Serveri në Tatime u fshi pas “sulmit” në webfaqe

Dec 30, 2013 | 9:33
SHPËRNDAJE

Një ndërhyrje e paautorizuar në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve: tatime.gov.al ka qenë preteksti i auditit që u bë në këtë institucion në nëntor të këtij viti, pak ditë para fshirjes nga serveri të 4.3 milionë deklaratave tatimore. Argumenti i auditit që është bërë në gjithë pajisjet elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ka qenë pikërisht “sulmi” në faqen zyrtare të institucionit. Ngjarja ka ndodhur pas datës 10 nëntor 2013, kur personeli i IT në Tatime, përfshi edhe ish-shefin Renald Rista, është njoftuar se dikush ka ndërhyrë në faqen zyrtare. 

Prokuroria, e cila po heton “fshirjen e të dhënave nga serveri i Tatimeve”, ka evidentuar faktin se rreth datës 10 nëntor me një letër, sektori i IT ishte njoftuar nga zyra e drejtoreshës së Përgjithshme, Briseida Shehaj, se faqja e Tatimeve mund të sulmohej pasi dikush kishte arritur të depërtonte në bazën e të dhënave të saj. Letra madje jepte edhe të dhënat e hyrjes në databasen e faqes. Sektori i IT mësohet se ka nisur punën për marrjen e masave mbi këtë paralajmërim, edhe pse faqja e internetit e Tatimeve ka funksionuar normalisht pa ndonjë ndryshim të dukshëm në pamjen vizuale të saj, siç ndodh zakonisht në sulmet në internet.

Pak ditë pas letrës paralajmëruese, sektori i IT është njoftuar se punonjës të Ministrisë së Financave do të kryenin në audit në të gjitha pajisjet. Kontrolli është kryer në datat 15, 16 dhe 17 nëntor dhe, pas këtij auditi, më 21 nëntor 2013, është konstatuar zhdukja nga serveri e 4.3 milionë deklaratave tatimore. Pas kësaj ngjarjeje, faqja e Tatimeve doli jashtë funksionit për më se dy javë, edhe pse të dhënat e fshira u arrit që të riktheheshin, pasi sistemi i ndërtuar ruante automatikisht një kopje (back up) për rastet e jashtëzakonshme.

HETIMI
Prokuroria e Tiranës i filloi hetimet në lidhje me ndërhyrjen në sistemin e të dhënave të Tatimeve më 22 nëntor 2013. Policia e Tiranës referoi materialet në ngarkim të shefit të IT, Renald Rista, që u ndalua me kërkesë të drejtoreshës së Përgjithshme, Briseida Shehaj. Rista u la i lirë nga gjykata një ditë më pas, ndërsa togat e zeza e konsideruan arrestimin e tij të paligjshëm. Nga shqyrtimi i materialeve në dosje, por edhe nga verifikimi i rrethanave të ngjarjes, organi i akuzës krijoi dyshime të bazuara dhe vendosi menjëherë bllokimin e të paktën dhjetë kompjuterave në zyrat e Tatimeve.

Të gjitha këto pajisje i janë dorëzuar një grupi ekspertësh të informatikës dhe policisë shkencore. Grupi i hetimit ka urdhëruar kryerjen e një ekspertize me qëllim evidentimin e kompjuterave, nga ku është bërë ndërhyrja në sistemin e të dhënave të bizneseve dhe mundësisht identifikimin e personave që kanë kryer ndërhyrjen. Në pritje të ekspertizës në pajisjet kompjuterike, një javë më parë prokuroria sekuestroi pamjet filmike të kamerave të sigurisë në zyrat e Tatimeve për datat kur ka ndodhur fshirja e të dhënave. Imazhet filmike u dorëzuan në Prokurori nga ish-shefi i IT në Tatime, Renald Rista. Ky i fundit i vendosi pamjet në dispozicion të grupit të hetimit, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk ia dha prokurorisë pamjet në fjalë. Kërkesës së organit të akuzës për materialet filmike që tregonin lëvizjet e personave në zyrat e brendshme kur ndodhi ngjarja, Drejtoria e Tatimeve iu përgjigj se pamjet nuk disponoheshin, pasi fshiheshin automatikisht nga sistemi një herë në dy ditë. 
Trazhgim Sokolaj 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura