Sfidat e Legalitetit

Nov 30, 2013 | 10:42
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO

  Ditët e fundit u zhvillua Kongresi i Partisë së Legalitetit dhe në krye të kësaj partie nuk është më zoti Ekrem Spahia, një lloj drejtuesi historik i kësaj partie, por Sulejman Gjana, drejtues i dikurshëm i Legalitetit në Diasporë. Bir i një familjeje të vjetër legaliste, Gjana, me karrierë teknokrati në shoqërinë belge, që nuk ka akoma një profil publik të spikatur, ka një detyrë të vështirë: ose të tentojë ta ringjallë këtë parti historike nëpërmjet strategjive të reja, ose të vijojë drejtimin e saj në rrugën e paraardhësit, e cila nuk garantoi rritjen e kësaj partie.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është shqetësimi për detyrën e tij, por një sprovë e paplotë analitike për një parti historike, siç është Partia e Legalitetit, që në një farë mënyre është partia më e vjetër e skenës politike shqiptare. A ka më kuptim ekzistenca e një partie si ajo, dhe cilat janë sfidat reale të saj parë nga syri i shoqërisë shqiptare? Është krejt e qartë se atashimi pa kushte i kësaj partie si deri më tani pranë Partisë Demokratike me kryetar personazhin e fortë të politikës shqiptare, Sali Berishën, nuk ka prodhuar rritje, por rënie të vazhdueshme elektorale të saj.

Kulmi i rezultatit të saj ka qenë në vitin 1996, kur kjo parti së bashku me forca të tjera të djathta, arriti të merrte në Shkodër kreun e Bashkisë. Prej atij momenti, me gjithë luajalitetin njerëzor dhe politik të kreut të partisë Ekrem Spahia ndaj PD-së dhe Berishës, Legaliteti nuk e ka rritur përfaqësimin e vet politik. Ky zvogëlim përfaqësimi ka ndodhur, megjithëse ndërkohë është verifikuar një moment i madh në favor të saj, siç ishte rikthimi i Familjes Mbretërore realizuar për shkak të rishikimit të qasjes prej së majtës së Nanos dhe Metës ndaj trashëgimisë monarkiste.

Cilat janë atëherë sfidat ekzistenciale të kësaj partie? Së pari, në rrafshin ideologjik. Themeluesi jo vetëm shpirtëror i kësaj partie, Ahmet Zogu, ishte që në krye të herës përfaqësues i klasës së bejlerëve shqiptarë, fuqia ekonomike dhe politike e të cilëve rridhte prej pozicioneve të epërme në Perandorinë e dikurshme Otomane. Por s’mund të thuhet domosdoshmërisht se ai përfaqësoi në të gjitha rastet, në të gjitha postet, një rreshtim ideologjik të djathtë. Ai ka tentuar të realizojë reforma agrare me kah qendrën, apo reforma të tjera institucionale. Megjithatë, kjo nuk e pengon dhe as duhet ta pengojë partinë e sotme që të zhvendoset drejt qendrës për çështje të caktuara.

Në të gjitha rastet ajo mund dhe duhet të përfaqësojë kauzën e ish-pronarëve të Shqipërisë, që në fakt janë pronarët realë, përkundrejt shtetit, kauzë që sot nuk është e përfaqësuar drejtësisht prej PD-së për shumë arsye. Në këtë drejtim dhe ndërrimi i emrit të partisë, duke shkuar tek emri i vjetër i viteve ‘20, Partia Popullore, mund të ishte një hap rishikues, retushues dhe respektues i traditës së partisë, që formalisht është partia më e vjetër shqiptare. Së dyti, në pikëpamje të aleancave. Kjo parti duhet të ndryshojë dramatikisht dhe qasjen ndaj partive ekzistuese shqiptare. Pavarësisht se Partia Socialiste e Ramës ka bërë një prapaktheu në raport me figurën e Mbretit Zog, krahasuar me drejtimin e Nanos, i cili madje ishte dhe mysafir i Familjes Mbretërore ndërsa Mbretëresha Geraldinë ishte ende gjallë, Partia e Legalitetit nuk ka arsye të thella të ndihet besnike e përjetshme e Partisë Demokratike.

Ka një bosht sjelljeje së cilës ajo mund t’i përmbahet: është sjellja e princit pretendent për fronin apo e vetë babait të tij. Shpallja e princit Lekë mbi partitë do duhej të përkthehej në një lloj baraslargësie të Partisë së Legalitetit nga partitë, duke mos u përfshirë në rreshtime të forta ideologjike apo aleanca partiake me protagonistët kryesorë të skenës. Rreshtimi do duhej të ishte çështje pas çështje dhe jo kartabiankë, siç ka ndodhur deri më sot. Kjo qasje e re e Legalitetit do ta bënte dhe pretendentin e fronit më të justifikuar t’i afrohej kësaj partie në aktivitetet e saj publike. Së treti, kjo parti do duhej të rishpallte qasjen kombëtariste moderne si shtyllë të saj ekzistenciale, diçka që do ta afronte më tej me PDIU-në dhe duke e forcuar përmasën kombëtariste të skenës partiake shqiptare. Pikërisht këto dy elemente të përmendura më lart, kauza kombëtariste e shpallur fuqimisht dhe mungesa e vargonjve ideologjikë, e kanë bërë PDIU-në një parti të suksesshme parlamentare. Thënë këtë, kauza kombëtariste e Legalitetit do forcohej duke mbetur te pjesa më e mirë e traditës monarkiste shqiptare.

Por ama kjo traditë do duhej të rizbulohej duke financuar kërkime historike autoritare, mundësisht të huaja, apo studiuesish shqiptarë të shkollave perëndimore mbi periudhën monarkiste të shpallura ama në forume të mëdha publike. Sot breza të tërë shqiptarësh mbeten të dominuar nga historiografia komuniste, e cila e shkruar në mijëra apo miliona kopje, e mban ende figurën e Mbretit Zog të vizatuar vetëm me bojë të zezë. Në këtë shpallje kombëtariste më të fuqishme sesa më parë, Legaliteti do të duhej të distancohej nga Partia Demokratike, e cila veçanërisht në dy mandatet e fundit ka në historinë e vet marrëveshjet e Detit me Greqinë, të varrezave të ushtarëve grekë, të shkollave greke etj., akte të cilat madje janë krahasuar padrejtësisht me akte të Ahmet Zogut, siç ishte Marrëveshja për Shën Naumin.

Marrëveshja për Shën Naumin ishte një marrëveshje mbi baza reciprociteti, e negociuar jo nga Zogu, por nga një patriot i padyshimtë për kohën si pinjolli i Frashërllinjve, Mehdi bej Frashëri. Ajo marrëveshje u diskutua dhe u miratua me transparencë në Parlamentin e kohës, përbërë nga burra me integritet patriotik të padyshimtë gjithashtu, dhe jo nga servilë të tij. Si e tillë, kjo marrëveshje s’ka kurrfarë ngjashmërie me Marrëveshjen kapitulluese të qeverisë “Berisha” me Greqinë, dhe Partia e Legalitetit, aleate e kësaj qeverie, ka pranuar heshtazi krahasime të padrejta midis dy figurave politike.

Duke inkurajuar apo mbështetur botime me rigorozitet shkencor, sigurisht, kjo parti mund të kishte shans të afronte afër vetes jo thjesht votues të vjetër, nostalgjikë të monarkisë, të cilët për arsye brezore, janë duke u pakësuar. Ajo mund të afronte dhe votues të rinj, të cilët ndikohen në një mënyrë ose në një tjetër dhe nga krahasimet e vendit të tyre me eksperienca të tjera të suksesshme monarkish europiane, jo thjesht nga gossipi i tyre.

Këto ishin vetëm disa linja reflektimi për një parti që e lidh emrin e saj të pagëzimit me një figurë të rëndësishme të historisë shqiptare, si Mbreti Zog. Ndoshta fiziologjia partiake e shekullit XXI do jetë e pamëshirshme me Partinë historike. Por ama disa shanse i ka dhe mundet t’i njohë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura