Shansi i fundit për Lojërat Olimpike, mundja shqiptare në kualifikueset e Stambollit

May 10, 2024 | 15:20
SHPËRNDAJE

Kombëtarja shqiptare e mundjes ka nisur konkurrimin e saj në turneun botëror kualifikues për Lojërat Olimpike që po mbahet në Stamboll të Turqisë, event që do të japë edhe biletat e fundit që të çojnë në “Paris 2024”. Përfaqësuesja kuqezi merr pjesë me 6 sportistë, të cilët kanë filluar garat në këtë eveniment të rëndësishëm. Deri më tani kanë mbyllur përfaqësimin dy mundësit e stilit greko-roman. Pasi ka kaluar me sukses ndeshjen e parë, Kevin Kupi (77 kg) u mposht në sfidën e dytë.

9b9db3de-f7f6-4780-9968-b63e469be3e3

Ndërsa Gjetë Prenga (67 kg) u mund që në duelin e tij të parë. Por pritshmëritë më të mëdha Shqipëria i ka nga stili i lirë, aty ku do të konkurrojnë dy rusët e natyralizuar me pasaporta shqiptare. Kampioni i Europës, Islam Dudaev do të ketë shansin e fundit për tu kualifikuar për në Olimpiadë, teksa do të matë forcat në kategorinë e peshave 65 kg dhe i nis duelet të shtunën. Në të njëjtën ditë do të bëjë debutimin e tij me Shqipërinë edhe Chermen Valiev, mundësi më i fundit që i është bashkuar Kombëtares, i cili vetëm disa javë më parë është pajisur me pasaportë shqiptare. Valiev do të konkurrojë në kategorinë e peshave 74 kg. Ndërsa po në stilin e lirë do të garojë edhe Paris Karepi në peshat e rënda 125 kg.

Në radhët e femrave Shqipëria do të përfaqësohet me Albina Drazhin (68 kg). Kujtojmë që mundja është një nga dy sportet e vetme të vendit tonë që ka arritur normën olimpike. Mundësi Zelimkhan Abakarov është kualifikuar për në “Paris 2024”, së bashku me atleten Luiza Gega, e cila prej vitesh është gjithnjë brenda normës olimpike me rezultatet e saj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura