Dorëzohet Skënderbeu, shthuret në Kazakistan

Jul 31, 2013 | 14:32
SHPËRNDAJE

Skënderbeu pëson një humbje shokuese në Kazakistan me shifrat 3-0 përballë Shakhter Karagandit. Një gol i pësuar në start dhe dy të tjerë në fundin e lojës e kthyen skuadrën e Mirel Josës me këmbë në tokë dhe tashmë me shanse minimale për të pretenduar kalimin e turit të tretë. Korçarët kanë qenë dinjitozë deri në minutën e 75-të, ndërsa më pas treguan një amatorizëm në veprimet mbrojtëse, duke u kthyer në performancën tipike të ekipeve shqiptare në kupat e Europës. Skuadra u shthur në atë mënyrë, saqë u duk sikur nuk e mendoi aspak që kishte edhe një ndeshje të kthimit. Përgatitja e lartë fizike dhe dalje e shpejtë në sulme e kazakistanasve dominoi kundër teknikës dhe qarkullimit të bukur të topit nga ana e Skënderbeut të Josës. Ashtu siç pritej, kazakët shfrytëzuan goditjet standarde, ndërsa shtatlartët e tyre, boshnjakët Didiç e Vasiljeviç, bënë atë që mediat dhe njohësit e futbollit kazakistanas kishin parashikuar që disa ditë para takimit. Në sulmin korçar Pejiç ishte hije e vetvetes, teksa detyroi Josën ta zëvendësonte që në fillimin e pjesës së dytë. Nga ana tjetër, nëse mbrojtja dhe veçanërisht krahu i djathtë, ku Soza merrte shpesh edhe iniciativa sulmuese, luajti mirë në pjesën e parë, 45 minutat e dyta lanë për të dëshiruar. Edhe krahët e mesfushës, me Tomiçin dhe Sefën nuk funksionuan, ndërkohë që përpjekjet e kapitenit Shkëmbi dhe nigerianit Orelesi, për t’i dhënë frymëmarrje skuadrës, s’mjaftuan.
Pjesa e parë
Skënderbeu e nisi takimin me një surprizë të minutave të fundit në formacionin bazë. Mbrojtësi i majtë, Renato Arapi, nuk ishte i grumbulluar për shkak të një dëmtimi dhe në vend të tij u aktivizua si titullar Endri Vrapi. Pjesa tjetër e skuadrës ishte ajo që ka luajtur ndaj Neftçi Bakut, me përjashtim të Tomiçit, i cili kishte zënë vendin e Gilman Likës. Fillimi i lojës është i gjithi për Shakhterin. Skuadra vendëse ushtron një presion të paparë në portën e Shehit, derisa në minutën e 8-të arrin të kalojë në avantazh, pas një goditjeje nga këndi. Mbrojtësi Didiç, 1.97 metra i gjatë, shënon me kokë brenda zone, ndërkohë që pas golit rastet e kazakistanasve janë të njëpasnjëshme. Portieri Shehi bëhet hero, veçanërisht në dy momente. Shakhteri arrin të shënojë sërish, por këtë herë anësori anulon golin e Zenkoviçit për pozicion jashtë loje. Gjatë 45 minutave të para, një goditje e Jetmir Sefës ishte shumë pak për Skënderbeun. Përtej presionit të vazhdueshëm të kazakëve, ky fraksion u mbyll 1-0.
Pjesa e dytë
Ndeshja rinis me një zëvendësim në sulm për Skënderbeun. Josa nxjerr nga fusha Pejiçin dhe freskon repartin ofensiv me Nimagën. Korçarët janë më kërkues në minutat e para, teksa qarkullojnë mirë topin dhe i afrohen portës me sulme që kanë një rrjedhë logjike. Në një prej tyre, kur nuk kishin kaluar më shumë se tre minuta nga fillimi i pjesës së dytë, Lilaj pretendon për një penallti të padhënë. Mbrojtësi Vasiljeviç prek topin me dorë brenda zone, por gjyqtari rus vazhdoi lojën. Skënderbeu zhvillon 20 minuta të mira dhe Malienit Nimaga i jepet një shans i artë për të barazuar rezultatin, por goditja e tij përballë portierit Mokin përfundoi jashtë. Pas një epërsie të lehtë të korçarëve, ndeshja ndryshon si me telekomandë kur kronometri kalon minutën e 75-të. Shakhteri krijon një mori rastesh për shënim, por është Shehi që i thotë “jo” golit, derisa thyhet për herë të dytë nga i sapofuturi në lojë Murtazajev. Te Skënderbeu vihet re një shthurje në mbrojtje. Lojtarët e qendrës, Radas e Gvozdenoviç, lënë hapësira dhe bëjnë gabime amatoreske në aspektin taktik. Sulmuesit e Shakhterit janë krejtësisht të pamarkuar në minutat e fundit dhe arrijnë që të shënojnë golin e tretë me Kizhniçenkon, i cili u la i lirë brenda zone. Një mbyllje e ndeshjes me turp, në një kohë që mundësitë ishin për më tepër. Tashmë vetëm një mrekulli e dërgon Skënderbeun në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve. Korçarët u dorëzuan që në Kazakistan dhe këtë e dëshmon më së miri deklarata e trajnerit Josa pas ndeshjes.

Shakhter Karagandy 3
Skënderbeu 0
Golat: Didiç 8’, Murtazajev 79’, Kizhniçenko 90’

Shakhter Karagandy: Mokin, Porjvaev, Vasiljeviç, Didiç, Vicius, Kanas (Bajzhanov 90’), Finonçenko (Darbajev 86’), Gazarjan, Zenkoviç (Murtazajev 73’), Simçeviç, Kizhniçenko.
Trajner: Viktor Kumikov

Skënderbeu: Shehi, Ademir, Radas, Gvozdenoviç (Dimo 90’), Vrapi, Tomiç (Abazi 72’), Lilaj, Shkëmbi, Orelesi, Sefa, Pejiç (Nimaga 46’).
Trajner: Mirel Josa

Gjyqtarë: Aleksei Nikolaev, T.Kalugin, V.Drozdov (Rusi)

Kartonë të verdhë: Finonçenko 23’

Mirel Josa: Luajtëm mirë vetëm 75 minuta
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, duket i dorëzuar pas humbjes 3-0 në Kazakistan. Në konferencën për shtyp, kreu i pankinës korçare pranoi se Shakhteri ka hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit, ndërsa ekipit të tij tashmë i mbetet të shpresojë te faza “play-off” e Ligës së Europës. “Mendoj se pas fitores 3-0, Shakhteri është më i sigurt për në raundin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Problemi sot (dje) ishte se lojtarët tanë ishin statikë, ndërsa kundërshtarët treguan më shumë dëshirë për të fituar. Me topin kemi luajtur më mirë se Shakhteri, por unë kam qenë i kënaqur me skuadrën vetëm në 75 minuta të ndeshjes. Megjithatë, qarkullimi i mirë topit nuk vlejti, pasi s’na ndihmoi një rezultat pozitiv”, është shprehur fillimisht Josa, ndërsa më pas u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve kazakistanas. I pyetur nëse rezultati përfundimtar ishte i drejtë, trajneri u shpreh: “Kjo ndeshje përfundoi dhe nuk është më me interes për mua. Tani nuk mund të ndryshojmë asgjë. Të shpresojmë se mund të bëjmë diçka më të mirë për të ardhmen. Ne do të kemi edhe dy ndeshje në “play-off” për Ligën e Europës”.

Trajneri Kuminov
Trajneri rus i Shakhter Karagandyt, Viktor Kumikov, është i lumtur që skuadra e tij ka arritur një fitore bindëse në shtëpi ndaj Skënderbeut. “Ndeshja doli ashtu si e prisnim për nga vështirësia që do të kishte në arritjen e rezultatit. Të jem i sinqertë, ne kishim një kundërshtar shumë të mirë përballë. Pjesa e dytë u bë e vështirë për ne, edhe pse në fund rezultati ndoshta do të ishte 4-0. Skënderbeu pati shanset e veta, por ndoshta te shqiptarët ndikoi lodhja nga udhëtimi”, deklaroi Kumikov.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura