Shëngjin: Nderohen me “Qytetar Nderi” ish-presidentët

Jul 31, 2012 | 12:33
SHPËRNDAJE

Ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç, ai kosovar Fatmir Sejdiu dhe ai shqiptar, Alfred Moisiu, janë nderuar me titullin “Qytetar Nderi” të komunës së Shëngjinit, në një ceremoni zyrtare të zhvilluar paraditen e djeshme. Akordimi i titujve për tre ish-presidentët ballkanas i referohet rolit të tyre në arritjen e paqes, zhvillimit të këtyre tri shteteve dhe promovimit që ata i kanë bërë vendit tonë, e kryesisht Shëngjinit në arenën ndërkombëtare. Për ish-presidentin e Kroacisë, Mesiç, tashmë lufta për kufijtë ka përfunduar dhe duhet të punohet për të qenë pjesë e bashkësisë europiane. Ndërkohë, ish-presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu dhe ai shqiptar, Alfred Moisiu e kanë vënë theksin te potenciali turistik i zonës së Shëngjinit. Pas kësaj ceremonie, ish- presidentet, Mesiç dhe Sejdiu janë takuar me Presidentin e ri të vendit, Bujar Nishani. Në njoftimin e Presidencës thuhet se “Zoti Mesiç vuri në dukje se midis dy vendeve dhe popujve ka ndjenja të thella simpatie dhe mbi këtë bazë institucionet e të dyja vendeve duhet të bëjnë më shumë për intensifikimin e marrëdhënieve, duke vënë theksin te ndërtimi i autostradës Adriatiko-Joniane. Dy personalitetet vlerësuan se e ardhmja europiane është garanci për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit dhe shprehën shqetësimin për rishfaqjen e qëndrimeve të vjetra jashtë tendencave europiane që burojnë nga reminishencat e së shkuarës. Presidenti Nishani e uroi ish-Presidentin Mesiç për marrjen e titullit ‘Qytetar Nderi’ i Shëngjinit dhe e vlerësoi një mik të madh të shqiptarëve dhe përkrahës të vendosur të çështjes së Kosovës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura