak të detyrimeve të prapambetura për naftën bruto dhe sasi nafte të prodhuara, por të paraportuara.

bujar-leskaj-1024x740

 

Ndërsa dëmi i shkaktuar nga shkeljet me tenderët llogaritet 3.4 miliardë lekë, ku shkeljet më të larta që KLSH-ja konstatoi ishin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në sektorin e tatim-taksave, dëmi i shkaktuar nga institucionet llogaritet 1.8 miliardë lekë. Ndërsa shkeljet e institucioneve në sektorin e doganave i kanë shkaktuar buxhetit një dëm me vlerë 2.9 miliardë lekë.

Shkelje janë zbuluar nga institucionet edhe në shpërndarjen e pagave dhe shpërblimeve. Për këtë sektor, dëmi llogaritet 110 milionë lekë. Në shpenzimet operative KLSH evidentoi dëm me vlerë 422 milionë lekë. Në raportin vjetor janë publikuar shkeljet edhe për zbatimin e kontratave në punimet për ndërtimin e bypass-eve Vlorë dhe Fier. Dëmi që Autoriteti Rrugor i ka shkaktuar buxhetit për këto dy kontrata është rreth 732 milionë lekë, ndërsa për punimet e rrugës Tiranë-Elbasan shkeljet janë me vlerë 306 milionë lekë.

Sipas raportit, Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2016 ushtroi 154 auditime në administratën shtetërore, ku numri më i lartë i kontrolleve apo 21 për qind e tyre është bërë në administratën e pushtetit vendor.

DËMI EKONOMIK

Në sektorin e tatim-taksave 1.885.032.000 lekë.

Në sektorin e doganave 2.935.610.000 lekë.

Pagat dhe shpërblimet 110.734.000 lekë.

Prokurimet 3.407.159.000 lekë.

Qiratë shtetërore 15.670.640.000 lekë.

Shpenzime operative 422.267.000 lekë.

KLSH ka bërë 191 kallëzime penale.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura