SHBA, avioni rrëzohet mbi një ndërtesë në aeroport, 4 të vdekur

Oct 31, 2014 | 13:19
SHPËRNDAJE

Të paktën katër persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një avioni të vogël turistik, i cili u përplas me një ndërtesë në një aeroport të Kansasit. “Avioni tip Beechcraft ka humbur fuqinë pak momente pas ngritjes dhe është përplasur me një ndërtesë ndërkohë që po përpiqej të rikthehej në pistën e aeroportit Wichita Mid-Continent”, theksoi Agjencia Federale e Aviacionit (FAA). “Katër persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë dërguar në spital me plagë të rënda. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e katër personave të tjerë brenda ndërtesës”, theksuan zyrtarët lokalë. “Rreth 100 persona ndodheshin brenda ndërtesës në momentin e goditjes nga avioni, që shkaktoi një zjarr të madh”, njoftoi policia. Zjarrfikësit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të neutralizuar flakët. Një dëshmitar nga vendi i ngjarjes, Jaison Podkanowicz tha për BBC se ndodhej në ambientet e punës kur dëgjoi zhurmën. “Dola jashtë dhe pashë avionin në majë të ndërtesës përballë, që shërben si qendër trajnimi për pilotët”, deklaroi dëshmitari. Podkanowicz shtoi se pjesa e kabinës së avionit ishte tërësisht e shkatërruar, ndërsa pjesa e depozitës së karburantit dhe bishti i tij ishin të paprekur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura