Shatërvani, roje 24 orë nga protestuesit para Bashkisë Durrës

Aug 31, 2014 | 10:07
SHPËRNDAJE

Gjatë protestës së djeshme për shatërvanin
Përshkallëzohet ndjeshëm konflikti qytetar mes protestuesve që kërkojnë të ruhet identiteti historik i Durrësit dhe Bashkisë së këtij qyteti, e cila kërkon që në kuadër të rivitalizimit të sheshit “Liria”, të zhvendosë shatërvanin 85-vjeçar.

 Pas protestave disaditore, duke mos pasur besim te Bashkia, protestuesit kanë vendosur që të ruhet shatërvani me roje vullnetare, shërbim që do të funksionojë me tri turne. Organizatorët e protestave të njëpasnjëshme shprehen se nuk do të lejojnë zhvendosjen e veprës, duke e mbrojtur atë kundrejt çdo çmimi. Teuta Kalakula (Duro), njëra prej organizatorëve të protestës, thekson se shatërvani po ruhet me turne nga qytetarët që janë kundër zhvendosjes së tij. Teksa u bën apel të gjithë qytetarëve durrsakë të dalin në shesh për të protestuar dhe penguar zhvendosjen e shatërvanit, Kalakula shprehet se duke nisur nga sot organizatorët e protestës do të bëjnë peticion, duke mbledhur shtëpi më shtëpi firmat e qytetarëve, në mënyrë që vepra të qëndrojë në sheshin “Liria”.

“Nuk do të lejojmë kurrsesi zhvendosjen e shatërvanit. Ne do të vazhdojmë të protestojmë derisa vendimi për largimin e veprës të ndryshojë, por në të njëjtën kohë nuk do të lejojmë që mjetet e rënda të dëmtojnë këtë pjesë të historisë së qytetit të Durrësit. Ne po e ruajmë dhe po qëndrojmë roje, duke u zëvendësuar me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos përballemi me ndonjë veprim të papritur për heqjen e tij, pasi kemi dëgjuar zëra se zhvendosja mund të kryhet gjatë natës. Sikurse nuk lejuam ardhjen e armëve kimike, të njëjtin qëndrim do të mbajmë për ta mbrojtur këtë vlerë të qytetit tonë”, u shpreh Kalakula.

Protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim të protestave, deri në momentin që Bashkia do të tërheqë vendimin për largimin e shatërvanit 85-vjeçar, i cili u projektua nga arkitekti i njohur Kristo Sotiri.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura